OPINION

‘GSH.al’, si vazhdim i luftës me mjete të tjera

06:14 - 02.03.17 Erl MURATI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Erl MURATI – Në esenë e tij të famshme “Për dashurinë e një profesioni”, gazetari më i famshëm italian i shekullit të kaluar, Indro Montanelli përshkruan editorët e rinj dhe ajo që i ka bërë përshtypje tek ata. “Qëndrojnë gjithnjë e më pak në zyrën e tyre, – thotë ai – ata sot qëndrojnë në zyrën e marketingut, ngase gjëja themelore e një gazete është e ashtuquajtura audiencë. Audienca sjell publicitet, sepse një gazetë nuk duhet vetëm të jetojë, por duhet edhe të prodhojë para, para së gjithash nëse dëshiron të jetë e pavarur”.




Është viti im i dhjetë në “Gazetën Shqiptare” dhe kam shkelur në zyrën e financë-marketingut në muajt e fundit, më shumë se në një dekadë të marrë së bashku.

Montanelli prek në zemër qëllimin e gazetarisë: audienca, lexuesi apo shikuesi, janë në thelb arsyeja apo kryearsyeja e ekzistencës së një medieje. Pa audiencë masive dhe cilësore, s’do ta mësonim kurrë a do të kishim media të mira a të këqija. E njëjta gjë vlen edhe për letërsinë: pa lexues, pra pa konsumator, s’do ta kuptonim kurrë nëse, fjala vjen Kadare është më i madhi i letrave shqipe apo Coelho – më i madhi shkrimtar i brez-kulturës së “Coca Colës”.

Në përpjekje pra, për ta ndjekur lexuesin, për t’ju përshtatur, për t’ju avitur e për t’ia ngjeshur në dorë gazetën tonë, “Gazeta Shqiptare” nisi që nga dje publikimin edhe në variantin “on-line”.

Duke parë me keqardhje grahmat e printit, duke ndjerë frikën se gazetat mund të kenë jo shumë larg fatin e radios, pra të shndërrohen në relike romantike të një kohe tjetër, portali më i ri www.gsh.al është i aksesueshëm që nga dje, në oqeanin e pamatë të internetit.

“Portal tjetër dmth? :-)))”, më pyeti me shaka kryeministri kur e ftova pak ditë më parë të jepte një intervistë në “Gazetën Shqiptare”.

Pyetja në vetvete është retorike, madje ca më keq, më duket se bart në vetvete një fare ngarkese negative, ndoshta edhe për shkak të strukturës së fjalës “portal”, e cila me një shkronjë më shumë e një gërmë më pak, do fillonte të binte erë të rëndë.

Nuk më pëlqen pra, të përdor fjalën portal, madje nuk më pëlqen të përdor as fjalën media e re. Prirem më shumë ta mendoj si degë të re të një trungu të vjetër. Një trung, i cili zuri rrënjë në korrikun e vitit 1927 me çeljen e numrit të parë të “Gazetës Shqiptare” e printuar në Bari, zuri të thahej me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste në vitin 1939 dhe rilindi (eh, rilindi) në prill të vitit 1993.

Hapja e ‘GSH.al’ është në fakt një zhvillim historik për traditën modeste “90-vjeçare” të gazetës që unë kam privilegjin të drejtoj, tek e cila jam rritur si gazetar, redaktor, zv/kryeredaktor dhe prej 2009 kryeredaktor.

‘GSH.al’ do të jetë asgjë më shumë e asgjë më pak, se fytyra virtuale apo dixhitale e “Gazetës Shqiptare” në letër. Më vjen ndërmend perifrazimi i shprehjes së njohur të Klauzevicit: S’është asgjë më shumë se “vazhdimi i luftës me mjete të tjera”.

“A mendon se bijëza do ta hajë nënën?”, më pyeti kolegu Xhaxhiu mbrëmjen e shkuar në transmetim direkt. “Jo vetëm që s’do ta hajë, – i thashë – por do të rriten bashkë, do të bashkëjetojnë e bashkëveprojnë si pjesë e një trungu të vetëm, siç ka bashkëjetuar mrekullisht gjithë këto vite me ‘News 24’, ‘Balkanweb’ dhe ‘Rash’”. Me vullnet të mirë e “cuor’in mano” siç do të thoshte Montanelli, kjo botë e vogël ka vend për të gjithë. Dhe nëse të gjithë do të ndërtojmë ura në vend të mureve, të gjithë mund të çlirohemi e të thërrasim “MMGA” – “Make Media Great Again”.

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.