Egla Xhemali – Ditët kur ‘Instagram’-i bëhet më i bukur janë pikërisht kur personazhet e njohur postojnë foto me të vegjlit e tyre dhe zakonisht kjo ndodh gjatë festive të ndryshme, por sidomos në ditën e parë të kopshtit/shkollës. Dje më 16 shtator nis një vit i ri shkollor dhe nuk janë të paktë vogëlushët që pas pushimeve i janë rikthyer bankave apo edhe më bukur, për ata që e kanë emocionin më të veçantë sepse bëhen pjesë e rrugëtimit të dijes për herë të parë. Dedikimet e prindërve VIP janë njëra më e bukur se tjetra dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe teksa bashkë me të vegjlit e tyre kanë pozuar përbri shkollave dhe kopshteve, të buzëqeshur por edhe të përlotur. Më poshtë do t’ju tregojmë disa prej tyre:
Hueyda El Saed shkruan: Dita e parë e shkollës! Gabrieli është i gëzuar, ndërsa mua më kapi një ankth saqë kur u fut në klasë rrija si statujë dhe e shihja. Në një moment u hutova aq shumë sa u futa në klasën e tij dhe e pyeta “Gabrieli ku e le çantën?” Ndërkohë që çantën e tij e kisha unë në dorë.. (qesh)Koha kalon aq shpejt saqë unë e kuptoj këtë, teksa shoh Gabrielin të rritet e të më thotë “Mami mjaft më puthe!”
Blerina (bashkëshortja e të ndjerit Doktor Flori)
“Kaltrina në shkollë e Dani në kopsht. Vit të mbarë e suksese kalamaja!”- ka shkruar Blerina. Në foto duket vajza bukuroshe mjaft e qeshur teksa rrok në një përqafim të ngrohtë të vëllain Danielin.
Blendi Salaj, gjithashtu, ka postur në llogarinë e tij në ‘Instagram’ një foto me të birin, Brian, ku duken mjaft optimist për këtë vit shkollor. “Dita e parë e klasës së tretë dhe dritë e diturisë…”- shkruan gazetari bashkëngjitur fotos.
Urimeve për vitin shkollor nuk mund t’u mungonte as Fiori Dardha, që ka shoqëruar djalin, Abel në ditën e parë të shkollës ” Në ditën e parë të shkollë me nënën, mamin, se babi nuk gjeti vend ku të parkonte dhe priti në makinë. Qoftë një vit i mbarë shkollor! Nxënësve u dhëntë durim!”- shkruan Dardha në urimin e saj.
Jonida Aliçkolli uron po ashtu për vitin e ri shkollor. ” Mia sot filloi parashkollorin. E di është në të njëjtin kopsht, është e njëjta derë që e përcjellim që kur ishte 2 vjeçe, por kjo nuk më pengoi të përlotem. Keq e kam punën me emocionet. Nënat më kuptojnë shumë mirë se ç’dua të them! Të dua shumë Miushe! Suksese në çdo hap e zgjedhje që do bësh në jetë!”
Ingrit Gjoni ka uruar në një formë të veçantë këtë fillim të vitit shkollor. Ajo e ka shoqëruar të birin për te klasa e ndërkohë e ka fokusuar mirë këtë moment për ta pasur kujtim e për ta ndarë në llogarinë e saj të ‘Instagrami’-t me fansat e saj. I biri duket mjaft i lumtur, teksa ecën drejt klasës.
Me lule në duar dhe të buzëqeshura. Kështu ka nisur dita për dy vajzat e Ermira Caushollit. Gazetarja ka një urim të veçantë për të bijat. “Filloi shkolla. Dianai në klasë të parë e Luna në klasë të nëntë. Suksese zemrat e mia! Mos harroni, dituria është pasuria më e madhe!”
Ardit Gjebrea përmes një forme mjaft të bukur ka uruar fillimin e vitit shkollor. Moderatori ka postuar foton e Anës dhe falënderimin e saj për prindërit. “Shumë faleminderit që më shoqëruat sot në shkollë. Ju dua shumë!”
Edhe vajza bukuroshe e Sokol Ballës ka marrë një urim të veçantë nga i ati për fillimin e vitit shkollor. Balla shkruan: “Dikush shkoi në shkollë sot dhe e zbukuroi atë më shumë se lulet”.