KULTURË

LEKA BUNGO: Luftova dhëmb për dhëmb me armiqtë e vendit, por nuk më mori plumbi…

16:10 - 01.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Regjisori boton “Testamentin” me “UETPress”, kujtimet e një jete përmes një ironie të hollë  –  Rikard Ljarja: Kur na jepte mësim Fatos Arapi, linte ekonominë politike e fliste për poezitë




Shokë të ‘Qiriut të pashuar’, shënimet në blloqe, fletore dhe copëra letrash i kam ruajtur për vite me radhë në valixhen time të vjetër dhe do t’i hedh në faqet e këtij “Testamenti”, pa u hequr asnjë presje. Pas botimit dhe sidomos pas përkthimit në gjuhë të huaja, ju garantoj se as Europa dhe as Amerika nuk do të flasin përçart për gjoja ‘krimet’ e komunizmit”. Që në hyrje të librit shënohet:  Leka Bungo, ‘Testamenti’ i mitomanit, kapriçio në prozë” dhe gjithë ç’vijon ka të njëjtën frymë, shkruar përmes një stili të veçantë e njëherësh tërheqës.

Në një shkrim që vjen në vend të hyrjes për lexuesin regjisori e skenaristi Leka Bungo thotë se “njerëzit bëhen shkrimtarë nga dëshira për t’u bërë të famshëm, nga makutëria për të fituar para, ose të frymëzuar nga ideale të larta. Unë nuk hyj as te të parët, as te të dytët! Mirëpo veprat e njerëzve si puna ime që nuk kanë bërë emër në fushën e letrave, zënë pluhur në vitrinat e librarive, sepse nuk i njeh njeri”. Sipas tij, kjo është arsyeja që vendosi të bëjë atë që nuk arriti ta bënte pesëdhjetë vjet më parë. “Luftova dhëmb për dhëmb me armiqtë e këtij vendi, por nuk ish thënë që plumbi të më merrte në lule të ballit, të bija në fushën e betejës bashkë me njëzet e tetë mijë të tjerët që edhe trupi im të prehej në tokë me ta në kodrat e Tiranës, pranë monumentit ‘Nënë Shqipëri’”, thotë ai, jo pa ironi.

Shton në të njëjtën frymë: “Shokë të ‘Qiriut të pashuar’. Duke lënë modestinë mënjanë, ju siguroj se botimi i ‘Testamentit’ nuk do të jetë vetëm sukses i autorit. Ai do ta bëjë emrin e shtëpisë suaj botuese të njohur edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Në krye të herës më duhet t’ju kërkoj ndjesë, sepse do ta kem të pamundur t’jua sjell veprën në redaksi. Kjo thjesht ngaqë do të kem vdekur, ose me fjalë të tjera do të kem vrarë veten. Në ditët tona vrasjet janë bërë të zakonshme dhe s’bëjnë përshtypje te njerëzit, ndërsa vetëvrasjet bëjnë bujë, sepse janë më të rralla”. Duke ironizuar dukuritë shoqërore, transmetimet televizive dhe veten, ai jep arsyet pse valixhja e tij e vjetër është gjëja më e shtrenjtë që ka. “Brenda saj jam unë, fëmijët, gratë, është populli, brenda valixhes sime të vjetër është atdheu dhe historia e tij e lavdishme. Ndaj edhe kam vendosur që ‘Testamentin’, i cili është e vetmja pronë që kam, mos t’ua lë trashëgim as fëmijëve, as nipërve, as të afërmve, as miqve, por popullit…”.

Libri u pormovua dje pasdite, Alda Bardhyli, drejtore e Botimeve ‘UETPress’, tha se: “A jo çfarë e ka karakterizuar veprën e Leka Bungos është satira e hollë, mënyra sesi është përpjekur t’u flasë problemeve të ndryshme shoqërore përmes artit. Kjo satirë nuk mungon as në këtë sprovë letrare, ose kapriçio siç e quan Leka”.
Më poshtë po botojmë parathënien që aktori i njohur Rikard Ljarja i bën librit të mikut të tij.

LEKA BUNGO SIPAS NJË MIKU

Picikato

Nga Rikard Ljarja

Në vitin 1961 ne ishim djem të rinj dhe ishim në vitin e parë të shkollës për aktor “A. Moisiu”. Ishim nja njëzet vetë apo më shumë, po me kalimin e kohës firuam. Në fund fare mbetëm rreth tetëmbëdhjetë. Shkolla kishte program të ngjeshur. Përveç lëndëve profesionale, bënim edhe gjithë programin e Fakultetit Gjuhë-Letërsi. Pra, të letërsisë. Kur vinte e diela vraponim për të marrë gazetën “Drita”, lexonim me etje tërë poezitë që ishin botuar dhe i komentonim. Nganjëherë bënim edhe ndonjë hile. Psh., profesori i ekonomisë politike ishte poet, sa futej në klasë, mbas dy-tri fjalive për leksionin e radhës, dikush, kur ai bënte ndonjë pauzë, një nga studentët pyeste: “Profesor e lexuat ‘Dritën’ dje?”. Kaq ishte. Profesori harronte leksionin e ekonomisë politike dhe fillonte e bënte komente për të gjitha poezitë që ishin botuar te “Drita”. Profesori kishte një temperament të jashtëzakonshëm, ndoshta edhe nga krahina nga vinte, Vlora. Ai ishte Fatos Harapi. Në atë kohë letërsia, po kryesisht poezia kishte ndërruar formë. Poezia kishte lënë mbrapa format arkaike dhe luante me mjete të papara ndonjëherë në poezi. Vargu i ishte larguar kanoneve të vjetruara. Ishte i lirë. Poezia e asaj periudhe po ngrinte krye me forcë. Dëshmonte se ishte në një etapë të re. Në këtë “revolucion”, shpesh kalohej edhe masa për hir të modernitetit. Me këtë kalimin e masës u mor Leka. I talentuari Jani Riza së bashku me Lekën bënin një çift të përkryer humori. Leka e kishte brenda vetes batutën inteligjente. E kishte të lindur. Leka ishte herë tallës, herë cinik fantazist, e herë… Një ditë aso kohe Leka bëri një parodi të poezive “moderne” që botoheshin me shumicë. Kanë kaluar kaq vite dhe poezia ishte harruar (se shumica jonë e kishim mësuar përmendësh). Po gjithë këto vite Leka e kishte harruar dhuntinë e tij. Ose nuk e dinte që e kishte, o nuk e kuptonte me sa vlerë ishte kjo karakteristikë e tij. Me që mua mu desh mbas kaq vitesh ajo “poemë”, u kujtuam se vetëm Haxhi Rama, Xhixhi pra duhet ta mbante mend. Se Xhixhi katër vjet në bankë të parë me mua, shkroi poezi shumë të bukura për dashurinë (për Letën), disa prej të cilave u bënë këngë që u përhapën dhe u kënduan fort nga e gjithë rinia dhe jo vetëm rinia… “Lemza” për shembull… Kërciti telefoni. Dhe Xhixhi fantastik më tha se mbante mend disa vargje. M’i nisi me SMS. Mbas ca ditësh më nisi disa vargje të tjera. Ca iu kujtuan Lekës (autorit) e ca mua. Dhe kështu erdhi një pjesë e vogël e “poemës” së Lekës. E parodisë së Lekës. Ja disa vargje që kanë mbetur diku thellë në mendjet tona: “Zhurma hesht. Poemë e thepisur. Shi… Lata mensash që mendohen rëndë. I ulur mbi vargun e poemës sime mendoj për ty. Për mu. Se ti dhe unë bëjmë një. Dhe një dhe një bëjnë dy. Shi… Dy gjemba kureshtar thërrasin: Nënë. Ecim. Shkojmë drejt sheshit. Ajo më thotë rrëzë veshit: I dashur sa del rrënja e treshit… Ecim. Ecim drejt fidanishtes, ulemi nën hije. Kush rri nën dardhë i ha kokrrat. Ëndrrat tona flenë nën sqetullën e një kalit të hazdisur… (Këtu autori aludon për masat e drejta që mori Pushteti Popullor për shtetëzimin e kafshëve shtëpiake). A e ke pa një pelë m’at anë. Me të vëllanë. Ha, ha, ha, (qesh)”. Këtu protagonisti i poemës merr vesh vdekjen e të dashurës… dhe pëson krizë. Ky është thelbi i stilit tallës e ironik i Lekës. Po gjatë këtyre pesëdhjetë viteve Leka ka shkruar dhjetëra drama, radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka regjistruar në radio… Tradicionale. Po këtë radhë ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Në stilin që e kishte brenda vetes po e kishte harruar(!) rrugës. Libri që unë e lexova në printshkrim më befasoi. Është një libër me një fantazi të çmendur që shkon deri në absurd. Testamentshkruesi me emrin Luftar apo Tar për shkurt, i ka humb kontaktet me botën reale, fantazia e tij është e pazakontë, groteske, madhështore, absurde, idioteske… “Shpesh një të panjohur, i cili nuk ka asnjë mëritë, vetëvrasja e bën të njohur, madje të famshëm. Një plak rreth të tetëdhjetave u gjet i varur në kuzhinën e apartamentit. Poshtë fanellës së leshtë kishte fshehur ‘Testamentin’ e shkruar me laps kopjativ, në faqet e të cilit është i fshehur edhe misteri i vetëvrasjes”. M’u kujtua Don Kishoti. M’u kujtua edhe Baroni Mulchausen. Dhe e bukura është se të gjithë të çmendurit e Luftarit apo Tarit janë të besueshëm, rrjedhin natyrshëm paçka se janë idioteskë e të çmendur. Ironi dhe sarkazëm ka nga kreu e deri në fund. Është një libër i veçantë nga ana stilistike, ndryshe çfarë jemi mësuar të lexojmë. Kur e lexon të vjen të qeshësh me budallallëqet e Luftëtarit, po nganjëherë edhe të dhimbset, gjynah i shkreti si është katandisë… Ej, Rikard-o, paske rrjedh, paske lajthitë… e ke shok prandaj shkruan kështu. Ç’punë ka Leka Bungo me Don Kishotin, me Baronin Munchausen? Ë? Sikur nuk e dimë se sa i vlen lëkura Lekës! Mendoj se mbasi të lexoni librin “Testamenti”, mund të ndërroni mendim. Ka shumë mundësi të mendoni si unë. Ose mos të leni gjë pa sharë meqë e paska shkruar njëfarë Leke dhe e lëvdoka ky i rrjedhuri.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.