DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: “Jeta ime me Safet Zhulalin”. Rrëfehet gruaja, pse u arratisëm në Itali në mars 1997

07:00 - 21.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 21 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 “Jeta ime me Safet Zhulalin”. Rrëfehet gruaja, pse u arratisëm në Itali në mars 1997

Njohja në gjimnazin e Peshkopisë kur e kishte mësues, vitet në provincë dhe ndryshimi pas ’90. Ditët e vështira të marsit ’97 dhe muajt në qeli. Pse dhe sa qëndruan në itali dhe marrëdhëniet me Berishën. Amaneti i lënë gruas para vdekjes

“Jeta ime me Safet Zhulalin”

Rrëfimi i plotë i gruas, nga njohja deri në vdekje

Unë isha maturante ndërsa Safeti ishte mësues në gjimnazin e Peshkopisë. Kështu e nis rrëfimin për njohjen dhe jetën e saj me ish-ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulali, bashkëshortja e tij e cila tregon se ai ishte një prind shembullor.

Zonja Manushaqe, në ç‘periudhë të jetës jeni njohur me Safetin

Njohja jonë është realizuar në gjimnazin e qytetit të Peshkopisë, kur Safeti ishte mësues, ndërsa unë nxënëse në maturë. Atë vit kisha rastin ta njihja edhe për aftësitë e tij arsimdhënëse, sepse ishte edhe mësuesi im. Në lëndët e matematikës ishte tepër i përkushtuar dhe i komunikueshëm me nxënësit. Ndodhte, shpeshherë më ngrinte në dërrasë dhe mbetej i kënaqur nga përgatitja ime. Unë faktikisht isha sistematike në të gjitha lëndët. Ai vinte nga një familje mësuesish, të cilët ishin vendosur vullnetarisht në Dibër ëpr të ushtruar profesionin e tyre. Të gjithë flisnin mirë për pjesëtarët e familjes Zhulali, por faktikisht edhe ata e kanë ndjerë nga afër ngrohtësinë dhe mikpritjen e dibranëve. Në gjimnaz u njohëm e u dashuruam.

Si ndihej Safeti në punën e mësuesit, pranë një qyteti të vogël verior?

Ai kishte marrë nga prindërit e tij një edukatë të përsosur për të respektuar misionin e mësuesit, ndërsa fakti që jepte mësim në një qytet të vogël verior, nuk e shqetësonte aspak, sepse ai nuk ishte i merakosur për të jetuar në kryeqytet. Atij i mjaftonte vetëm mirëkuptimi me njerëzit dhe për këtë reflektonte gjithmonë seriozitet dhe korrektesë. Nuk e mbaj mend asnjëherë të jetë grindur me nxënësit dhe aq më pak me kolektivin e mësuesve. Pas vitit ’90, me ndryshimin e strukturave politike, Safeti u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në Peshkopi dhe më pas mori detyrën e ministrit.

 

 

A ishte entuziast Safeti për Tiranën dhe detyrën e ministrit të mbrojtjes?

Kjo për të nuk ishte diçka e rëndësishme. Ai ishte mësuar të kryente me korrektesë të gjitha punët që i ngarkoheshin. E rëndësishme për të ishte që të jepte kontributin e tij në ndryshimet e mëdha demokratike që ndodhën në Shqipëri. Ai e ndiente që kishte diçka për të ofruar në këtë proces dhe shumë shpejt politika u kthye në një pasion për të. Safeti u përfshi në sferat e larta të politikës botërore dhe ndihej shumë i lumtur për rezultatet pozitive që po arrinte vendi ynë në reformimin e Ushtrisë Shqiptare dhe në integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Ai shumë shpejt krijoi ide të qarta për rrugën që duhet të ndiqte Ushtria Shqiptare dhe ishte i vendosur për të arritur synimet e tij.

Si ishte Safeti në jetën familjare?

Do të thosha tepër korrekt dhe një prind shembullor. Pavarësisht se gjatë detyrimeve të tij politike dhe institucionale koha e tij për familjen ishte e kufizuar, ai gjithmonë dinte të ishte i pranishëm në gëzimet apo shqetësimet tona. Në rastet kur detyrohej të mos vinte, dinte të kërkonte falje për mungesën e tij.

A i frekuentonte Safeti klubet, kafenetë, lojërat e fatit apo ishte kundër tyre?

Absolutisht. Safeti ka qenë një armik i pijeve alkoolike dhe argëtime të tilla si lojëra fati, etj., nuk i ka njohur kurrë. E vetmja fatkeqësi e tij ishte duhani. Ai pinte dy paketa në ditë dhe kjo i bënte dëm për shëndetin. Kur të tjerët i tërhiqnin vëmendjen që ta pakësonte, ai thoshte gjithmonë se e kishte vendosur ta linte, por nuk e la. Megjithatë shpesh herë e rrallonte përkohësisht.

Si ishte ai në marrëdhënie me fëmijët?

Tri vajzat tona ishin për të pika e dobët. Sidomos kërkonte që ato të ishin shembullore jo vetëm në sjellje, por edhe në mësime. Këtë dëshirë të tri vajzat e kanë plotësuar gjatë gjithë aktivitetit të tyre shkollor. Dy binjaket kanë mbaruar universitetin në Selanik me diploma shembullore. Edhe vajza e vogël e mbaron këtë vit shkollën e mesme me medalje. Ky ka qenë obligimi dhe dëshira e Safetit që ai e la edhe në formë amaneti. Ai ishte krenar për fëmijët dhe kjo përbën një kulminacion për çdo prind. Safeti mbeti një shembull për të gjithë ne.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.