BOTA

KE-ja pritet të rekomandojë statusin kandidat për Ukrainën

12:10 - 17.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisioni Evropian do të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, thanë disa burime me të cilat bisedoi Radio Evropa e Lirë. Megjithatë, sipas tyre, statusi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për këto dy shtete do të vijë me disa kushte.




Komisioni Evropian pritet më 17 qershor të japë mendimin për aplikimet për anëtarësim që kanë dorëzuar Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Burimet thanë se Gjeorgjia do të marrë zotim se do t’i jepet statusi i vendit kandidat pasi të plotësojë disa kushte specifike.

Rekomandimet vlerësohen si shtysë e madhe për tri shtetet, veçanërisht për Ukrainën e cila shpreson që të ketë një rrugë më të shkurtër drejt anëtarësimit në BE, teksa shteti përballet me pushtimin e paprovokuar rus.
Burimet thanë se përparimi i mëtejmë për Ukrainën dhe Moldavinë do të kushtëzohet me përmbushjen e disa politikave, teksa Komisioni Evropian do ta vlerësojë sërish situatën në fund të vitit.

Për Ukrainën, këto kushte besohet se përfshijnë transparencën në zgjedhjen e anëtarëve të sistemit gjyqësor, respektimin e minoriteteve kombëtare dhe miratimin e legjislacionit sa i përket luftimit të shpëlarjes së parave dhe de-oligarizimin.

Për Moldavinë, kushtet përfshijnë reforma në gjyqësor, energji, klimë, siguri të ushqimit dhe në politikat e konkurrencës.

Për Gjeorgjinë ka kushte strikte për të marrë statusin e vendit kandidat përfshirë reformat në gjyqësi pasi për vite të tëra Brukseli dhe Tbilisi janë përplasur për këtë fushë.

Burimet thanë se disa çështje mbeten të hapura, sikurse mundësia për të tërhequr statusin e vendit kandidat në rast se nuk ka përparim ose kushtet nuk plotësohen. Po ashtu ka bisedime nëse duhet ose jo të ketë hapa të caktuar politikë që duhet të ndërmerren nga shtetet para se të fitojnë statusin e kandidatit.

Çështje të tilla pritet të diskutohen nga liderët e BE-së gjatë takimit më 23 dhe 24 shkurt në Bruksel, ku do të merret rekomandimi përfundimtar për rekomandimet e Komisionit Evropian.

Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendim që duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare.

Ky takim i Komisionit vjen një ditë pasi katër liderë evropianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.

Franca, Gjermania, Italia dhe Rumania janë në favor që Ukraina të marrë “menjëherë” statusin e vendit kandidat, tha më 16 qershor në Kiev, presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Vizita e liderëve evropian në Kiev kishte një simbolikë të fuqishme se BE-ja mbështet Zelenskyn, i cili i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i ofrojë shtetit të tij anëtarësim përmes procedurave të shkurtuara, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte “përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit të paprovokuar rus.

Zelensky ka dorëzuar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim në BE pak kohë pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt, ndërkaq Moldavia dhe Gjeorgjia kanë bërë një gjë të tillë pak kohë pas Kievit.

Macron më 16 qershor po ashtu premtoi se Franca do të rrisë dërgesat me armatime për Ukrainën, në mënyrë që Kievi të mund të përballet me pushtimin rus.

Dërgesa e re do të përfshijë dhe gjashtë armë të fuqishme të artilerisë, tha Macron, duke shtuar se liderët “po bëjnë gjithçka që Ukraina e vetme të mund të vendosë për fatin e saj”.

Scholz tha më 16 qershor se Gjermania mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë.

“Kolegët e mi dhe unë kemi ardhur në Kiev sot për të dhënë një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes evropiane”, tha Scholz.

Kjo ishte vizita e parë e Scholzit në Kiev që prej fillimit të luftës. Ai ka qenë nën presion që të vizitojë kryeqytetin ukrainas dhe të shprehë solidaritetin e tij me Ukrainën.

Ndërkaq, kryeministri italian Draghi, shprehu shqetësimet lidhur me me drithërat e Ukrainës, të cilat nuk po mund të eksportohen për shkak të bllokadave të Rusisë në portet e Detin të Zi. Ai tha se bllokada mund të sjellë “katastrofë në mbarë botën”.

“Ne duam që mizoritë të ndalen dhe ne duam paqe”, tha Draghi. “Por, Ukraina duhet ta mbrojë veten dhe do të jetë vetë Ukraina që do të zgjedhë paqen që do”.

Si Macron ashtu edhe Scholz po ashtu thanë se Ukraina duhet të përcaktojë kushtet e çdo marrëveshjeje të mundshme të paqes me Rusinë./Radio Evropa e Lirë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.