Kryesore

Lazër Shantoja, tingujt shungullues të shpirtit të famullitarit të pianofortes

15:07 - 28.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një përzgjedhje shkrimesh publicistike në një botim, vrulli i klerikut që u vra më 1945-ën.




Letër dashunije nji zojushe çeliku

Erikë e shtrêjtë!

E tillë pikë së pari, moj bukurushë, në vështrimin financjar të fjalës. A e din ti sa më ke kushtue? Ti nuk ia din çmimin vetes; je e urtë, modeste. Por çmimin t’a din xhepi i em, moj Erikë! Mos u kreno veç! 375 frânga Zvicre. E shtrêjtë, asë? Mos me u prekë me dorë! Ti qi je shênjue me i prekë me dhetë gishtat e dorës. Por ec e rri pa ty sod!

***

Me të shkrue nji letër dashunije? Po, Erikë, pse jo? Ti je nusja e eme. E mbulueme me nji arkë të zezë ti rrin aty pa zâ e më pret. Më pret. E un të zbuloj, të shpluhnoj, të limoj,

të përkas, los me ty, mendimet, marrin trajta të dukshme nën çakiçat e çelikët të katërdhetë e tre gishtave të tuej. Ti je pjanoforta e eme. Herë Chopin sentimental, herë Rossin buffon përmallohem o argtohem tue improvizue mbi tastjerën t’ânde. Tres, habitem, nuk dij mâ ku jam. Nji zâ më thërret prej së poshtit: A po vjen me hângër?… Plaka e shkretë e pashkollë nuk din se “scribere necesse est, non vivere!” Asë, moj Erikë?  (D. Lazër Shantoja, Cirka, 29 maj 1938.)

Disi atipike, letra përbën prore, një poezi që u ngjan tingujve, krejt melodioze as sa ta ka ënda ta ndjekësh ‘note pas note’ deri në tastin e fundit. ‘Zonjusha’ së cilës i drejtohet letra e Dom Lazër Shantojës është një piano. Mund t’i imagjinoj gishtërinjtë e tij të hollë t’u japin jetë tingujve shungullues të shpirtit, të njëjtët gishtërinj, ku ka mbështetur kokën në imazhin e tij më të njohur në moshë të njomë. Letra e dashurisë për një zonjushë çeliku, nuk është më përfaqësuesja e tij, por për aq sa së gjeri është i njohur si famullitari me pianoforte, (ç’çudi ky personazh në marrinë e Shqipërisë së kohës) e për aq sa eleganca e mendimit përfaqësonte njëherit botëkuptimin e tij, Dom Lazri, ngjan se vjen më i plotë edhe me një letër si kjo, si shkëputje prej materies për të gjetur thelbin e shpirtit.

Letra është shkëputur nga botimi më i ri, “Tingujt shungullues të shpirtit”, – Përzgjedhje shkrimesh publicistike përgatitur nga Arben Ndreca. Nën logon e “Berk”, Qendra e Studimeve Albanologjike “Shejzat – Pleiades”, në më se 400 faqe janë përmbledh materiale publicistike të Shantojës, në një hark të gjerë kohor, duke shpërfaqur botën shqiptare e botën e tij, si dy botë që jo gjithnjë përputhen e shpesh, përplasen. Shantoja vjen i plotë, teksa botimi rrok udhëtimin e tij kundrejt pushteteve e dukurive, kundrejt ngjarjeve e personazhe që si në një mirazh, na përkundin, mes ndodhive që përsëriten pandâ, e atyre që pasqyrojnë shqiptarin krenar a kokëshkretë, shqiptarin e urtë a mendjelehtë, në një parakalim motesh që na vetëdijësojnë për hapat herë të ngadaltë e herë të mbrapshtë që kemi hedhur në një shekull.

“Gjykatore—Âsht nji zyre e çilun për mos me krye punë, për me bjerrë kush kà keq e me fitue kush âsht mirë. Gjykatorja në Shqipnì, mûnd të quhet mâ fort Pezullore pse ktû kan mâ zanatë pezullimin se gjykimin.

Gjytet—fjalë qi nuk përdoret mâ! Përdoret mâ fort sot fjala “kryegjytet” qi don me thanë gjytet me krye. Kryet mûndet me kênë edhè tullash, dheut… e gjyteti mûndet me kênë edhè katûnd”, – do të thoshte Shantoja. Pos zërit kritik, ai ka edhe një përmasë të plotë të zërit që ‘ndërton’ dhe jep alternativën tjetër. Me përkthimin, poezinë e ndjeshmërinë, përkund me fjalë të zgjedhura e piskama lirie, mjerimin përreth e dritën brenda tij. “Ah, mos e lyp at varg!… Asht shum mâ mirë/korimbat (1) t’tú mos t’dijn ça do me thânë/ me qęn’ poetë e mos me qęnë i lirë,/ me kndue me goj’ kur zęmërngrita qanë”.

Ka shkruar me disa pseudonime ku pos nistoreve të veta ka përdorur edhe nënshkrimet “Athanas Ziler”, “Omega”, “Liljan” e “Ipsilon”. Parathënia e Arben Ndrecës që përbën një portret të plotë, na grish drejt dëshmive të Shantojës, thesarit që la pas, atë ditë të 1945-ës, kur hovi i tij u pre nga një batare plumbash komunistë.

 

 

Nga Arben Ndreca*

Lazër Shantoja ka lindë në Shkodër në vitin 1892, në një Shqipni që nuk ishte shpallë ende e lirë, me mot të vranët e det me dallgë. Periudha e gjatë nën sundimin osman po përfundonte dhe përpara po çelej një shteg i ri për zhvillimin e kombit. Po zgjohej nga gjumi një popull i cili nuk dihej si do të reagonte kundrejt sfidave të reja të historisë. Kishte qëndrue herë i fshehun, herë i ndrydhun në vetvete e herë i tulatun në minder, buzë votret, për disa shekuj. Delli letrar i Shantojës u shfaq së pari me përkthime nga letërsia botnore e shpejt mandej edhe me krijime të veta. Edhe në vitet e fundit të jetës, Shantoja do të ngushëllohej tue përkthye poezitë e Giacomo Leopardi-t, Faustin e Johann Ëolfgang Goethe-s dhe Ëilhelm Tell-in e Friedrich Schiller-it. Nuk ka sesi mos me na ra në sy, në të gjitha këto krijime letrare dhe përkthime, përpjekja e vazhdueshme për t’i dhanë poezisë një hir qytetar, një elegancë tingujsh chopinian e një disiplinë idealesh filozofike. Ndërsa prozën, mbas disa sprovave në organe të ndryshme, Shantoja nisi me e ushtrue rregullisht në shtyllat e gazetës “Ora e Maleve”, kryekreje si pamfletist. Themelue nga Atë Anton Harapi, gazeta “Ora e Maleve” u pat shndërrue në tribunë të ideve të reja të një Shqipnije që rropatej për një liri të ndryshme në thelb nga ajo që mendonte shumica, për lirinë e cila e mëson individin me respektue ligjin me vetëdije. Drejtimi i këtij grupimi politik, ku bante pjesë edhe Shantoja, tashma sekretar i kryeipeshkvit të Shkodrës, imzot 6 Lazër Mjedës, i ishte besue në mënyrë të kuptueshme Luigj Gurakuqit. Tek ai mbështetej shpresa e mbrujtun në magjen e ndershmënisë intelektuale, një landë të parë që përmbante pjalmin e kulturës europiane. Autoriteti i tij në Shkodër ishte i padiskutueshëm, idetë e tija për të ardhmen e kombit ishin të qarta e bindëse. Punonjësit e tipografisë ku shtypej “Ora e Maleve”, ma vonë do të tregonin se kur shkonte aty Gurakuqi, kërkonte letër, pendë e bojë shkrimit. Mbështetej në një komoh dhe ashtu, në kambë, shkruente artikullin që do të shtypej. Kur e merrnin në dorë artikullin e tij, tipografët vërenin, të çuditun, se nuk kishte as edhe një qortim! Në shtyllat e kësaj gazete, Shantoja, herë me satirë e herë me artikuj programatikë, do të shprehte drejtpërdrejtë e me ngulm nevojën për ndryshime të thella në shoqni, ekonomi dhe politikë. Gazeta “Ora e Maleve” nuk ishte ma një organ shtypi që përcillte lajmet e ditës, por mjet komunikimi për formimin politik të intelektualëve dhe popullit të thjeshtë. E tillë vazhdoi deri në fund, atë buzëmbramje të Krishtlindjeve të vitit 1924 kur numrin e saj të fundit dhe të vetëm që sapo kishte dalë e shpëtoi tue e fshehë nën xhaketë një prej tipografëve, ndërsa shtypshkronja bastisej prej xhandarëve. Zogu sapo kishte hy në Tiranë dhe kishte marrë pushtetin. Të mundunit morën rrugën e mërgimit që do të zgjaste rreth pesëmbëdhjetë vjet. Emigracioni politik shqiptar u shpërnda mbas vitit 1924 dhe nuk qe kurrë në gjendje me u organizue rishtas në formë kompakte. Mbas disa ditësh burgimi në Shkodër prej zogistave, Shantoja mori pasaportën dhe u largue në Jugosllavi, ku qëndroi rreth një vjet. Prej andej shkoi në Vjenë, por edhe këtu nuk ishte i qetë pse kishte të dhana se Çatin Saraçi, miku i tij i rinisë, të cilit i kishte kushtue madje edhe një vjershë, mund t’i kurdiste nji atentat. Vrasjet e Gurakuqit dhe të Bajram Currit 7 dëshmonin se Zogu kësaj here do të përdorte çdo mënyrë, të ligjshme ose të paligjshme, me qëndrue në pushtet. Largimi nga Vjena dhe shpërngulja në Zvicër përkon edhe me një largim të Shantojës nga politika aktive. Kohët kishin nisë me ndryshue. Shqipnia po kryente një revolucion të heshtun – arsimimin e bijve të saj. Frytet e këtij procesi do të binin menjëherë në sy por do të vileshin ma vonë me rezultate të paparashikueshme. Nga një komb që deri në vitin 1908 nuk kishte pasë as alfabet e që pavarësinë e kishte shpallë në kushte të një kërcënimi e të një copëtimi të dukshëm territorial, shqiptarët mbërritën mbrenda njëzet vjetësh me pasë gjimnaze që përgatitnin studentë për universitetet ma të njohuna europiane. Në një hark kohor tepër të shkurtë po kalohej vrullshëm nga injoranca e thellë drejt majave të arsimit europian. Idealeve të asaj rinie që kërkonte vazhdimisht të renë, e pakënaqun me gjendjen politike, ekonomike, kulturore e shoqnore në Shqipni, duhej t’i përgjegjej edhe grupi intelektual antizogist që tashma ishte coptue përfundimisht. Dalëngadalë në derë trokiti prilli i vitit 1939. Çështjeve të deriatëhershme iu shtue edhe ajo e pavarësisë që u bor me 7 prill. Me ikjen e Zogut nga Shqipnia, edhe kundërshtarët e tij politikë e ndjenë veten të lirë të shkelnin në truellin amtar. Atë ditë kur Shantoja hypi në tren në La Motte, në Jurën Berneze, në Zvicër, fëmijët e famullisë ku kishte shërbye për aq shumë vjet, iu lutën të mos kthehej në Shqipni. Kthehej në atdhe Shantoja me një bibliotekë mjaft të pasun, me përvojën e hidhun të emigracionit politik dhe me ma shumë rrudha në ballë, tashti që po mbushte të pesëdhjetat. Disa prej shokëve, bashkë me të cilët ishte largue nga Shqipnia, preheshin nën rrasa gurit. Të tjerët kishin ndërrue mendim e ide. Problemet që nuk ishin zgjidhë nga 8 antizogistët ishin prapë aty, por tashma kishin ndërrue formë, përmbajtje dhe dendësi molekulare, e sikur të mos mjaftonte kaq, po bymeheshin me një shpejtësi marramendëse. Shqipnia me 7 prill 1939 kishte hy në rrjedhën e kohës europiane pa dëshirën e saj, tue u shndërrue në një entitet politik e gjeografik, pré e shteteve ndërluftuese. Në një vend ku dita, deri atëherë, ndahej thjeshtë në paradite dhe mbasdite, tashti do të ndiqej ora që ndërronte nga Greenëich-i në Moskë, simbas meridianëve politikë. Ndërrimi i shpejtë dhe i befasishëm i qeverive, i pushteteve dhe i strategjive politike kishte shkaktue një diakroni të mbrendshme tek jeta shqiptare dhe konflikti botnor vetëm sa e kishte përkeqësue këtë gjendje. I papërshtatun dhe i papërshtatshëm, jeta e Shantojës po shkonte rishtas në një drejtim që përfundonte në një bigëz: një mërgim i ri jashtë shtetit ose një fund i shpejtë në atdhe. Me 5 mars 1945 kishte përfundue gjithçka dhe Lazër Shantoja dergjej në një gropë të paemën në periferi të Tiranës.

Kanë kalue pesëmbëdhjetë vjet nga botimi i parë i veprës së plotë të Shantojës, kohë e mjaftueshme për me njohë dhe me vlerësue një intelektual e shkrimtar si ai. Tashti e ka radhën me folë zani i ndërgjegjes së lexuesit që mediton rreth thellësisë shpirtnore të këtij poeti, botës së tij të pasun shpirtnore, andrrave dhe zhgënjimeve të tija. Ta vijojmë këtë dialog me Shantojën, pa droje, pse ndoshta ma fort se me kuptue apo me gjykue shkrimtarin dhe idealet e tija estetike, morale apo politike, do të jetë ai që do të na ndihmojë për me saktësue koordinatat e vendndodhjes sonë si individë, si bashkësi qytetare dhe si komb.

 

 

 

53 VITET E JETËS SË SHANTOJËS,

VRULLI QË U NDAL ME VRASJE

 

2 shtator 1892 lind në Shkodër Lazër Shantoja, i biri i Kelit e i Luçijes. Kjo asht data që del në botimet e kohës kur ai ishte gjallë. Megjithatë, dëshmia e lindjes jep si datëlindje 7 korrikun 1891. Pranë Seminarit papnor të Etënve Jezuitë kreu studimet e shkollës fillore e të mesme. Ma vonë vazhdoi studimet e nalta për teologji në Insbruk. 1915 Lazër Shantoja shugurohet meshtar. Fletoret e tija janë plot me krijime poetike në shqip, italisht, gjermanisht, esperanto. Fillon me përkthye. Dalin botimet e para te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore” etj.

1917—1922, dërgohet famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî. Boton Për natë kazanash, përmbledhje me lojna,

kashë e lasha e proverba.

Qershor 1919, arrestohet dhe mbahet në burgim prej italianëve në Beltojë, Shkodër.

1922—1924, punon si sekretar i arqipeshkvit të Shkodrës imzot Lazër Mjedjes.

17 nëntor 1923, takohet në Vjenë me Kancelarin e Austrisë, dr. Joseph Seipel-in.

1923—1924 Pater Anton Harapi boton në Shkodër gazetën Ora e Maleve. Bashkë me Luigj Gurakuqin, Shantoja asht bashkëpunëtori i parë i tij. Át Anton Harapi do të shkruante ma vonë: “Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit”.

27 dhjetor 1923, në Shqipni zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Në Shkodër fiton opozita.

20 shkurt 1924, del prej shtypit Shjor Puci, përkthim.

Maj 1924, jep dorëheqjen prej redaksisë së “Orës së Maleve”.

Janar 1925, arrestohet dhe burgoset si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924. Mbas disa kohësh burg, falet nga qeveria e Ahmet Zogut dhe largohet për në Jugosllavi.

2 tetor 1925, prej Beogradit, me zemër të pikëllueme, kujton me një artikull prekës të botuem te “Liria Kombëtare”, vrasjen e Gurakuqit.

1 shtator 1926 Në Cetinjë merr pjesë e mban ligjëratën në varrimin e kapiten Mark Rakës, vdekë në rrethana të paqarta si pasojë e një aksidenti automobilistik.

  1. Kalon prej Jugosllavisë në Austri, në Vjenë, ku fillon me botue gazetën “Ora e Shqipnisë”.

Tetor 1932, qershor 1939 kryen detyrën e famullitarit në La Motte (Jura Berneze) Zvicër, ku shkon me jetue me të edhe e ama. Ndërkaq, ka fillue me përkthye Ëilhelm Tell-in dhe Faust-in. Në Shqipni të përkohshmet Kumbona e së Dielles, Cirka, Illyria botojnë pa pushim artikujt dhe përkthimet e Dom Lazrit.

1936, e përkohshmja “Leka” boton “Hermandin e Dorothenë” të Goethes, të përkthyem prej tij.

Gusht 1939, kthehet mbas 15 vitesh mërgim bashkë me të amën në Shqipni.

Mars 1940, viziton Egjiptin. Takohet me shqiptarët e atjeshëm prej të cilëve largohet me përshtypjet ma të mira.

Dhjetor 1941, mbështet plotësisht qeverinë që krijon miku i tij i vjetër e shoku i mërgimit, Mustafa Kruja. Bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Kortshën e disa të tjerë themelojnë në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare.

Shtator 1943, me kapitullimin e Italisë, tërhiqet prej skenës politike. Vijon të merret me përkthime ndërsa vëzhgon me dhimbje të madhe luftën vëllavrasëse që ka fillue në Shqipni.

4 shkurt 1945, arrestohet në Sheldi, ku ishte strehue prej kohësh dhe sillet në Shkodër. Fillojnë torturat. Dërgohet në burgun e Tiranës.

5 mars 1945, dom Lazër Shantoja pushkatohet në rrethinat e Tiranës mbas nji gjyqi farsë së bashkut me Sulçe beg Bushatin. Mbas ekzekutimit, autoritetet komuniste thërrasin për me i krye shartet e vdekjes Át Viktor Volajn, i cili asht edhe njeriu i fundit që e ka pa kufomën e martirit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.