KULTURË

Ekspozita / Dalin stampat e rralla të Marubit

11:20 - 11.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Marubi Celebrates the Originals”, kuruar nga Rudolf Schäfer, shfaq stampat origjinale e të rralla të Marubit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë, që mban emrin e tij. Sipas kuratorit, të flasësh për origjinalin në kontekstin e fotografisë ngjall gjithmonë shumë diskutime. “Për këtë, një nga filozofët e parë të modernizmit klasik, Walter Benjamin, në ‘Vepra e artit në epokën e riprodhimit të saj teknik’ deklaronte se fotografia nuk ka aura, duke i mohuar asaj origjinalitetin që mund t’i atribuohet një vepre arti”. Ekspozita është e hapur nga data 11 maj deri më 30 korrik 2017, pranë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Schäfer shënon se koncepti i “stampës origjinale” në fotografi cilëson një pozitiv që riprodhohet menjëherë pas krijimit të negativit, nga fotografi ose nën kujdesin e tij. Këto janë “origjinalet” e mediumit fotografik. Ai vëren se nga një negativ mund të prodhohen kopje të ndryshme për persona të ndryshëm. “Fotografi i vendos një shënim dhe i jep një numër secilit prej tyre. Në tregun e artit, stampat origjinale njihen si stampa të prodhuara me metoda të ndryshme të cilat tani nuk përdoren më. Punime të tilla sot janë të rralla dhe konsiderohen të një mjeshtërie të lartë meqë gabimet teknike rregulloheshin nga fotografët me teknikat e tyre të përpunimit të imazhit për arsye artistike”.  Kuratori mandej bën me dije se stampat origjinale të fotografëve të famshëm janë gjithmonë punime dore. Në shekullin XIX dhe XX, procesi i xhelatinës me kripë argjendi ishte më i përdoruri për prodhimin e stampave bardhezi. Metoda të tjera përdoreshin më pak për shkak të vështirësive teknike dhe kostove të larta. Mesatarisht, nga çdo negativ prodhoheshin tetë deri në dymbëdhjetë stampa. Nga këto, vetëm pak kanë mbijetuar në ditët tona. Pjesa më e madhe e fotografive të kësaj ekspozite janë kopjet e fundit ekzistuese të një negativi të ruajtur në Muzeun Marubi.
“Gjatë përgatitjeve të ekspozitës më ka shqetësuar kryesisht një fakt: nga Studio Marubi kemi trashëguar në ditët tona qindra-mijëra negativë. Ato sot ruhen me standarde bashkëkohore, ndonëse një pjesë e tyre, negativë prej xhami, janë dëmtuar. Po pse është kaq e vështirë të gjenden stampat origjinale? Muzeu Marubi posedon vetëm disa prej tyre”, – thotë Rudolf Schäfer. Digjitalizimi e ka transformuar fotografinë, nga një “realitet dhe medium i së vërtetës”, në një “nga mediumet e imazhit”, thotë Urs Stahel, themelues i Muzeut të Fotografisë Winterthur në Zvicër. Përtej kësaj, ajo mbetet e lidhur me “skanimin e botës” dhe imazhet sot përdoren kryesisht për komunikim në rrjetet sociale. Fotografitë me smartphone qarkullojnë në të gjithë botën. A është apo s’është e mundur të ruhen fotografitë bashkëkohore për kohëra të gjata, ashtu siç ka bërë Muzeu Marubi, kjo është akoma për t’u parë. “Sipas meje, nga njëra anë qëndron puna e studios fotografike, falë së cilës kanë arritur në ditët tona këto stampa të rralla. Fotografitë shiteshin dhe negativët arkivoheshin, në rast se klienti i kërkonte përsëri. Nga ana tjetër lind edhe pyetja: kush ishte klienti i zakonshëm i Dritëshkronjës Marubi nga viti 1858 deri në 1945 dhe si ndryshoi kjo me ardhjen e regjimit komunist?”- pyet kuratori i ekspozitës, duke nënvizuar se “me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës në vitin 1944, shumë njerëz u persekutuan dhe u etiketuan si armiq të popullit, kundërrevolucionarë, e si të tillë u ekzekutuan dhe u dërguan në kampe pune. Këto fotografi u fshehën si dëshmi e rrezikshme dhe shpesh u shkatërruan. Të gjitha stampat origjinale të Marubit përbëjnë vlera të papërsëritshme dhe na ndihmojnë të përballemi me amnezinë që mungesa e tyre ka prodhuar, sidomos gjatë periudhës së komunizmit”. Kuratori do të mbajë një bisedë më 12 maj në muze, ku do të sqarojë më gjerë konceptin e ekspozitës, interesin e tij për stampat origjinale si një nga vlerat më të mëdha të koleksionit Marubi, pjesë e rëndësishme e memories sonë kolektive.
“E kaluara as nuk vdes, as nuk kalon”, – William Faulkner, Requiem for a Nun.                      (fa.ni.)





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.