BLUETOOTH

Atalanta Kërçyku rikthehet nga “Miss World”: Shqipëria që njihnin anglezët nuk ishte ajo e krimit

12:00 - 18.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Enida Himaj – Atalanta Kërçyku është vajza që këtë vit përfaqësoi Shqipërinë në “Miss World”. Pas kësaj eksperience, bukuroshja zbulon detaje nga përfaqësimi i saj në Londër për suplementin “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”. Veç pamjes, Atalanta ka çuar një copëz kulture shqiptare në Angli. Duke folur për botën e të bukurës dhe spektaklet, ajo shprehet se tashmë nuk kanë rëndësinë që dikur kishin. Një mashkull në jetën e saj? Mes modelingut dhe arkitekturës, vështirë se mund të dal një djalë për t’i fituar zemrën.




Atalanta Kërçyku rikthehet nga “Miss World”, si do ta përshkruanit këtë eksperiencë?
Një ndër eksperiencat më të bukura të jetës. Të jesh një ndër vajzat që ka prezantuar Shqipërinë në misin më të vjetër që ekziston, “Miss World” është vërtetë një arritje personale dhe profesionale. Një vajzë që mbart peshën e një kombi ndër sytë e gjithë botës. Isha mësuar me kompeticione bukurie, në Shqipëri, por edhe në pasarelat ndërkombëtare. Mund të them që asgjë nuk ka të krahasuar me “Miss World”, për nga rëndësia, por edhe për nga pesha që ky spektakël mban. Nuk ka fjalë të duhura për të shprehur atë emocion.

Pse u përzgjodhët ju dhe si u pritët në Londër?
Përzgjedhja u bë falë kritereve që tashmë kanë vite që aplikohen në “Miss World”. Ndër vajzat që konkurruan shikohej gjatësia, pesha, përmasat trupore dhe bukuria, por mbi të gjitha arritjet personale në fushën e të bukurës, konkurset e tjera ku ke marrë pjesë, arritjet dhe vlerësimet personale. Nuk mund të marrësh një vajzë sado e bukur të jetë e ta dërgosh në misin më të madh në botë nëse ajo nuk ka një të shkuar arritjesh në sferat e bukurisë. Eksperienca përbën një avantazh atje, pasi edhe vajzat e tjera janë në CV shumë të arrira.

Sa e njihnin anglezët, por edhe vajzat e tjera pjesëmarrëse Shqipërinë?
Shqipëria gjithmonë ka dërguar vajzat më të mira që ka, për të pasur një përfaqësim dinjitoz. Organizatorët më pritën me fjalinë e parë: “S’kishte sesi Shqipëria të dërgonte më pak sesa më të mirën e tyre”. E njihnin të gjithë dhe vazhdimisht më tregonin histori me miq shqiptarë ose sesa donin të vizitonin Tiranën. Më bëri mjaft përshtypje se Shqipëria që njihnin anglezët nuk ishte ajo që shpesh pasqyrohet në media, me histori krimi. Njihnin vendin e vogël në Ballkan me klimë të mrekullueshme dhe njerëz mikpritës. Nuk kishe sesi të mos ndjeheshe krenare kur dëgjoje këto për vendin tënd.

73413150_10215844864056873_7794630489867812864_n f4f7ebc8-5404-45d6-9b9c-b6712c6a0088 3659780d-5115-4632-8333-d3c1f45ff365 5bd4eb9f-8c29-4da2-b5c9-f105a9bfef41 08bb7298-6cac-451a-a50f-6b498065066d
<
>

Si e prezantoi Atalanta vendin tonë?
Në atë vend nuk ishte Atalanta, aty thërrisnin Albania. Ishim 120 vajza dhe emrat dolën në plan të dytë pasi thërriteshim nga shteti që përfaqësonim. Peshë e madhe! Por edhe krenari, krenari sepse këtë vit Shqipëria u përfaqësua nga një vajzë, e cila veç karrierës në fushën e spektakleve, ka edhe dy universitete, 4 gjuhë të huaja dhe 5 kurora kombëtare dhe ndërkombëtare. Kuriozëve i flisja më shumë për traditat tona, për vendin që dita-ditës ndryshon, rriten, por edhe rinohet.

Rikthehemi te kompeticioni, si ishte organizimi, rregullat?
Mund të them se kam bërë një “miniushtri” (qesh). Rregullat ishin strikte, mbikëqyreshim nga ‘team lidera’ e çdo veprim kalonte tek ato më parë. Nuk mund të dilnim kurrsesi jashtë programit e as të takonim askënd pa leje. Largimi nga hoteli as nuk diskutohej dhe me vajzat e tjera duhet të mos kishim asnjë mosmarrëveshje. Axhenda e misit ishte shumë e ngjeshur, çdo ditë duhet të ishim gati të rregulluara, të ngrëna e në pritje të nisjes në 7 të mëngjesit. Kudo paparacë e foto, ndaj paraqitja jonë duhet të ishte e kuruar deri në detaj. Kthimi në hotel gjithmonë pas orës 10 në mbrëmje. Besoj se ishte një kulturë ndër vite që ky kompeticion ka, kulturë që i bën mirë një vajze që aspiron të qëndrojë gjatë në këtë industri.

Mendoni se mund të kishit arritur dhe një pozicion më të lartë?
“Miss World” është një garë që ka një formulë që aplikohet, si çdo spektakël tjetër. Mund të them që dërgova aty një CV të pasur, një botë që nuk ndalet veç tek e bukura, dhashë maksimumin tim. Unë isha e vetëdijshme se sa ishte maksimumi i arritjes. Dhe besoj se ia dola. Të radhitesh e 42-ta ndër 120 mise botërore, të kalosh gjysmëfinalen është një arritje dhe pozicionim si kurrë më parë për ne në “Miss World”. Për këtë jam krenare. Normalisht që mendoja se meritoja më shumë sidomos kur pashë finalen, por shumica e votimeve ishte “online” dhe këtu ne nuk shquhemi për ndonjë përpjekje të madhe si shtet. Shumicën e votave e pata nga të huajt, që kishin të drejtën e një vote e nuk ia dhanë shtetit të tyre, por mua. Ndaj ndjehem e vlerësuar. Po të ishte pa votime e pa ndarje gjeopolitike do të isha shumë më lartë.

Përveç pamjes, çfarë çoi tjetër Atalanta në “Miss World”?
Miset nuk janë modele, ndaj ato duhet të kenë më shumë sesa pamje. “Peace in the World” nuk mjafton më në një kompeticion bukurie. Sot femrat vlerësohen edhe për intelektin e tyre, për shkollimin dhe karrierën që kanë zgjedhur larg botës së bukurisë. Isha ndër të paktat vajza që flisja 4 gjuhë të huaja, zotëroja dy universitete (Arkitekturë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare). Veç kësaj, kam respektuar gjithnjë konkurrentet e tjera, por edhe rregullat. Besoj se veç pamjes dhe parakalimit në pasarelë, çova edhe frymën e rinisë shqiptare.

Mendoni që kompeticionet e bukurisë e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm, nëse po, pse?
Normalisht që po. Kjo gjë ka ndodhur për disa arsye ndër të cilat listoj faktin se njerëzit janë të lodhur me vajza jo të denja që në përfaqësim dhe kjo ka bërë të bie interesi. Gjithashtu, edhe sepse dikur miset konsideroheshin si spektakle mbi të gjitha, e tanimë ka shumë të tillë nëpër ekrane apo evente. Para shumë vitesh, miset shërbenin si pika e parë e karrierës, ku më pas femrat, ato më të përgatiturat kalonin në fushat e tjera të televizionit. Ndërsa sot kalon në ekran vetëm nga “followrs”-at në “Instagram”, kanë ndryshuar “rregullat e lojës”. Ti hap ekranet dhe sheh vajza në studio që nuk njohin të ftuarit, nuk njohin temat, vijnë krejt rastësisht në televizion, madje dhe me probleme në artikulim. Ndërkaq, disa nga miset e para që janë ende në ekran, ende shkëlqejnë nën dritat e prozhektorëve.

Për çfarë do t’ju shërbejë kjo eksperiencë?
U bë shumë vite në pasarelë, ndaj mendoj që “Miss World” do të ishte mbyllja më e mirë e siparit me këtë botë, që duhet thënë më ka joshur herët. Gjithnjë e kam ditur që do të ishte vetëm një eveniment i madh që do të më ndante nga pasarela. Besoj se tanimë jam gati që të përvetësohem në fusha të tjera. Nga ana tjetër më vjen mirë që do të listohem si një nga shqiptaret që ka bërë të duartrokitet kur përmendet Albania. Më vjen mirë që bëra botën të flasë për Shqipërinë.

Tashmë që jeni rikthyer, si vazhdon jeta juaj, karriera, keni marrë oferta?
Gjithçka vazhdon krejt normalisht. Kjo periudha pas rikthimit ka qenë disi e zënë me intervista dhe dalje publike. Vijoj punën si modele, por edhe si arkitekte, duke qenë se ai është profesioni im. Nuk mund të them që kam marrë oferta nga ato të pa imagjinueshmet, pasi tregun të gjithë e njohim dhe hapësirat gjithashtu. Natyrisht që ftesa ka pasur, por jam ende duke i konsideruar.

Një vajzë e re, tashmë e famshme ndërkombëtarisht, kush jua ka rrëmbyer zemrën?
Ofertat shtohen ndërkombëtarisht (qesh). Por ende askush konkretisht. Sa më shumë rritesh profesionalisht, aq më e vështirë bëhet të gjesh dikë që i përshtatet vizionit apo idesë që ti ke për një lidhje. Megjithatë, sapo të kemi të reja, besoj do t’i bëj dhe publike, pasi nuk klasifikohem tek ato njerëz që jetën private e kam të shenjtë dhe nuk dua që publiku ta marrë vesh se prishet magjia. (Qesh)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.