Sociale

Nënshtetësia greke, ndryshon kompetenca e firmosjes së vendimit

12:41 - 13.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Vendimi për dhënien e nënshtetësisë greke për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që kanë aplikuar do të varet nga firma e sekretarit të përgjithshëm të ministrit të Brendshëm grek. Pasi erdhi në pushtet, ministri i ri i Brendshëm shfuqizoi urdhrin e qeverisë së mëparshme, që ua linte periferive firmosjen e vendimit për dhënien e nënshtetësisë. Me qeverinë e re, këtë të drejtë e ka vetëm ministri. Ky lajm shkaktoi pakënaqësi dhe pezmatim në radhët e aplikantëve që kishin më shumë se 5-6 vjet që prisnin të merrnin nënshtetësinë greke. Në tetor, ministri e rishikoi vendimin dhe ua ktheu të drejtën periferive, për një pjesë të konsiderueshme të rasteve. Por tani, me një urdhër të ri, ministri e “delegon” të drejtën e firmës edhe te sekretari i përgjithshëm për nënshtetësinë, që është një instancë e cila varet direkt nga ministri i Brendshëm. “Në urdhrin që ministri Panajotis Theodorakakoks ka nënshkruar në mesin e nëntorit dhe që u publikua me një muaj vonesë, thuhet ndër të tjera: Sekretarit të përgjithshëm të nënshtetësisë në Ministrinë e Brendshme i delegohet e drejta e nënshkrimit ‘Me urdhër të ministrit’, për vendimet e mëposhtme dhe aktet që përfshihen në kompetencat e tij: Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të shtetasve të huaj alogjenë; vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të shtetasve të huaj homogjenë, që banojnë jashtë Greqisë; vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të shtetasve të homogjenëve nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik që banojnë në Greqi; vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të homogjenëve që banojnë në Greqi dhe nuk kanë kartë homogjeni; Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave që janë adresuar për në Këshillin e Nënshtetësisë (Symvulio Ithagenias)”, – bën me dije ndërmjetësi ndërkulturor, Fatos Malaj.




Dhënia e nënshtetësisë
Sipas të dhënave të fundit, në 2018-ën morën nënshtetësinë greke 28.410 persona. “Nga këta: politografisi homogjenësh janë 2747; politografisi alogjenësh janë 2530; lindje/arsimim në Greqi janë 21559 persona, në procesin e njohjes së origjinës greke evidentohen 883 veta; fëmijë të përfituesve nga politografisi konfirmohen 501; ndërsa politografisi homogjenësh nga ish-BS evidentohen 190 persona.

Azilkërkimi
Ndërkohë, viti i ri ka hyrë me një lajm të keq për azilkërkuesit nga Shqipëria që ndodhen në Greqi. Qeveria greke e ka përfshirë Shqipërinë në listën e 12 vendeve të sigurta. Kjo do të thotë se aplikimet e shtetasve shqiptarë do të refuzohen dhe ata do të urdhërohen të largohen nga Greqia. Vendimi për listën e vendeve të sigurta është firmosur nga ministri i mbrojtjes së qytetarit, Mihalis Hrisohoidis dhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias dhe është publikuar në numrin e fundit të Fletores Zyrtare. Vendimi është marrë mbi bazën e udhëzimit 2013/32 të Komisionit Europian, sipas të cilit lejohen vendet anëtare të BE-së që të zbatojnë rregulla të posaçme procedurale, në rast se aplikanti është shtetas i një vendi që është cilësuar si “vend i sigurt”. Sipas vendimit, 12 vendet që janë cilësuar si të sigurta janë: Gana, Senegali, Togo, Gambia, Maroku, Algjeria, Tunizia, Shqipëria, Gjeorgjia, Ukraina, India dhe Armenia. Sipas ligjit për azilin të miratuar “Si vende të sigurta cilësohen ato vende që: a. Përfshihen në listën unike të Këshillit të bashkimit Europian. b. Vendet që përfshihen në listat kombëtare të vendeve të origjinës. Një vend mund të cilësohet si i sigurt origjine nëse, në bazë të situatës juridike të zbatimit të së drejtës në kuadër të sistemit demokratik dëshmohet qartë se përgjithësisht dhe në mënyrë të përhershme personi nuk përndiqet për bindjet e tij, nuk u nënshtrohet torturave dhe trajtimit apo ndëshkimit diskriminues dhe as rrezikohet nga përdorimi arbitrar i dhunës në situata konfliktesh të armatosura ndërkombëtare apo të brendshme”, – thuhet në ligjin e miratuar për azilin. Ligji i ri parashikon gjithashtu që kërkesa për azil e aplikantit që vjen nga një vend i sigurt shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Por edhe pa përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, numri i shtetasve shqiptarë që kanë përfituar azil në Greqi ka qenë jashtëzakonisht i vogël. Vetëm 0,2% e aplikimeve kanë marrë përgjigje pozitive, pra u është dhënë azil. Shqiptarët kryesojnë listën me refuzimet më të mëdha dhe pasojnë shtetasit nga Pakistani dhe Bangladeshi. Në anën tjetër, 99,6% e shtetasve nga Siria që kanë aplikuar kanë marrë azil dhe pas tyre vijojnë shtetasit nga Jemeni (99,3%), Palestina (97,9%), e me radhë. Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2019, paraqitën kërkesë për azil në Greqi 1996 shtetas shqiptarë.

Nënshtetësia dhe vendimi i ri

Në 2018, nënshtetësi greke për 28410 persona, nga këta:
Politografisi homogjenësh – 2.747
Politografisi alogjenësh – 2.530
Lindje/arsimim në Greqi – 21.559
Me procesin e njohjes së origjinës greke – 883
Fëmijë të përfituesve nga politografisi – 501
Politografisi homogjenësh nga ish-BS -190.
Vendimet dhe aktet që përfshihen në kompetencat e sekretarit të përgjithshëm të nënshtetësisë në Ministrinë e Brendshme:
1. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (politografisi) të shtetasve të huaj alogjenë.
2. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (politografisi) të shtetasve të huaj homogjenë, që banojnë jashtë Greqisë.
3. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (politografisi) të shtetasve të homogjenëve nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik, që banojnë në Greqi.
4. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (politografisi) të homogjenëve që banojnë në Greqi dhe nuk kanë kartë homogjeni.
5. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave që janë adresuar për në Këshillin e Nënshtetësisë (Symvulio Ithagenias).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.