KULTURË

MUSA RAMADANI/ Shuhet “Profeti nga Praga”, pengu i shkrimtarit të ndaluar në Shqipëri

12:27 - 12.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – I vetmi libër, romani voluminoz “Ligatina” (500 fq.) është shtypur te Sh.B. ‘Naim Frashëri’, është zhdukur në vitin 1989 ende pa dalë në librari. Dëshmitarë janë shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafaj dhe kritiku teatror Bujar Skendo, të cilët kanë shkruar recensione për shtëpinë botuese në fjalë. Këtë lajm ma pati konfirmuar kolegu dhe shkrimtari Eqrem Basha i cili e ka parë me sytë e vet tirazhin e faqosur pa kopertina në shtypshkronjën e ‘Naim Frashërit”.
Shkrimtari Musa Ramadani, autori i librit “Profeti nga Praga” është ndarë nga jeta të martën me 10 mars në Kosovë. I njohur për publikun shqiptar edhe si fituesi i çmimit të letërsisë “Kadare”, fjalitë hyrëse të këtij shkrimi janë shkëputur nga intervista që ai pati dhënë kohën kur fitoi “Kadarenë”. Rrëfente me këtë, mungesën e emrin të tij në letërsinë e lexuar në Shqipëri dhe në letërsinë e botuar. Rrëfente një dëshirë të kahershme për të qenë prezent në Shqipërinë e mbyllur brenda kufijve të saj.
Homazhet për nder të jetës dhe veprës së tij u mbajtën të mërkurën në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës ku u mbajt edhe Akademia përkujtimore, ndërsa prehja e tij u bë në varrezat e qytetit të Prishtinës.




Musa Ramadani, shkrimtar, eseist, dramaturg, kritik arti dhe gazetar. Lindi në Gjilan dhe shkollimin fillor e kreu në Prizren, Gjilan e Viti. Më pas në Gjilan kreu shkollimin e mesëm ndërsa në Prizren mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike. Nga viti 1965, punoi si gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”.
Shkrimet e para letrare i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i rinisë”. Dorëshkrimin “Neurosis” të refuzuar nga “Rilindja” e botoi vetë në vitin 1973. Libri u vlerësuar avangardist dhe prijës i poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës.
Gjatë viteve ’70 në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy çmimet e para. Botoi këto vepra poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969), “Thirravaje” (1971), “Neurosis” (1973), “Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).

KUJTIMET E
BESNIK MUSTAFAJT
“GSH” foli dje me shkrimtarin Besnik Mustafaj, si një ndër ata që kanë njohur letërsinë e tij dhe një ndër ata që i bëri recensën veprës së tij të parë në Shqipëri.
“Ai është shkrimtar shumë i mirë, shkrimtar stili e mjeshtër i gjuhës. Është shkrimtar i stilit eksperimental në llojin e shkrimit të tij. Unë e kam lexuar shumë herët, nga mesi i viteve i viteve 1980 në mos gaboj, kur më dhanë për t’i shkruar një recensë, romanin e tij ‘Ligatina”, tha dje Mustafaj. Shkrimtari i njohur, kujtoi që ka shkruar një recensë, që e vlerësonte librin, duke shtuar se “ nuk e di pse, libri i tij nuk e pa kurrë dritën e botimit. Nuk e mora vesh se pse u ndalua dhe u zhduk vepra”.
Me siguri, thotë Mustafaj, ngaqë Musa ishte shkrimtar modern, që nuk ishte brenda në kanunet e letërsisë shqipe, rregullave të kohës, apo pjesë e atyre kontureve qoftë edhe të huaj, nuk u botua kurrë nuk e mora vesh kurrë pse nuk u botua. “Nuk e di çfarë ka shkruar recensenti tjetër. Unë dhashë mendim të mirë për të. Ishte ndër më të mirët e tij, ishte një roman me vlerë me letërsinë shqipe dhe e pasuron atë”, tha dje Besnik Mustafaj për ‘GAZETA SHQIPTARE’.
Ai shtoi se ka lexuar edhe romanin e tij të fundit, “Profeti nga Praga” që shënon një pjekuri absolute të tij si romancier. “Unë me Musa Ramadanin jam takuar vetëm dy herë. Një herë më 1991 në Prishtinë dhe njëherë në 2017 në panairin e librit të Prishtinë. Pra, personalisht s’kam kujtime me të, por kam kujtim të letërsisë që la pas. Ai iku me brengën që pse nuk u botua në Shqipëri para 1990-ës. Ai nuk kishte brengën pse nuk është i përkthyer në gjuhë të huaja po pse nuk është i lexuar në Tiranë”, e mbylli prononcimin e vet, Mustafaj.

PER RAMADANIN
Akademiku dhe profesori i letërsisë Sabri Hamiti, rikujtoi biografinë, veprën e Musa Ramadanit gjatë fjalës dje në akademinë përkujtimore dhe çmoi lart individualitetin e tij si dhe veprimtarinë letrare.
“Musa Ramadani kulturalisht mund të cilësohet si autor i Rilindjes, më pastaj rrezatimi i tij si njeri dhe shkrimtar zgjerohet në botën letrare shqiptare. Arti letrar dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artet pamore”, theksoi Hamiti.
“Vepra e tij letrare në tërësinë e saj shfaq një botë individuale që trupëzohet me stilin e tij origjinal. Kjo duket në poezi, që në librin e parë ‘Mëkatet e Adamit’ deri në librin e fundit ‘Mëkatet e Havës’ duke rrokur çështjen e njerëzimit nga filli deri në zbërthimet moderne duke kërkuar në përballjet mitologjike bashkëkohore duke kërkuar figurën e vet letrare. Ky është një rebelim tematik i sojit të vet i shfaqur si refuzim i klisheve pararendëse në gjirin e poezisë shqipe”, tha tutje ai.
“Në prozën romansore të tij, Musa Ramadani është në kërkim të formës së romanit në nivelin struktural dhe në nivelin e artikulimit artistik ku kryqëzohen nivelet stilistike të poezisë dhe dramës. Pra, në fillim është vetja e gjetur në art kurse në fund është riprovimi i gjetjes së vetes”,-u shpreh Akademik Hamiti.
Edhe Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, e ngriti lart figurën e shkrimtarit Ramadani.
“Musa Ramadani ishte shkrimtar i madh dhe stilist i shkëlqyer, i cili i ka dhënë jetë kulturës së Kosovës. Ai krijoi shumë vepra të bukura letrare në shumë gjini duke ngrohur zemrat e lexuesve shqiptarë. Sot pa të, fjala shqipe është më e varfër, Prishtina më pak humane kurse komuniteti i letërsisë ndihet i pikëlluar nga ikja e tij”,-tha ajo.
“Ramadani u përfshi në shumë antologji gjë që dëshmon peshën e veprimtarisë së tij. Sot kur po ndahemi fizikisht prej tij, fillon jetën e përjetshme vepra e tij letrare”,-theksoi tutje Dumoshi duke treguar se Ministria e Kulturës do ta vlerësojë veprimtarinë e tij të cilën ajo e cilësoi si trashëgimi e pasur e historisë moderne të Kosovës.
Mandej studiuesi Agron Gashi zgjodhi fjalët më të mira për Ramadanin, të cilin e quajti artist të madh, të veçantë dhe mjeshtër të rrëfimit.
“Ai ishte dhe mbeti konsistent në veprime dhe i begatë në shkrime. E krahasuan me Kafkën dhe Borgesin, Xhojsin e Buxatin. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë dhe dhimbjen letërsi, ai ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi, duke qenë unik në kulturë dhe komunikim, dhe në artikulimin e ideve kërkues dhe eksperimentues i madh. Përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”,-tha Gashi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.