Sociale

Si të merrni pension nga Greqia kur nuk plotësoni numrin e ensimave të përcaktuara

11:03 - 03.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin grek, kanë mundësinë të marrin një pension prej 360 eurosh në momentin që mbushin 67 vjeç dhe plotësojnë kushtet e paracaktuara në legjislacionin grek. ‘Gazeta Shqiptare’ publikon sot kriteret që duhet të plotësojnë shqiptarët që jetojnë në Greqi për të marrë këtë kompensim social nga ana e shtetit helen. “Me nenin 93 të ligjit 4387/2016 u sanksionua Kompensimi i Solidaritetit Social për të Moshuarit pa Siguracion. Në zbatim të këtij neni, që nga 12/05/2016 jepet nga OPEKA Kompensimi i Solidaritetit Social për të Moshuarit pa Siguracion, me vlerë 360 euro. Posaçërisht, sipas ligjit, Kompensimi u jepet të moshuarve pa siguracion si dhe atyre që nuk përmbushin kushtet për të marrë pension”,-theksohet në faqen zyrtare të entit të kompensimeve sociale greke, OPEKA.




Kriteret e përfitimit
Për të marrë kompensimin social prej 360 eurosh shqiptarët që jetojnë në Greqi duhet të kenë mbushur moshën 67 vjeç; nuk duhet të marrin apo të përfitojnë pension nga jashtë Greqisë apo çdo lloj asistence në Greqi, me vlerë më shumë se 360 euro. Nëse pensioni nga jashtë apo asistenca janë më pak se kompensimi prej 360 euro, atëherë përfitojnë diferencën nga zbritja e pensionit apo e kompensimit. Gjithashtu, përfituesit duhet të jetojnë ligjërisht dhe pa ndërprerje në Greqi 15 vitet e fundit para bërjes së kërkesës për kompensimin dhe vazhdojnë të jetojnë në Greqi edhe pas përfitimit të kompensimit. Një tjetër kusht është që të ardhurat personale të tatueshme nuk e kalojnë shumën 4.320 euro. Në rast se janë të martuar të ardhurat e tatueshme nuk duhet të jenë më shumë se 8.640 euro. Përjashtohen nga ky kompensim të gjithë ata që bashkëshorti apo bashkëshortja e tyre marrin pension nga çfarëdo burimi me vlerë më të madhe se 360 euro.
Pensioni kombëtar
Qindra e mijëra bashkatdhetarë që jetojnë në Greqi janë të shqetësuar se ç’do të bëhet me kontributet e tyre për sigurimet shoqërore, të cilat një pjesë e madhe i kanë paguar edhe nga xhepi i tyre. Në fakt, ka një pakicë që kanë përfituar pension, kryesisht të pjesshëm. Dhe bëhet fjalë për emigrantë me kartë jeshile, e jo homogjenë. Por aktualisht është jashtëzakonisht i madh numri i atyre që nuk arrijnë të sigurojnë minimumin e siguracioneve apo ensimat, që të munden të përfitojnë pension. “Sipas ligjit për sigurimet shoqërore, përderisa është i siguruar dhe ka 6.000 ensima, që i korrespondojnë 20 viteve punë- ose 4.500 ensima -që i korrespondojnë 15 viteve punë- do të marrë pensionin kombëtar 384 euro po të ketë 20 vjet, (345 euro po të ketë 15 vjet), plus pensionin që i korrespondon nga kontributet që ka paguar. Përderisa një njeri është në tregun e punës, paguan kontribute ai dhe punëdhënësi ose vetëm ai, po të jetë i vetëpunësuar; mbi bazën e këtyre kushteve, pra 67 vjeç ose 62 vjeç me 40 vite pune me siguracion dhe 20 ose 15 vjet minimumi, do të marrë një pension siç e merr kushdo që punon në Greqi dhe paguan sigurimet shoqërore”,-bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore në Greqi. Në rastet kur personi nuk ka 4.000 ensima, po ka 3.000, sipas ligjit grek, këto nuk përllogariten për pensionin kombëtar dhe shqiptari që jeton në Greqi nuk do të mundet të marrë pension. Mirëpo do të marrë Kompensimin e të Moshuarit të Pasiguruar, pasi të mbushë 67 vjeç dhe vlera e këtij kompensimi do të jetë 360 euro. Në kushtet që midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka ende një marrëveshje për këtë çështje, zgjidhja e vetme për ata që nuk kapin numrin e nevojshëm të ensimave është ky pension që jepet në formë kompensimi social për të moshuarit pa siguracion.

Tabela

Sipas ligjit, Kompensimi u jepet të moshuarve pa siguracion si dhe atyre që nuk përmbushin kushtet për të marrë pension, përderisa plotësojnë këto kushte:
a. Kanë mbushur vitin e 67-të moshës.
b. Nuk marrin apo nuk përfitojnë pension nga jashtë Greqisë apo çdo lloj asistence në Greqi, me vlerë më shumë se 360 euro. Nëse pensioni nga jashtë apo asistenca janë më pak se kompensimi prej 360 euro, atëherë përfitojnë diferencën nga zbritja e pensionit apo e kompensimit.
c. Jetojnë ligjërisht dhe pa ndërprerje në Greqi 15 vitet e fundit para bërjes së kërkesës për kompensimin dhe vazhdojnë të jetojnë në Greqi edhe pas përfitimit të kompensimit.
d. Të ardhurat personale të tatueshme nuk e kalojnë shumën 4.320 euro. Në rast se janë të martuar të ardhurat e tatueshme nuk duhet të jenë më shumë se 8.640 euro.
e. Përjashtohen ata që bashkëshorti apo bashkëshortja e tyre marrin pension nga çfarëdo burimi me vlerë më të madhe se 360 euro.

 

Hyn në fuqi ligji për patentat shqiptare në Greqi, procedura që duhet kryer

Ligji për njohjen e patentave shqiptare në Greqi është dekretuar nga presidenti i republikës greke dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Kjo do të thotë se që nga dita e sotme, gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, mund të shkojnë në drejtoritë e transportit të vendbanimit që të aplikojnë për kthimin e patentës shqiptare në patentë greke. Patenta duhet të jetë e vlefshme, domethënë të mos ketë skaduar. Procesi bazohet në udhëzimin e Bashkimit Europian që parashikon se e vetmja gjë që nevojitet, është një vërtetim mjekësor se interesuari është në gjendje që të drejtojë një mjet motorik. Natyrisht, është një proces që kërkon një periudhë kohore të realizohet. Fotokopja e patentës shqiptare, bashkë me të dhënat e mbajtësit, do të dërgohet në drejtorinë e transportit rrugor në Shqipëri, me qëllim që të vërtetohet autenticiteti i saj. Pas kthimit të përgjigjes, normalisht do të bëhet ndryshimi i patentës. Ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja e procesit të kthimit të patentës nga shqiptare në greke. Ndërkaq, zyra e buxhetit të shtetit, në informacionin dërguar parlamentit grek, ka nënvizuar se humbjet buxhetore konsistojnë në mospagimin e paravolave që normalisht kapin shifrën 138 euro, si dhe mosinkasimin e tatimeve që do të paguanin në shtet autoshkollat. Gjithsesi, zyra e buxhetit ka konkluduar se humbjet në buxhet do të jenë rreth 20 euro për çdo patentë. Nuk dihet në se kjo shumë do t’i bashkëngjitet vlerës së prodhimit të patentës greke biometrike, që tani kushton 30 euro. Gjithsesi, në ditët e ardhshme pritet që ministria e infrastrukturës dhe transporteve të nxjerrë sqarimet përkatëse, me qëllim që të orientojë gjithë të interesuarit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.