BLUETOOTH

Intervista/ Xhoi Jakaj: Në politikë nuk ka gra intelektuale

14:30 - 07.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Xhoi Jakaj ka sjellë për publikun librin e saj të katërt. Një botim dedikuar grave, për t’i njohur më mirë femrat si dhe për t’i mbështetur. Në intervistën e saj për “Bluetooth”, Xhoi zbulon më shumë rreth jetës së saj larg fokusit të mediave, duke mos lënë pa përmendur edhe dy vajzat e saj, Xhulian si dhe super modelen që të gjithë e njohim, Oriolën.




Xhoi, vini me librin tuaj “Grua”; çfarë është ky krijim?
Libri im “Grua” ka shumëçka brenda tij. Libri është si gratë: që ta njohësh, duhet ta shfletosh. Ndaj kam besim që pasi ta lexosh, do ta kuptosh sa vlera ka si libër.
Si e shihni modelin e gruas në Shqipëri, çfarë u mungon grave sot?
Grave u mungon mbështetja e duhur për të qenë aktive në politikë, në mënyrë të tillë që ato të jenë zëri i grave të pamundura. E them me shumë keqardhje që në politikë nuk janë përfshirë gra intelektuale, por ato që i binden kryetarit të partisë. Për më shumë mendoj që ka gra të cilat janë sot ministre e deputete që flasin me gjuhën e kryetarit dhe marrin vendime me trurin e tij. Më vjen keq shumë, se ka gra të zonjat në këtë vend që nuk u jepet mundësia, sepse lirinë e tyre nuk e shesin. Zgjedhin të rrinë larg politikës që i përdor. Mbase një ditë do ndryshojnë gjërat në Shqipëri e do shohim gra që flasin me mendjen e tyre e jo të kryetarit të partisë, dhe gratë kudo që të jenë mbështesin njëra-tjetrën më tepër.
Sa mendoni se janë të lidhur shqiptarët me librin?
Jemi komb shumë inteligjent dhe të lidhur me librin, ndonëse duket ndonjëherë se lexohet më pak se para viteve ‘90, por të siguroj që lexohet shumë më tepër, sepse librat tani gjenden edhe në internet. Shumë shtëpi botuese e kanë mundësuar këtë gjë. P.sh., libri im i parë “Adoleshenca në filtrin e dashurisë” është ribotuar tri herë, ndaj them se lexohet në çdo kohë. Ai që e do librin, e gjen mënyrën.


Keni provuar të bëni shumë gjëra në karrierën tuaj; cilën do të spikasnit?
Në jetën time kam punuar si mësuese, pedagoge, drejtuese, por kam bërë edhe shumë aktivitete artistike e televizive me sfond bamirësinë, në vende ku ka pasur shumë nevojë për praninë time, ama puna që më ka dhënë dashuri, paqe, dhe më ka dhënë shtysën të shkruaj librin tim të parë “Adoleshenca në filtrin e dashurisë” është puna në arsimin e mesëm me adoleshentët. Dashuria e bukur, e çiltër dhe e pastër që kam marrë dhe dhënë në ato vite do më ndjekë përjetësisht. Akoma edhe kur jam në studio televizive e ftuar, më drejtohen ish-nxënësit e mi operatorë ose gazetarë me shumë respekt ‘si je zyshë?, e ky titull mbetet unik e i pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Kurse puna si drejtuese e burgut të grave ose “IEVP Ali Demi Tiranë” ka qenë puna më e vështirë, më komplekse, me shumë të papritura dhe intriga, por ishte një universitet në vete. Kjo punë e bërë ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm krijoi një profil të fortë e të prerë, por që jep pakëz mirësi nga vetja edhe brenda dyerve të ftohta të një burgu.
E keni menduar ndonjëherë largimin nga Shqipëria?
Nga Shqipëria kam pasur dhjetëra herë mundësi të iki, sepse kam vëllezërit që jetojnë në Bruksel dhe shumë të integruar aty pasi kanë ikur që në vitet ‘90, por kurrë nuk u tundova ta lë këtë vend. E dua shumë Shqipërinë! Me gjithë vështirësitë, trafikun, pluhurin, zhurmën e smogun, unë nuk mund të jetoj askund në botë pa oksigjenin dhe diellin e Shqipërisë sime, madje nuk ua imponoj ikjen as dy vajzave të mia, Xhulias dhe Oriolës.
E keni menduar ndonjëherë veten në politikë, si deputete apo kryebashkiake?
Në politikë po, e kam menduar disa herë. Por për t’i shërbyer votuesit, jo vetes. Po ta them me sinqeritet shpirti, sepse figurën e politikanit e kanë marrë të gjithë inat për shkak të bëmave të tyre, ose paaftësisë, ose hajdutllëkut: në të dyja rastet, dëmi është i këtij populli të vuajtur. Di që në secilën nga ato vende që listuat më lart, deputete, ministre, kryebashkiake, do bëja shumë për njerëzit e pamundur dhe do jepja një model të mirë politikaneje grua. Kush më lexon, do thotë ‘s’të lejon kryetari që të vendosë në atë pozicion’. Ju siguroj që do guxoja e do arrija të bëja për njeriun e thjeshtë patjetër, kam dhënë prova.
Xhoi si grua, keni pengje? Nëse do e kthenit kohën pas, çfarë do të bënit ndryshe?
Kam arritur të eci shpejt, me hapin e kohës, të mos devijoj gjatë rrugës, por të shkoj drejt, që të mos kem pengje që nuk realizova edhe dëshirat e pasionet e mia. 90% ia kam dalë për t’i pasur edhe ato pjesë të jetës. Në kohën e lirë tani shkruaj dhe vrapoj nga Liqeni. E dua shumë jetën që bëj, njerëzit që më rrethojnë, përpiqem të ndihmoj shumë persona me shitjet e librave të mi, e kam bërë më parë me disa fëmijë me probleme shikimi, kur kam shitur librin “Adoleshenca dhe Paraadoleshenca”, që është në bashkautorësi me miken time, psikologen e njohur Anxhela Peza. Po e bëj edhe tani, sepse shitjet e librit “Grua” gjatë promovimit shkuan për terapinë e një djali që ka nevojë për mbështetje financiare dhe prindërit e tij më janë mirënjohës pafund, e kësisoj, pushoj duke punuar e ndihmuar, me punët e mia të përditshme siguroj një lloj mbështetjeje për njerëzit në pamundësi ekonomike, që ka shumë në Shqipëri. E shikon që edhe duke folur për pasionet e mia, dal te kryesori: të ndihmoj njeriun. Shkon gjuha ku dhemb dhëmbi! Nëse e kthej kokën pas, ka fare pak gjëra që do t’i bëja ndryshe. Kam bërë gjërat që dua në jetë, e kjo ma ka mbushur plot shpirtin. A kam hasur vështirësi? Po, në infinit, për të qenë kjo që jam sot, kam luftuar fort për arritje dhe për të mos bërë kundërshtarë gjatë rrugës sime, por shumë miq që më vlerësojnë e që janë pasuri e çmuar e jetës sime.
Xhoi si mama vajzash, çfarë nëne jeni, sa i mbështesni ato, për çfarë i kritikoni?
Vajzat e mia mbeten dashuria ime më e madhe në këtë botë! Vlera e tyre më e lartë është pastërtia shpirtërore. Xhulia është krahu im i djathtë dhe kur është e lirë nga puna që bën, merret me terapi psikologjike te qendra sociale që kam ngritur me një grup kolegesh e me mbështetjen e saj. Aty kemi tre psikologe që alternojnë punën dhe detyrat, secila sipas kualifikimit. Kam një staf të përkushtuar që drejtohet nga Xhulia, e cila ka një profil të tërhequr nga jeta publike. Edhe rrjetet sociale i ka më tepër private, ndryshe nga Oriola, që është e mediatizuar edhe kur nuk ka dëshirë vetë, sepse portalet duan klikime. Ama nuk shfaqet në media sepse është shumë e programuar në gjërat që do dhe bën. Oriola, siç e ka hapin të gjatë në modeling, ka mirësinë që ia ka falur Zoti, e kjo më lumturon shumë. Jam krenare për të dhe punët e saj. Tashmë ajo ka dy kontrata me dy kompani të mëdha botërore, “Guess” dhe “Hasret Moda”. Mbi të gjitha uroj të ketë shëndet dhe të jetë mirë, sepse gjithçka ajo e ka arritur me punë. Të dyja vajzat e mia, Xhulia dhe Oriola, e vlerësojnë paranë që vjen nga puna, vlerën e së cilës ua kam kultivuar me kujdes gjatë rritjes dhe mendoj se tashmë është bërë pjesë e jetës së tyre. Gjithsesi, të qenët nënë më ka bërë njeri më paqësor, dhe i ka dhënë kuptim të plotë jetës në tërësinë e saj. Mrekullia e botës sime janë vajzat e mia!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.