Kryesore

SHQETËSIMI/ Shkresa e Presidentit si një thirrje për kujdesin ndaj gjuhës

10:30 - 29.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof.Rami Memushaj – Më 23 maj Presidenti i vendit i ka kthyer për rishikim e përmirësim Kuvendit të Shqipërisë ligjin 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”, të shoqëruar me një arsyetim disafaqësh. Në këtë shkresë vihet në dukje se, veç aspekteve juridike, ligji vuan edhe nga ana gjuhësore, për arsye se “duke filluar nga dispozita e përkufizimeve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe”. Vërejtja e parë që bën Presidenti në arsyetimin e tij, lidhet me përdorimin e një numri fjalësh anglisht, që përbëjnë thelbin e këtij ligji, të cilat “nuk janë në gjuhën shqipe” dhe janë futur në ligj ashtu siç shkruhen në gjuhën angleze.




“Përdorimi i termave në gjuhë të huaj, – thekson Presidenti në shkresën e tij, – bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton se “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja… përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj në një ligj… jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdrejtë dhe identitetin kombëtar…” Ky parim kushtetues, vihet në dukje më tej në këtë shkresë, kërkon “që, më së pari, qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë të jenë shumë të kujdesshëm përgjatë miratimit të ligjeve në mënyrë që t’i nënshtrohet [t’u nënshtrohen – R. M.] rregullave të drejtshkrimit që mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe”.

Nuk po ndalemi në sythin 1.2 të shkresës që merret vetëm me çështjet gjuhësore që nxjerr ky ligj, ku vihen në dukje disa parime shumë të rëndësishme që lidhen me veçoritë gjuhësore të teksteve legjislative, me nevojën e përputhjes së legjislacionit shqiptar me atë europian pa kopjim të termave të huaj, si dhe me nevojën e këshillimit me institucionet gjuhësore të vendit. Me shumë të drejtë, në këtë syth theksohet se “është detyrë e hartuesit të një nisme… që të kujdeset për gjuhën shqipe në një dokument zyrtar”, prandaj, në formën si është paraqitur ky ligj, “është i papranueshëm”.

Duke parë njoftimin në gazeta për këtë ngjarje, shkarkuam ligjin dhe shkresën e Presidencës që ia rikthen për rishqyrtim Kuvendit. I lexuam me vëmendje këto dy dokumente për të gjetur cilat ishin gabimet gjuhësore të ligjit, po edhe në kishte gabime shkresa e Presidentit. Nga leximi na doli se jo vetëm ligji, po edhe shkresa kanë shumë gabime gjuhësore, sidomos gabime pikësimi, gabime drejtshkrimi, ndërtime sintaksore të pasakta dhe fjalë të huaja të panevojshme. Më konkretisht, në ligjin në fjalë ka 34 gabime pikësimi, 19 gabime drejtshkrimi (si çartërim, në rast përsëritje, mungesa nyjash të përparme dhe parafjalësh), 5 ndërtime sintaksore të gabuara dhe fjalët aktivitet e substancë, të cilat kanë përgjegjëset e tyre në shqipe. Kurse shkresa e Presidentit ka 37 gabime pikësimi, 19 gabime drejtshkrimi (rendisim, kundravajtje, këto terma, së Shqipëri, shkronjë kjo, si dhe mungesa nyjash e parafjalësh), 5 ndërtime sintaksore të gabuara dhe fjalët e huaja të panevojshme aktivitet, direkt, aplikohet dhe i paaplikueshëm.

 

Pra, problemi shkon përtej një ligji, ai është shumë më i gjerë. Ai dëshmon mungesën e kujdesit të shtetit për gjuhën. Për shkak të mungesës së këtij kujdesi, që në mënyrën më të qartë shfaqet në dokumentet që dalin nga institucionet më të larta të vendit, gjuhës shqipe po i shkaktohet një dëm i cili do të jetë i vështirë për t’u ndrequr më vonë. Jemi në një situatë kur ligjërimin i shkruar dhe ligjërimi i folur publik nuk kalon në filtrin e redaktimit dhe çdo aktor i këtyre fushave sillet si zot i gjuhës, duke folur e shkruar ashtu si i do qejfi. Siç e tregojnë dy dokumentet në fjalë, në këtë fushatë të përdhosjes së gjuhës shteti është i pari që ka marrë në dorë kazmën për shkatërrimin e kalasë sonë gjuhësore. Pastaj vijnë televizionet, gazetarët televizivë të të cilave janë bërë “profesorët e prishjes” së gjuhës. Ligjërimit të tyre i mungon bukuria dhe ëmbëlsia e tingëllimit të shqipes: mjetet intonative të ligjërimit të tyre të folur nuk janë të shqipes, po të anglishtes a të italishtes; emrat e përveçëm përdoren prej tyre pa mbaresa; sintaksa e frazave të tyre është e përçudnuar; dhe, më në fund, fjalori i tyre po e kthen shqipen në gjuhë të drunjtë, në “gjuhë mushke”, të mbytur me fjalë të huaja, si total, kurbë, tendencë, indikator, direkt, live, akses e aksesoj, tentoj e tentativë, realizoj, shokoj e pak emra e folje të tjera të huaja që përdoren në vend të dhjetëra sinonimeve të tyre shqipe, të cilat përmbajnë ngjyrime të holla kuptimore, të atilla që i japin bukuri e laryshi ligjërimit. Pas televizioneve e radiove, vijnë shtypi i shkruar, ku përgjithësisht mungon korrektimi gjuhësor, shtëpitë botuese, shkolla etj.

Lëngata e gjuhës shqipe është një sëmundje mbarëkombëtare që ka prekur jo vetëm Shqipërinë, po edhe Kosovën e Maqedoninë, ndonëse këtu Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Gjuhën Shqipe po hedh disa hapa pozitivë. Për ta shëruar gjuhën, mendojmë se ka ardhur koha që, së pari, të riaktivizohet vendimi i Këshillit të Ministrave i janarit 1974 “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe”, i cili kërkon vendosjen e redaktorëve gjuhësore në entet botuese dhe në institucionet shtetërore; së dyti, është bërë urdhërues miratimi i ligjit për gjuhën, që do të vendoste disiplinën gjuhësore të munguar; së treti, mendojmë se ka ardhur koha të krijohet një këshill ndërshtetëror (Shqipëri–Kosovë–Maqedoni) për gjuhën, me autoritetet më të spikatura të fushave të saj themelore. Këtë këshill e shohim si vijim të Komisionit të Përhershëm për Pastërtinë e Gjuhës, që funksionoi gjatë viteve 1979–1990. Ashtu si ai, edhe ky organizëm duhet ta mbështetë veprimtarinë e tij në një platformë kombëtare të miratuar nga qeveritë e të tre vendeve, duke pasur si objektiva themelorë punën për pastërtinë e gjuhës, për shqipërimin dhe njësimin e terminologjisë tekniko-shkencore, për zbatimin e normave të gjuhës letrare, luftën kundër ndotjes së mjedisit shqiptar me emërtime e emra të përveçëm të huaj, si dhe shfrytëzimin e teknologjive të reja për rritjen e kulturës gjuhësore të popullatës. Për përmbushjen e këtyre objektivave, ky këshill do të ngarkonte me detyra akademitë e shkencave, institutet e gjuhësisë dhe departamentet e gjuhës shqipe. Organizma si i ashtuquajturi “Këshill Ndërakademik” apo një këshill i ri që po përpiqet të ngrejë Akademia jonë e Shkencave, janë kundërprodhues, prandaj duhet hequr dorë prej tyre. Kemi nevojë për organizma mbarëkombëtarë dhe me autoritete shkencore me ndihmesa në fushat përkatëse. Gjuha është pasuri kombëtare dhe duhet ruajtur si trashëgimia më e çmuar që na kanë lënë të parët.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.