Kryesore

Ndryshon mënyra e aplikimit për ndihmë ekonomike, ministrja: Procedurë online

13:00 - 16.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Aplikimi për ndihmën ekonomike do të kryhet online, në një kohë që në të dy sektorët e shëndetësisë dhe atë të mbrojtjes sociale janë 41 dokumente, të cilat qytetarët mund t’i aksesojnë në mënyrë elektronike. Ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social në Berat, se në këtë mënyrë qytetarëve nuk do t’u duhet të sjellin një sërë dokumentesh për aplikim, por vetëm ID-në. “Nuk janë vetëm shërbimet shëndetësore, janë, gjithashtu, dhe shërbimet sociale ku ne po bëjmë një përparim për sa i përket shërbimeve online. Me shërbimet sociale dhe nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike ne kemi arritur të zhvillojmë një program elektronik ku qytetarët nuk kanë më nevojë të sjellin dokumente pa fund, por vetëm me kartë identiteti aplikojnë për ndihmën ekonomike në zyrat vendore, të cilat i verifikojnë të gjithë dokumentet e tjera online. Me revolucionin digjital qytetarët mund ta aksesojnë vetë nëpërmjet e-Albania statusin e tyre, nëse janë përfitues ose jo të ndihmës ekonomike”,-tha Manastirliu. Vetëm nëpërmjet kartës së identifikimit ata aplikojnë, dhe nëpërmjet formularit që realizohet në zyrat e shërbimit social shtetëror ata aplikojmë për t’u bërë ose jo përfitues në bazë të kritereve të programit të asistencës apo të ndihmës ekonomike”,-tha Manastirliu.




Vërtetimet online
Zgjerimi i shërbimeve online do të vijojë më tej me vërtetimin e ndihmës ekonomike me nënshkrim elektronik. “Ajo çfarë vjen si risi nga data 1 janar është identifikimi nëpërmjet portalit e-Albania i statusit nëse je përfitues ose jo i ndihmës ekonomike. Vetë çdo person apo familjar që kërkon informacion, mund të aksesojë nëpërmjet portalit e-Albania statusin e tij por ajo çka është më e rëndësishme është që duke u zgjeruar me shërbimet online, ky vërtetim do të jetë edhe me nënshkrim elektronik, pra do të mund të tërhiqet si vërtetim i vlefshëm online për shërbime të tjera, si për bursën për fëmijët në universitet apo librat falas, etj.”,-bëri me dije ministrja. Janë 75 shërbime të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që do të ofrohen online brenda vitit 2020. Nga data 1 janar, 41 shërbime ofrohen online për qytetarët.

Kriteret për ndihmën ekonomike
Shtetasit shqiptarë që plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e kërkuar, kanë të drejtën e përfitimit të ndihmës ekonomike. Respektivisht këtë ndihmë do ta përfitojnë: familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme; jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore; prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë; viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre; si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore. “Ndihma ekonomike për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë për një periudhë jo më shumë se 5 (pesë) vjet. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike nuk aplikohet për: a) familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune; b) familjet me kryefamiljare gra, me të paktën një fëmijë që ndjek arsimin bazë”,-theksohet në vendim.

Rastet e përjashtuara nga ndihma ekonomike:

Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtëmujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
b) Nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda afateve të përcaktuara, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme;
c) Refuzon verifikimin e situatës socialekonomike në familje;
ç) Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë;
d) Nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës socialekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi, dhe të anëtarëve të familjes, të cilët janë persona me aftësi të kufizuara, invalidë pune ose të moshuar, të cilët janë në pamundësi lëvizjeje;
dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike;
e) Kanë anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve të familjeve që zotërojnë tokë bujqësore në pronësi/përdorim dhe banojnë në fshat;
ë) Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.
Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë njëvjeçare familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës;
b) Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit;
c) Ka kryer më shumë se një deklarim të rremë;
ç) Ato familje, të cilat rezultojnë me të ardhura dhe kushte të mira social-ekonomike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.