KULTURË

Kel Demi merr Çmimin e Letërsisë: Baba më mësoi të lexoj dhe iku…

10:17 - 23.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Shumë vite më parë në një dhomë të madhe, Enkel Demi ulej me të atin dhe lexonin veprat e mëdha të letërsisë botërore. Mes tyre edhe të ndaluarat. Nga Balzaku te Dostojevski, nga Maksim Gorki te Migjeni, Kadare e të tjerë. I rritur mes librave të një leximtari të mirë si i ati, Demi e pat nisur herët të shkruarën. Kur ia jepte të atit copat e letrës që shkruante ai qeshte pa i thënë gjë. Kujtimeve për babën ai iu rikthye dje kur
Enkel Demi mori çmimin kombëtar të letërsisë për romanin më të mirë për vitin 2018 në një ceremoni të mbajtur ndryshe nga herët e tjera. Mes tavolinave me mbulesa të zeza, karrigeve të tejkdushme, shampanjës dhe orkideve çmimet u erdhën në versionin e tyre të gjatë duke rikthyer vëmendjen tek të gjitha zhanret letrare, nga letërsia për fëmijë te romani.




Nga podiumi ku foli, Keli u kërkoi ndjesë kandidatëve të tjerë që mbase u ka marrë hakun dhe mes një shqytje për ta refuzuar çmimin ai tha se i ka hy letrave i nxitur nga koha kur ishte mëtonjës i “Nobelit”. “I çova shkrimet e mia të Zëri i Rinisë dhe kryeredaktori nuk i m’i botoi dhe kishte të drejtë. Baba më mësoi të lexoja libra. Ai i lexonte ato që shkruaja. Pastaj ai iku. Më la pa lexues. Për shumë kohë kam shkruar për një lexues të vdekur. Dhe për shumë kohë kam shkruar për të vdekurit dhe në vetmi”, tha ai si një memoriam për babën.
Ndaj sot ai tha se shkruan për Jonin dhe Hanën, për fëmijët e tij duke shtuar se “falë Zotit kam çfarë u lë kur të shkoj te baba im. Shkruaj për gruan time që kam gjetur mënyrë tjetër për ta dashur. Shkruaj për këtë gjuhë që më ka bërë të folur për romanin. Shkruaj që të më lexoni. Sot ma keni bërë zemrën mal dhe për disa kohë do jem njeri me fletë derisa të ulem para kompjuterit”.
Por Keli, ishte çmimi i madh dhe i fundit. Për çmimin romani më i mirë në skenë doli ministrja Margariti. Për qasjen që i bën historisë përmes gjuhës dhe vokacionin e personazheve për historinë e 100 viteve më parë ajo çmimin “Romanin më të mirë” të 2018-ës ia dorëzoi Tom Kukës/ Enkel Demit për “Gurët e vetmisë”.

CEREMONIA
Alda Bardhyli kryetare e jurisë e çeli ceremoninë duke folu për rritje të presionit për vlerat e leximit.
“Viti 2018 ka qenë vit i pasur për prurjet letrare. 650 vepra janë marrë në shqyrtim. Këto çmime kanë risjellë shumë emra të mëdhenj dhe mes nesh ka pasur dilema e mëdyshje. Por juritë e librit kanë pasur emra të konsoliduar që janë rikthyer dhe të rinj. Uroj që puna e kësaj jurie të ketë sa më pak kontestime”.
Ministrja e kulturës Elva Margariti e cilësoi natën e çmimeve një ngjarje të rëndësishme për gjithë lexuesit.
“Të gjithë ne që vijmë nga arte të ndryshme, peshën dhe vlerën më të madhe kalojnë nga dashuria për librin. Për kultivimin e brezit të ri për të cilën, por duam t’i frymëzojmë. Kam pritur me kureshtje emrat e kandidatëve dhe më vjen mirë që kam gjetur emra të njohur dhe emra të rinj. Kritika do ketë e do jenë të shumta por s’do na pengojë të bëjmë punë të mira. Më mirë kritika se kritika na përmirëson”, shtoi ministrja.

ÇMIME E PROBLEME
“Duke mos e lejuar romanin të gllabërojë hapësirën për letërsinë për fëmijë, ky çmim që po paraqes na vërteton që s’duhet diplomë për letërsi dhe na kujton gjyshet tona”, tha Persida Asllani, studiuese duke i dorëzuar çmimin për Vepra më e mirë për letërsinë për fëmijë fizikantes Mimoza Hafizit për romanin “Pika trëndafil”. Vetë Hafizi foli për botën e shkencës që pasqyrohet në roman dhe u ndal te zbulimet e planeteve të reja. “Më bën të lumtur zbulimi i planeteve të reja si edhe çmimi i letërsisë”.
Çmimin për tregimin më të mirë e dha Vera Bekteshi. Ajo tha se vitet e fundit merret me letërsi. “Kam kuptuar se ku çalon letërsia këto vite. Prurjet kanë edhe maja. Ka pasur në 30 vite libra shumë të mirë. Kam vënë re që në Shqipëri pothuajse është zhdukur institucioni i redaktorit. Ka një film që e cilëson redaktorin gjeni. E meta tjetër është zhdukur kritiku letrar specialist. Prej tyre del kritika dhe gjykimi me lehtësinë e papërballueshme. Kam vënë re që ka një lehtësi të papërballueshme”, shtoi ajo. Me motivacionin se sjell risi çmimi ju dha Roland Gjozës “Për vajzat nga Parisi”. Ai tha se me të ikurit jemi rrënjë pa dhe, duke qenë se jeton në Amerikë.
Në vijim pedagogia e studiuesja Dhurata Shehri anëtare e jurisë doli në skenë për ndarë çmimin e përkthimit dhe me motivacionin se ka pasur disa përkthime të arrira artistikisht, çmimi ju dha Luan Topçiut për përkthimin më të mirë për 2018-ën. Ai ka sjellë në shqip Linda Maria Baros me “Shtëpia me brisqe rroje”.
Më tej, poeti Preç Zogaj duke falënderuar Ministrinë e Kulturës që riktheu disa çmime shpalli se çmimi për poezinë më të mirë shkon për Havzi Nelën me “Vepra poetike e plotë”, që vlerëson veprën e poetit që u var. Botuesi tha se do mbahet mend që është nderuar një poet i varur, i vetmi poet i varur.
Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha në fjalën e rastit tha se shumë prej kandidatëve nuk i njeh dhe se kandidimi i tyre e bën që t’i lexojë. Ai i dorëzoi çmimin e Eseistikës botuesit të Ismail Kadaresë për veprën “Kur sunduesit grinden”.

Kandidatet

Vepra letrare për fëmijë dhe të rinj
1.Mimoza Hafizi (Fituese)
2.Skënder Hasko
3.Shkëlzen Zalli

Tregimi më i mirë
1.Daut Gumeni
2.Roland Gjoza (Fitues)
3.Faruk Myrtaj

Për përkthimin më të mirë
1.Erion Karabolli
2.Agron Tufa
3.Luan Topçiu (Fitues)

Vëllimi poetik më i mirë
1.Sabri Hamiti
2.Flutura Açka
3.Havzi Nela (Fitues)

Vepra eseistike më
e mirë e vitit
1.Mateo Mandala
2.Ismail Kadare (Fitues)
3.Arian Leka

Romani më i mirë
1.Andreas Dushi
2.Virion Graçi
3.Tom Kuka (Fitues)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.