KULTURË

Nisin aplikimet për fondin e përkthimit në shqip të veprave të letërsisë botërore

13:32 - 03.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Kulturës, në mbështetje të politikave të saj ndaj librit ka hapur thirrjen për aplikime për përkthime letrare nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe. Fondi për Përkthimin Letrar (FPL) i kthyer në traditë përgjatë këtyre tri viteve ka mbështetur dhjetëra botime; 11 në vitin 2014, 18 në vitin 2015 dhe 12 në vitin 2016. Disa nga përkthyesit më të mirë të mbështetur nga FPL janë emra si Zef Simoni, Edmond Tupja, Afrim Koçi, Klara Kodra, Piro Misha, Bajram Karabolli, Romeo Çollaku, Agron Tufa, Rudi Erebara, Ben Andoni, Ledia Dushi etj. Ndërkohë, përmes këtij programi të Ministrisë së Kulturës, në gjuhën shqipe janë sjellë cilësisht autorë të rëndësishëm si, Umberto Eco, Milan Kundera, Osip Mandelshtam, Odiseas Elitis, Stefan Zëeig, Luigi Pirandello, Carlos Fuentes, Paul Celan, Joseph Conrad, Roberto Bola?o, Kenzeburo Oe, Melville etj. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se Fondi, përveçse një ndihmesë e drejtpërdrejtë për përkthyesit dhe shtëpitë botuese, është edhe një tregues vlerësimi për përkthimet më të mira. Fondi për Përkthimin Letrar (FPL), edhe këtë vit, do të nxisë dhe mbështesë financiarisht përkthime të arrira të veprave të rëndësishme të letërsisë europiane dhe asaj botërore në gjuhën shqipe. Fondi i përkthimeve letrare i krijuar nga Ministria e Kulturës kap vlerën 2 milionë lekë për vitin 2017 dhe mbështet përkthime me cilësi të lartë të letërsisë së huaj. Afati i fundit i aplikimit për FPL është data 28 shkurt 2017, ora 14:00.
Aplikimi
Aplikimi duhet të bëhet nga botuesi, që është i pajisur me një licencë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Botuesi duhet të ketë siguruar të drejtat e autorit përpara se të aplikojë ose të jetë në proces përmbyllës të sigurimit të këtyre të drejtave, proces që duhet të kryhet brenda afatit të dorëzimit të përkthimit parashikuar nga kontrata. Pas miratimit për mbështetje financiare të përkthimit, Ministria e Kulturës nënshkruan një kontratë trepalëshe me përkthyesin e kësaj vepre dhe botuesin. Financimi (i plotë ose i pjesshëm) i përkthimit të veprës do të mundësohet nga Ministria e Kulturës dhe i shkon drejtpërdrejt përkthyesit.
Në aplikim bëhet me dije gjuha nga përkthehet, titulli i veprës, autori, zhanri, botuesi (i veprës origjinale), jepet statusi i të drejtës së përkthimit, numri i faqeve, tirazhi i botimit, çmimi për kopje, afati i parashikuar për botimin në shqip etj.
Ministria e Kulturës, për përkthimin e pjesshëm ose të plotë të veprës, e paguan përkthyesin me shumën 1000 lekë për faqe (faqja = 2200 karaktere të përkthyera me hapësirë) për përkthime nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe. Kufiri i financimit nga MK për një aplikim nuk mund të jetë më shumë se 250 000 lekë, pavarësisht numrit të faqeve të librit që është përzgjedhur nga MK.
Teksti duhet të përkthehet nga gjuha origjinale, ndërsa MK bën me dije se parapëlqehen autorë të njohur të shekullit XX dhe të kohës sonë.
Ministria e Kulturë angazhohet për të parandaluar çdo keqpërdorim, abuzim apo kopjim të tekstit të përkthyer, ndërsa aplikuesi duhet të tregojë nëse ka aplikuar apo ka siguruar mbështetje financiare nga burime të tjera. Prova e përkthimit do të shqyrtohet nga një ekspert i fushës. Drejtoria përkatëse ka përgjegjësinë për ruajtjen e anonimatit për palët e ndërsjella gjatë procesit të shqyrtimit.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.