Sociale

“Luarasi” nënshkruan marrëveshjen me Singidunum University të Serbisë

11:45 - 18.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në kuadër të partneritetit me universitetet më të mëdha prestigjioze në rajon, Europë e më gjerë, “Luarasi” ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Singidunum University në Serbi. Stafi akademik ka pritur në ambientet e “Luarasit” delegacionin serb ku është diskutuar mbi mundësitë e shumta të bashkëpunimit në fushën e arsimit e kërkimit shkencor. Presidenti i Singidunum University, Milovan Stanisiç i shoqëruar nga zv rektori i universitetit, Nemanja Stanisiç si dhe sekretari i përgjithshëm i Zyrës Rajonale të të Rinjve për Ballkanin Perëndimor, Duro Blanusa kanë prezantuar programet e studimit dhe opsionet e shkëmbimit akademik e studentor. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Serbisë në Shqipëri, Miroljub Zariç, i cili së bashku me ambasador Dashnor Dervishin, në cilësinë e kreut të Bordit të Luarasi krijuan mundësinë e bashkëpunimit mes universiteteve.




Marrëveshja
Rektori i “Luarasi”, prof. dr. Ethem Ruka tha se marrëveshja është me interes për të dyja palët. “Desha të theksoj që universiteti “Luarasi” nuk është një entitet më vete, por është pjesë e një grupi, “Hysenbelliu group”. E vetmja mënyrë për ta rritur universitetin është vetëm cilësia. Ajo që është më e rëndësishme për ne është se universiteti ynë është shumë i besueshëm për publikun, ashtu siç është edhe universiteti juaj. Mendoj që kjo marrëveshje është me interes dhe do të dëshiroja të mos mbetej thjesht në letër, por një marrëveshje që të dy palët t’i japim jetë”,-nënvizoi Ruka në fjalën e tij.

Image1(5) Image12(1) Image16(1) Image18
<
>

Kërkimi shkencor
Presidenti i Singidunum University, Milovan Stanisic theksoi se kërkimi shkencor do të jetë hapi i parë konkret i këtij bashkëpunimi.
“Mendojmë të fillojmë me bashkëpunimin me universitetin “Luarasi” mbi kërkimin shkencor, projektet shkencore dhe mundësinë për të vijuar më tej në fusha të tjera. Ne erdhëm këtu si miq me qëllimin për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e arsimit. Ky është hapi i parë i bashkëpunimit dhe shpresojmë e besojmë se do të jetë frytdhënës në të ardhmen dhe shpresojmë të zhvillojmë programet e shkëmbimit të studentëve dhe të profesorëve”,-tha Stanisic. Më tej ky i fundit e vlerësoi stafin akademik të Luarasi si tejet profesional dhe shprehu kënaqësinë e shkëmbimit të eksperiencave mes universiteteve. “Jemi të impresionuar nga zhvillimi i universitetit “Luarasi”. Stafi akademik është shumë profesional dhe ne shpresojmë që të shkëmbejmë eksperiencat në të dyja drejtimet për përfitime të përbashkëta për universitetet”,-theksoi presidenti i Singidunum University. Këto marrëveshje ndërkombëtare kanë si qëllim kryesor rritjen e mundësive për stafin dhe për studentët që marrin dije në këtë institucion të arsimit të lartë. Luarasi i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me universitete prestigjioze europiane e më gjerë, duke synuar kështu zgjerimin e hartës së bashkëpunimit me sa më shumë universitete.

Universiteti Singidunum
Universiteti Singidunum është një institucion i arsimit të lartë që u ofron studentëve të tij kurrikulat moderne dhe metodat e mësimdhënies që ngjajnë me ato të qendrave të njohura universitare. Qëllimi është t’i fuqizojmë të rinjtë të jenë konkurrues në treg dhe të mbajnë ritmin me tendencat bashkëkohore dhe tendencat e biznesit. Universiteti Singidunum është universiteti i parë privat i akredituar në bazë të ligjit të ri për arsimin e lartë në Serbi. Aktualisht janë rreth 12,000 studentë të regjistruar në këtë IAL. Leksionet zhvillohen brenda 16,000 m² hapësirë me cilësi të lartë të pajisur me kompjuter dhe infrastrukturë të nevojshme të internetit, audio-video dhe pajisje të tjera të klasës së fjalëve të nevojshme për një proces të efektshëm mësimi dhe mësimdhënieje. Universiteti disponon 16 amfiteatro, 20 salla leksionesh dhe 9 dhoma kompjuteri. Kurrikulat e universitetit harmonizohen me parimet e Deklaratës së Bolonjës dhe përfshijnë Sistemin Europian të Transferimit të Kredisë (ECTS). Të gjitha programet e studimit janë krijuar për të përmbushur nevojat e mjedisit modern të biznesit, me leksione që mbahen në ambiente moderne me cilësi të lartë nga mbi 300 profesorë eminentë nga vendi dhe jashtë saj. Universiteti bashkëpunon me sukses me institucione të dalluara të arsimit të lartë nga SH.B.A. dhe Evropa, si dhe me përfaqësuesit kryesorë të komunitetit të biznesit serb.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.