Sociale

Avenir Balili: Dilema e nënës, lindje normale apo prerje çezariane

18:37 - 28.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për shumë shekuj lindja ka qënë një akt aq sa normal, aq edhe patologjik e vdekjeprurës. Seleksionimi natyral bënte punën e tij të përhershme. Gratë lindnin shumë fëmijë, një pjesë e të cilëve nuk mbijetonin, por edhe një pjesë e nënave vdisnin gjate ose pas tyre. Përpara erës së antibiotikeve lindja çezariane zbatohesh vetëm në raste ekstreme kur mund edhe të sakrifikohesh nëna. Hyrja e antibiotikëve dhe permirësimi i teknikës kirurgjikale dhe anestezisë, e bënë prerjen çezariane të mundshme për masën e nënave të reja. Këtu filloi edhe abuzimi me këtë mënyre lindje si nga mjekët ashtu edhe nga vetë pacientët. Barra dhe lindja natyrale janë pjesë përbërëse të zhvillimit dhe pjekjes anatomo-psiqike të organizmit femëror. Trupi i gruas është i paracaktuar për këtë akt fiziologjik. Shumica e grave kanë frikë të përballen me lindjen dhe dhimbjet e saj, sepse janë rritur dhe edukuar me besimin se është një torturë e vërtetë. Eksperiencat e nënave, motrave, kushërirave, shoqeve, kolegeve të punës ndikojnë në shumëfishimin e kësaj tradite. Jo pak kanë influencuar edhe trashëgimia kombëtare, letersia artistike e kinematografia.




Sot obsteterit përballen me dy kundërtendenca, një pjesë duan të lindin me ccdo mënyrë vetë ndërsa një pjesë zgjedhin “rrugën më të lehtë”, “më komode” atë të prerjes çezariane. Mëdyshja lindje natyrale ose me prerje çezariane është një realitet i përplasjes së përhereshme natyrë-mjekësi. Tendenca për të lindur me ccdo mënyrë spontanisht është e rrezikshme dhe egoizëm i tepruar për të mos sakrifikuar për fëmijën.  Një grua që lind vetë është një grua së cilës i rritet vetëbesimi, vetërespekti dhe përballon me guxim veshtirësitë e jetës, për rritjen e femijës për familjen për punën e saj. Rreziqet e lindjes normale të ndjekur drejtë janë të pakta ndërsa lindja me prerje çezariane është ndërhyrje kirurgjikale e vërtetë dhe rreziqet shumëfishohen. Trupi i të vogëlit gjatë aktivitetit të lindjes i percepton tkurrjet e mitrës si një masazh mbi të, kjo është shumë e rëndësishme sepse i lejon të ndërmarrë disa ndryshime hormonale e të lëngjeve të mushkrive që ndikojnë si në përballimin e lindjes ashtu dhe përshtatjen e mirë me ardhjen në jetë. Edhe gjatë clirimit prej rrugëve të lindjes së nenes “shtrydhja e embel” që i bëhet kraharorit i lehteson nxjerrjen e lengjeve të mushkrive nga goja e hundët. OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) ka publikuar të dhëna për një përdorim të ekzagjeruar e të panevojshme të kësaj ndërhyrje me të gjithë rreziqet e saj. Në disa vënde frekuenca e lindjes çezariane arriti në shifra absurde (Brazil 50-60%, Kinë 50%, Itali 40%). Vitet e fundit sidomos në vëndet e Europës Veriore po shkohet drejtë një rritje të lindjeve normale dhe më shumë në Vendet e Ulta në asistimin e lindjeve në ambientet e shtëpive private të familjeve. Duhet respektuar edhe vullneti i gruas për të bërë zgjedhjen e duhur mbi mënyren e lindjes, por njëkohesisht detyra e mjekëve është që t’i sqarojnë, t’i rekomandojnë, t’u rrinë pranë dhe t’u ofrojnë shërbimin më të mirë. Në Shqipëri vecanërisht në Tiranë përqindja e lindjeve normale ka rënë si pasojë e rritjes së numrit të lindjeve me operacionin Çezarian. Vecanërisht në vitet 90 u vu re një zgjerim i indikacioneve të lindjes çezariane. Arsyet janë të shumta dhe i ndajmë në sociale, mjekësore, juridike, tradicionale etj:

Në popullatën urbane lindjet janë tradicionalisht më të pakta dhe ku cdo fëmijë është mjaft i vyer. Mjekët ndodhen gjithnjë nën presionin e familjarëve dhe e lirojnë dorën në favor te operacionit. Fekondimi artificial dhe binjakët janë një arsye tjetër që prej fundit të viteve 80. Në spitalet e kryeqytetit grumbullohen rastet më të vështira nga i gjithë vendi. Tirana sot ka rreth një milion banorë. Shumë maternitete në periferi nuk funksionojnë sicc duhet ose janë mbyllur.

Armata e juristëve me gjykimet e tyre dhe shoqëritë e sigurimeve me vendimet e tyre penale dhe ekonomike kanë ndikuar në dëm të komunitetit të obstetërve.

Vajzat e reja po tatuazhohen nga të katër anët edhe në zonat intime, por prerjen në bark që mund t’u duket në plazh e duan të bukur, por nganjëherë plaga mund të infektohet e të deformohet. Kjo është e keqja më e vogël, por komplikacionet e tjera si dhimbjet kronike të barkut, çrregullimet menstruale janë shqetësimet më të shpeshta. Dëmtimi i rrugëve urinare, të tretjes e peritoniti janë gjithmonë një rrezik potencial.

Në ditët e sotme shumica e vajzave të reja dhe grave duan një pamje të jashtme të përsosur, “sexy” dhe mëndojnë se barra dhe lindja do i shëmtojnë duke i bërë të papëlqyeshme e “not sexy”. Propaganda e mass mediave mbi jetën e artisteve, kengetareve, sportisteve, politikaneve dhe imitimi i tyre është jo vetem i dëmshëm për “look-un”, por edhe për shëndetin e tyre. Arrijnë deri aty sa mos të dëshirojnë fëmijë për të mos ndërprerë karrierën dhe kujtohen vonë që në botë nuk ka vetëm karrierë por edhe familje dhe femijë. Më vonë ka raste esktreme, ku mund të marrin edhe “mitra me qira”.  Nuk duan të shtojnë në peshë gjatë barrës se u prishet trupi perfundimisht ndaj mbajnë dieta të dëmshme dhe të rrezikshme. Nuk duan tu rritet barku nga fëmijët e mëdhenj se u mbeten vijat dhe barku i madh. Që të mos u prishet gjoksi ndalojnë ardhjen e qumështit dhe zbatojnë ushqyerjen artificiale të bebit. Nuk lindin vetë, sepse nuk duan të dëmtojnë rrugët e lindjes që mund t’u modifikojë jetën seksuale. Në këto ekstremizma bëhen bashkëpuntorë mjekët obstetër-gjinekolog dhe personeli mami-infermiere. Sot mjekësia krijon shumë mundësi që dhimbjet e lindjes të lehtësohen me medikamente të ndryshme, me gazëra mjekësore, me anestezi peridurale, me autohipnoze, lindje në ujë etj.

Shumë e rëndesishme mbetet njohja dhe ndërgjegjësimi i nënave me fiziologjinë e barrës së lindjes dhe përballimin e tyre sa më natyrshëm me qetësi e vetëbesim. Ulja e numrit të opercioneve çezariane është një detyrë e mjekëve specialistë në permirësim të cilësisë së jetës së grave të brezit të sotëm e të fëmijëve që do jenë brezi i nesërm. Mjekët shqiptarë duhet të ndjekin shëmbullin e kolegëve të tyre europiano-perëndimor ku përqindja ka rënë dhe ku një pjesë e lindjeve normale priten edhe nëpër shtëpi e vetë nënave në të ashtuquajturat “shtëpi lindjeje”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.