Speciale

Masakra tek Zogu I/ Nëna e 2 vëllezërve të vrarë: Lidhja e djemve me Salvatore Letizian

16:53 - 04.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Klodiana LALA

 

E veshur me te zeza, me zerin qe i dridhej dhe me syte e perfolur, nëna e dy vëllezërve të vrarë, Durim e Besnik Sulku dha dëshminë e saj përpara gjykatës për Krime të Rënda, kunder te pandehurve Markeljan e Klejvi Doçi dhe italianit Salvatore Letizia, i njohur si kapo i një prej klaneve të Kamorras. Tre të pandehurit, akuzohen për masakrën e ndodhur me 27 maj 2015, pranë fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku mbetën të vrarë, Mentor Doçi, miku i tij, Gerd Goxhaj dhe Besnik Sulku.

GSH. al sjell sot dëshminë e Gjysere Sulkut para gjykatës. “Kisha katër fëmijë, por tani kam vetem dy. Nje djale, Durimi u vra ne Holande me 6 prill 2015. Mua më thanë se vdiq në aksident. Trupin e tij e sollën 12 ditë më vonë. Shkoi vajza dhe nipi e sollën trupin. Nga lajmet kam mësuar se djalin ma kanë vrarë Markeljan e Klejvi Doçi. Djali tjetër Besniku u vra ditën që kishim të 40 e vdekjes së Durimit…”.

Gruaja 67-vjecare shpjegoi përpara trupës gjykuese edhe njohjen me të pandehurin Salvatore Letizia, i njohur ndryshe me nofkën Picollo Letizia.

Italiani po gjykohet për vrasjen e Mentor Doçit, xhaxhait të të pandehurve Markeljan e Klejvi Doçi, për motive gjakmarrje, pasi e akuzonte si porositës të ekzekutimit të Durim Sulkut.

“Salvatore Letizia ishte bërë vëlla gjaku me djalin tim Besnikun. Ai vinte në shtëpinë tonë. Hera e fundit, ishte dita kur kishim të 40 e vdekjes së djalit Durimit. Na takoi, piu kafe dhe hëngri drekën. Diku rreth orës 14:00 u largua bashkë me djalin Besnikun. Atë ditë, Besniku u vra afër stacionit të Trenit. Prapë nga televizionet e mësova se në vrasje kishin gisht këta djemte”.

E pyetur nëse kishin patur konflikte me familjen Doçi, Gjysere Sulku i tha gjykatës se kanë qenë në të njëjtën lagje dhe të pandehurit dhe xhaxhain e tyre, Mentor Doçi, i ka njohur që fëmijë.

“Djemtë kanë qenë moshatarë dhe kur kanë qenë 18 vjec kanë patur një debat të fortë. Se di pse ndodhi, por unë vajta te gjyshja e tyre, me të cilën punoja dhe desha ta pajtoheshin”.

Pas nënës së dy viktimave, përpara gjykatës dha dëshminë edhe Fllanxa Sulku, e veja e viktimës Besnik Sulku, e cila gjithashtu shpjegoi me detaje lidhjen e të shoqit të ndjerë me të pandehurin Letizia.

Ndërsa, sportelisti i hotelit ku u arrestua italiani pak orë pas  masakrës, tha se në xhepin e xhaketës së tij, oficerët e policisë gjetën fotografinë e viktimës Mentor Doçi.

Sipas prokurorisë, Besnik Sulku kishte paguar Salvatore Letizian për të vrarë Mentor Doçin, të cilin e akuzonte si urdhërues  dhe Besnik Sulku i zunë pritë Mentor Doçit, për ta ekzekutuar pasi e akuzonte si urdhërues të vrasjes së vëllait të tij, Durimit në Holandë.

Menjëherë sapo Letizia ekzekutoi Doçin, dy nipat e viktimës, qëlluan për vdekje në shenjë hakmarrje Besnik Sulkun.

EKZEKUTIMI I TREFISHTE NE 2015

Ngjarja e rëndë që shënoi tri viktima ndodhi rreth orës 18:00 të pasdites së 27 majit 2015, në bulevardin “Zogu i Parë”. Mentor Lufi dhe miku i tij, Gerti Goxhaj, ishin ulur bashkë me disa miq në lokal “H…”, që ndodhet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, përballë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Në një tavolinë ngjitur me të ishin ulur dy nipat e Mentor Doçit, Markeljan Doçi dhe Klejvi Doçi. Pasi kanë përfunduar kafen, të gjithë u janë drejtuar makinave të tyre. Në makinën “Tuareg” me targa AA xxx KE kanë hipur Markeljan e Klejvi Doçi, në automjetin tip “BMW” kanë hipur Mentor Lufi (Doçi) dhe Gerti Goxhaj, ndërsa personat e tjerë janë larguar me një automjet tjetër “Range Rover”. Automjetet “BMW” dhe “Tuareg” kanë lëvizur njëra pas tjetrës.

Përpara ka qenë automjeti tip “BMW”, i cili drejtohej nga Gerti Goxhaj dhe pasagjer Mentor Doçi. Në momentin që kanë filluar lëvizjen, pranë makinës “BMW” janë afruar dy persona të maskuar, të cilët kanë pasur pistoleta në dorë dhe kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke lënë të plagosur rëndë Doçin, i cili gjeti vdekjen rrugës për në spital, ndërsa Goxhaj mbeti i vdekur në vend. Markeljan Doçi, nipi i Mentor Lufit, i ka dhënë shpejtësi makinës së tij, duke përplasur një prej personave të maskuar, dhe konkretisht italianin Salvatore Letizia. Menjëherë ka ndaluar makinën, dhe Markeljani së bashku me Klejvin kanë zbritur. Markeljani ka pasur me vete një pistoletë dhe është vënë në ndjekje të njërit prej personave që kishte qëlluar në drejtim të xhaxhait të tij. Sipas prokurorisë, ai ka qëlluar për vdekje Besnik Sulkun. Nga hetimet rezultoi se Besnik Sulku organizoi vrasjen e Mentor Lufit, për të marrë gjakun e vëllait të tij, Durim Sulku, i vrarë në Holandë më 6 prill 2015. Për këtë ai kishte kërkuar dhe ndihmën e Salvatore Letizia-s, me të cilin kishte miqësi. Dy vëllezërit Doçi dhe Letizia, ndodhen tashmë prapa hekurave.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.