EKONOMI

Ndryshon projektbuxheti 2020/ Do të financohet rindërtimi i shtëpive të shkatërruara nga tërmeti

11:05 - 03.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Buxheti 2019 dhe projektbuxheti 2020 do të rishikohen për të marrë përsipër faturën e lartë të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, me qëllim rindërtimin e banesave të shembura dhe të dëmtuara rëndë në zonat e prekura. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha dje në Komisionin e Ekonomisë se pjesa kryesore e parave për ndërtimin e banesave do të vijnë nga shkurtimi i investimeve publike, por qeveria do të vërë gërshërë edhe mbi shpenzimet korrente. “Kemi identifikuar disa projekte të cilat mund të shtyhen me një vit për të krijuar hapësirë që të financojmë programin e rindërtimit”,-tha Denaj. Buxheti i vitit të ardhshëm do të mbajë koston më të madhe të rindërtimit. Por një pjesë e shpenzimeve emergjente do të përballohen nga buxheti i këtij viti, i cili do të ndryshohet me akt normativ. “Kemi identifikuar shkollat e dëmtuara që do të kenë prioritet absolut muajin e ardhshëm. Ndërsa për banesat po shikohet zgjidhja e qerasë siç e përdorim në shpronësimet. Pra banorët të strehohen me qira. Do shohim sa hapësira kemi këtë vit dhe do vendosim me komisionin e ekonomisë”. Fatura e dëmeve të tërmetit ende nuk është vlerësuar plotësisht, rrjedhimisht qeveria ende nuk ka marrë vendim se sa do të jetë pjesa që do të financoje buxheti i shtetit. “Në buxhetin 2020 do ta kalojmë në parim, por ai do të ndryshohet nen për nen, sepse po e them zyrtarisht kryeministri ka vendosur që të përfshijë fondin e rindërtimit në buxhet. Pasi ky fond të jetë përcaktuar atëherë buxheti do të ndryshohet gjatë diskutimeve nen për nen”,-tha Ahmetaj.




Komisioni
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi projektligjin para deputetëve të komisionit, i cili sjell një sërë risish për bërjen e biznesit në vend dhe avancon proceset operacionale të biznesit dhe administratës tatimore. Denaj tha se, sipas vlerësimeve të ekspertëve fiskalë, zbatimi i plotë i projektit të Fiskalizimit do të sigurojë një rritje të të ardhurave nga TVSH me rreth 20-30 % krahasuar me TVSH-në e brendshme që arkëtohet aktualisht. Në terma sasiorë, të ardhurat pritet të rriten rreth 10 miliard lekë ose me rreth +0,5 – 0,6 % të PBB-së. Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm 3-4 vjeçarë të implementimit të plotë të Projektit të Fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH të arrijnë mbi 9,2 % e PBB-së.

Fiskalizimi
Ministrja Denaj informoi se procesi i Fiskalizimit do të realizohet në disa faza, ku faza e parë prek transaksionet me para në dorë Biznes-Konsumator dhe parashikohet të nisë zbatimin në datën 1 korrik 2020. “Duke qenë se operatorët e përfshirë në këtë fazë do të jenë rreth 80 mijë biznese të cilët do të kalojnë nga sistemi aktual i kasave te projekti i fiskalizimit, u gjykua se një periudhë tranzitore prej 6 muaj do të ishte më se e mjaftueshme për të lehtësuar tranzicionin. Për këtë arsye nga 1 janar 2020 deri në fund Qershori 2020, bizneset do të kenë mundësi të përdorin njërin nga sistemet. Prej datës 1 korrik 2020, të gjithë bizneset detyrimisht duhet të zbatojnë ligjin e fiskalizimit dhe dispozitat e tij”, sqaroi j. Denaj. Faza e dytë e Fiskalizimit prek transaksionet pa para në dorë biznes – qeveri dhe do të fillojë nga data 1 janar 2021; Faza e tretë prek transaksionet pa para në dore biznes -biznes dhe do të fillojë të zbatohet nga data 1 korrik 2021, ku monitorimi i pagesave të këtyre transaksioneve do të realizohet nëpërmjet sistemit bankar; Faza e katërt përfshin ngritjen e regjistrit të aseteve të biznesit dhe do të fillojë zbatimin gjatë vitit 2020.
Rivlerësim banesash
në 2020-ën
Të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që nga 1 janari, të rivlerësojnë banesën e tyre me një vlerë tatimore prej 2 për qind, të diferencës midis çmimit të blerjes dhe atij të shitjes, nga 15 për qind që është aktualisht. Amendamenti i kryetarit të komisionit të Ekonomisë dhe Financave, është bërë zyrtar dhe amnistia do të zgjasë deri në shtator 2020. Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave u diskutua dhe për projektin e fiskalizmit, ku mazhoranca dhe opozita shprehën një sërë rezervash dhe propozuan ndryshime, duke vënë theksin tek kostot. Komisioni miratoi në parim buxhetin dhe paketa fiskale 2020, të cilat do të kalojnë në seancë plenare më 5 dhjetor, për t’iu nënshtruar më tej diskutimeve nen për nen.

Shembulli 1.
Blerësi blen një kartë dhuratë në një dyqan, të cilin më pas ia jep një personi tjetër si dhuratë. Personi i fundit sjell kartën e dhuratës në dyqanin e shitësit dhe blen artikuj në vlerën e shkruar në kartën e dhuratës dhe në vend që ta paguajë me para ose me kartë krediti, e paguan me kartën e dhuratës. Shitësi në këto raste duhet të lëshojë dhe fiskalizojë dy fatura: e para kur është shitur karta e dhuratës, dhe e dyta kur karta e dhuratës është shkëmbyer për mallra ose shërbime (në këtë të fundit është e detyrueshme të shkruhet në faturë që metoda e pagesës është tollon (tollon me një qëllim (me qëllim të përcaktuar)). Vetëm fatura e parë do të merret në konsideratë për llogaritjen e tatimeve dhe automatikisht do të ruhet në librin e shitjeve të shitësit (dhe në librin e blerjeve të blerësit nëse blerësi është person i tatueshëm).

Shembulli 2.
Një tatimpagues që ka një bar organizon një koncert në ambientet e barit dhe shet bileta, të cilat përfshijnë 2 pije që mund të merren në bar. Nëse të gjitha pijet që mund të merren në bar shiten me të njëjtin çmim dhe aplikohet e njëjta normë e TVSH-së, ky mund të konsiderohet si një tollon për vetëm një qëllim (me qëllim të përcaktuar). Fatura lëshohet në momentin kur shitet bileta, dhe në përshkrimin për mallrat duhet të shënohet: hyrje për koncert dhe tollon për 2 pije. TVSH-ja tarifohet në shumën e marrë nga shitësi i biletës. Kur klienti merr 2 pijet në bar, atëherë lëshohet një faturë dhe për mënyrën e pagesave ajo deklarohet: tollon NJQ. Kjo faturë e fundit do të fiskalizohet edhe në momentin e lëshimit, megjithatë shuma nuk do të merret parasysh për llogaritjen e tatimeve, sepse vetëm shuma nga fatura e parë do të merret në konsideratë. Nëse niveli i TVSH-së është i ndryshëm për pijet dhe për hyrjen në koncert, atëherë në faturë duhet të tregohet qartë shuma e tatueshme e pijeve dhe biletave për koncertin.

Procesi i fiskalizimit

1.Rikonceptim të pajisjeve fiskale, duke kaluar nga pajisjet “hard” në “software”;
2.Raportim në kohë reale të transaksioneve të çdo tatimpaguesi nga raportimi ditor, që bëhet aktualisht;
3. Raportim në administratën tatimore të të gjithë importeve nëpërmjet faturës, duke mundësuar kështu monitorimin në kohë reale të gjithë zinxhirit të tregtimit të produkteve;
4.Hapja e tregut të shoqërive të IT që ofrojnë fiskalizimin e faturave;
5.Certifikimi i tyre nuk do të jetë i limituar në kohë, por pa afat. Konkurrenca mes kompanive të IT në treg pritet të sjellë edhe kosto më të ulëta për projektin e fiskalizimit.
6.Inventarizimi i mallrave dhe aseteve të çdo biznesi, sipërfaqja e vendit të ushtrimit të biznesit, lloji i pronësisë apo qiradhënies, numri i punonjësve, monitorimi i kohës së aktivitetit shitës, kontratat me kompanitë e internetit;
7.Të dhëna mbi transaksionet, llojet e kontratave, mënyra e pagesave, monedha e pagesës, data e pagesës, etj;
8.Parambushje nga sistemi i dokumenteve tatimore të tilla si: libri i blerjes/ shitjes së TVSH, deklaratat e TVSH;
9.Evidentimi ditor i gjendjes së arkës së çdo biznesi;
10.Me qëllim uljen e kostove të tatimguesve, për kategori biznesi, të cilat do të caktohen nga Këshilli i Ministrave, është përcaktuar fiskalizimi i faturave te tyre nëpërmjet një portali të veçantë të ofruar falas.
11.Duke qenë se sektori hidrokarbur ka specifika të transaksioneve me konsumatorin final/bizneset, është caktuar që skema e monitorimit të qarkullimit të tyre të përcaktohet me një VKM të veçantë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.