EKONOMI

Rivaksinimi për fruthin, “fshihet” çmimi i vaksinës

08:30 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ola MITRE




Fatmira, një vajzë e lindur në datën 6 gusht 1986, thotë se “nuk ka asnjë informacion rreth faktit se duhet të rivaksionohet për fruthin dhe rubeolën”. “Isha 3 ditë më parë te mjeku i familjes, pasi mu desh një rekomandim për te mjeku specialist ORL, por mjeku im nuk më tha asgjë rreth këtij fakti”,-shton 31-vjeçarja. Sikurse Fatmira, rreth 700 mijë persona të lindur në periudhën 1980-1990 do t’iu duhet të ribëjnë këtë vaksinë, por informacioni nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për këtë pjesë të popullatës duket se nuk ka shkuar te personat në fjalë.
Rivaksinimi
Rreth një vit më parë, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se “të gjithë personat e lindur në vitet 1980-1990 do të duhet të ribëjnë vaksinën e fruthit, pasi në atë kohë nuk kishte funksionuar zinxhiri ftohës për ruajtjen e tyre”. Deklarata u bë gjatë një takimi informal me gazetarë, të organizuar në kuadër të Javës së Vaksinimit. Fakti se rreth 700 mijë vetë të lindur në atë kohë ishin të rrezikuar për t’u infektuar, pasi nuk ishin imunizuar duhej të ishte një alarm, por ISHP u mjaftua me këtë fjali, që, gjithsesi, nuk u la pa u përmendur nëpër media. Pas kësaj, nuk pati asnjë njoftim të mëtejshëm, asnjë fushatë informuese dhe asnjë vaksinë të vënë në dispozicion për këta persona. Heshtja 1-vjeçare e MSH-së dhe ISHP-së u thye pikërisht javën që sapo lamë pas, sërish në kuadër të Javës Evropiane të Vaksinimit. Në disa media, u panë përfaqësues të ISHP-së, të cilët jepnin mesazhin se këta persona do të duhej të rivaksionoheshin. Sipas tyre, tashmë Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion vaksinat, në çdo qendër shëndetësore dhe kushdo që është i interesuar mund të shkojë të “ribëjë” vaksinën. Megjithatë, nga MSH dhe ISHP nuk pati asnjë njoftim zyrtar apo informacion shtesë rreth praktikave që do ndiqeshin apo mënyrës sesi do të funksiononte kalendari i rivaksinimit. I vetmi njoftim i MSH-së fokusohej te premtimi i ministres, Ogerta Manastirliu, sipas së cilës në vitin 2018 do të përfshihet në kalendar edhe vaksina e rotavirusit. I pyetur për mungesën e një njoftimi zyrtar, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu tha se “janë shpërndarë udhëzimet”. “Përmes mjekut të familjes, njoftimit të familjarëve, nëpërmjet rrjeteve sociale, nëpërmjet website-it të ISHP-së dhe Javës Evropiane të Imunizimit informacioni ka shkuar deri në qelizë besoj . Ne kemi trajnuar gjithë stafet tona”, shtoi Bregu. Por, nga një kërkim i realizuar nga “Gazeta Shqiptare” në faqen zyrtare të ISHP-së nuk ka asnjë informacion për këtë çështje. I vetmi material lidhet me shpjegimin e Javës Evropiane të Vaksinimit dhe rëndësinë që ajo ka në promovimin e vaksinave. “Unë si mjeke familje nuk kam asnjë shkresë në lidhje me informacionit që duhet t’u jap pacientëve të mi për rivaksinimin e fruthit. Ndoshta ka shkuar në drejtori, por unë personalisht nuk kam gjë”,-tha një mjeke familjeje në Tiranë, në kushtet e anonimatit, duke shtuar se nuk iu është bërë asnjë trajnim në lidhje me këtë çështje. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me koston e vaksinave të vëna në dispozicion nëpër qendrat shëndetësore, Arjan Bregu nuk preferoi të japë shifra. “Kjo tani është një çështje që s’të jap dot përgjigje, sepse nuk ka ndonjë rëndësi. Njerëzit duhet të vërshojnë nëpër qendra shëndetësore, por vaksina nuk është detyrueshme”,- u shpreh Bregu. “Gazeta Shqiptare” tentoi të verifikoi procedurat e prokurimit publik për blerje vaksinash, por faqja online e Agjencisë së Prokurimit Publik ishte jashtë funksionit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.