KULTURË

Elona Agolli: Dëshmi persekucionesh, një letër në shtëpinë-muze të Kadaresë

17:15 - 28.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shtëpia ku shkrimtari i madh Ismail Kadare ka jetuar gjatë periudhës së komunizmit, në një pallat të njohur nga shumëkush në hyrje të Rrugës së Dibrës, çeli së fundmi dyert si muze për qytetarët. Nga vizitorët e parë të shtëpisë-muze është vetë gjeniu i letrave shqipe, që bashkë me bashkëshorten e tij, Helena Kadare, u rikthye në apartamentin e mbushur me kujtime.
Për Ismail Kadarenë, projekti për shndërrimin e shtëpisë në një muze të vizitueshëm për qytetarët dhe turistët e huaj është një ide e mrekullueshme dhe fisnike. “Askush nuk e dinte këtë projekt dhe ideja vetë është e mrekullueshme, është fisnike, shumë humane. Mua s’më mbetet veçse të përsëris mirënjohjen time për të gjithë”, tha ai. Por, ndërsa shtëpia është çelur, reagimet kanë qenë të shumta. Ka pasur zëra e shkrime pro shtëpisë-muze, siç ka pasur edhe zëra kundër saj. Në mesin e reagimeve ka qenë edhe ai i Elona Agollit, vajzës së shkrimtarit Dritëro Agolli.




REAGIMI I ELONËS
Meditimet e mia për vlerën e shtëpive muze, vërtetësinë e objekteve, dorëshkrimeve, dokumenteve të përzgjedhura për t’u ekspozuar për publikun, frymën dhe mesazhet e përcjella edhe në mënyrë të tërthortë, mesazhe afër të vërtetave jetësore apo paksa të larguara nga to, më lindën pas leximit të një shkrimi, ku titulli manipulativ (jo e pazakonshme kjo gjë) më bëri të përqendrohem në radhët e atij shkrimi pa autor (mesa duket, shkrim i servirur).
Ngazëllimi i autorit pikërisht ishte vëzhgimi i dy letrave: njëra e Dritëroit si kryetar Lidhje, tjetra e Manush Myftiut drejtuar Mehmet Shehut (në fakt të dyja letrat dëshmonin përkujdesje të madhe për shkrimtarin e madh, vëmendje dhe respekt edhe për veprën dhe kontributin e tij). Në morinë e objekteve personale (që përcjellin intimitetin, njerëzoren, të bukurën e jetës së shkrimtarit etj.), në morinë e dorëshkrimeve që dëshmojnë kapriçot e jetës krijuese të gjeniut të letrave, në radhën e letërkëmbimit mes miqve, të afërmve, me të cilët edhe mund të flitej e shkruhej hapur e në mënyrë të sinqertë. Autori i paemër i shkrimit gjente më interesante “dëshmi” persekucionesh, dëshmi në modë në kohën e sotme (ka plot afro tri dekada që vijon kjo modë fatkeqësisht). “Të sotmen dhe të djeshmen ne i kemi hedhur në një luftë të tmerrshme kundra njëra-tjetrës. Tymi që ngrihet nga fusha e kësaj lufte nuk na lë të shohim të nesërmen”, – shkruan Dritëroi diku. Dhe vijon: “Të djeshmen zakonisht e mohojnë ata që i tremben të sotmes. E kaluara nuk ndryshohet, mbi të kaluarën ndërtohet. Po ashtu siç edhe ‘Historia e jetuar është e vërtetë, e shkruara përzien të vërtetën me gënjeshtrën’.
Vlera e këtyre nismave, shtëpi-muze, është pikërisht vërtetësia që përcjellin, krijimi i saktë i parafytyrimit të kohës kur është jetuar, plotësia e dokumenteve që dëshmojnë lidhjet e fakteve, raportet shkak-pasojë, itineraret e përshkuara në hapësirë, kohë, itinerare të mendjes dhe shpirtrave. “Historia nuk shkruhet në gjaknxehtësi”, – përsëriste vazhdimisht babai im, ashtu siç “edhe ditën e djeshme nuk mund ta kthesh për ta redaktuar si fletën e letrës, që ke shkruar dje”. Këto thënie të Dritëroit janë postulatet që duhet të udhëzojnë në rrugëtimin e mbarë të këtyre nismave.

61645249_356835998516265_1469219732556087296_n 61369120_436682473578210_3085489077923872768_n 61193432_188415565390664_2964695652459610112_n 61045987_424878474726591_1650749282690531328_n 61561364_2028272624134875_1834529898199252992_n
<
>

VIZITA E KADARESË
Kadare theksoi se shkrimtari nuk mund të kuptohet pa lexuesin e tij, pa gjuhën, pa kombin e pa miqtë e tij. “Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”, tha shkrimtari i madh. Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehu mirënjohjen për këtë projekt, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë. “Në këtë shtëpi kemi pasur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike. Është shumë e papritur për mua personalisht ta shikoj këtë gjë dhe për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë arkitektja Elisabeta, me të cilën kam pasur disa takime. Shumë bukur”, tha Helena Kadare.
Arkitektja e njohur, Elisabetta Terragni, e cila ka restauruar apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës, shprehu bindjen se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah për vizitorët nga e gjithë bota jo vetëm të vlerave të gjuhës shqipe, por edhe të periudhës në të cilën jetoi e punoi shkrimtari ynë i madh. “Ky apartament është për ne rezultati i celebrimit të letërsisë, nuk është një muze klasik, por është një vend ku mund të mësoni më shumë përsa i përket shkrimit në kanavacë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të festuar gjuhën, që është gjuha shqipe në të cilin shkroi shkrimtari dhe në të njëjtën kohë për të treguar se si ky shkrimtar ia doli gjatë kësaj periudhe të vështirë për të përkthyer të gjitha punët e tij. Ndaj, kjo është gjithashtu ajo çfarë duam të nxjerrim fillimisht në pah, që bota të shohë se ai gjithmonë shkroi në gjuhën shqipe”, u shpreh Terragni.
Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë botërore. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.