KULTURË

Kineastja para maviolës/ Adriana Elini, si personazh romani që humbi në heshtje

11:29 - 11.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Fatmira NIKOLLI




Zakonisht, dokumentarët e viteve ’50-’60-’70, mund të quhen dokumentarë të heshtur, megjithëse rëndom përcaktohen si propagandistikë. Kamera xhironte pa pushim. Filmi montohej në heshtje. Zëri dhe muzika ose patetizmi i kohës ndërhynte më pas, nën drejtimin e regjisë. Por për Adriana Elinin, heshtja ishte më e gjatë. Sot kanë mbetur dhjetëra e dhjetëra dokumentarë të xhiruar me këndvështrimin e saj, por zëri ishte tjetër, i shkruar nga skenaristi dhe i lexuar nga një spiker që bashkonte mendimin gjysmë njerëzor e gjysmë propagandistik”.
Natasha Lako ka dhjetëra kujtime me Adriana Elini Xhajankën. Në këtë 80-vjetor të regjisores, ajo hedh mbi letër ç’mban mend prej saj, duke mos dashur që përvjetori i lindjes së kineastes të kalojë në heshtje. “E përfytyroj ankthin e Adriana Elinit dhe kujdesin e saj që njeriu të fliste disa fjalë të vetat. Kështu, filmi me zë të vërtetë po i zinte vendin filmit pa zë të vërtetë, sikur të ishim ende në vitet ’30”, – shton Lako me gjuhën e poetes.
“E palodhur dhe me një dashuri të madhe për profesionin e saj”, kujton ajo, “ne mund t’i themi dhjetëra herë faleminderit kineastes që nuk e shijoi dhe nuk e kërkoi asnjëherë suksesin e ditës, por mbeti e skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare. Është një detyrim njerëzor dhe shoqëror, që t’i themi edhe sot në vitin 2017 faleminderit Adrianës që punën si kineaste e filloi që në vitin e hapjes së një universiteti, dhe i mbylli sytë me ndërrimin e madh të sistemeve”. Adriana Elini- Xhajanka, lindi në Tiranë, më 3 prill 1937, e pasi kreu studimet në fakultetin e Histori-Gjeografisë, me punën e saj në ish-Kinostudio, i ra kryq e tërthor Shqipërisë, duke ekranizuar “fletë librash”, ngjarje, data e personazhe që bënë historinë e këtij populli, duke i përjetësuar ata në celuloid.
KUR XHIRONIM NJË FILM
“Adriana, ishte një grua e ndrojtur, me një shpirt të pasur dhe poetik, e dashur me të gjithë dhe me një zemër që rrihte veç për artin. Asnjëherë nuk u mburr dhe lëvdatat i priste me një buzëqeshje të lehtë. Më kujtohen gjithashtu dhe xhirimet e dy filmave dokumentarë për të cilët i kisha shkruar skenarin. Ideja për të realizuar një film për pensionistët e qytetit të Sarandës, që edhe pse dilnin në pension, i përkushtoheshin qytetit të tyre, i pëlqeu shumë. Kështu ne shkuam së bashku për xhirim. Madje një natë e kaluam në një peshkarexhë, ku peshkatari i vjetër shkonte të jepte përvojën e tij. Një natë në det ishte diçka e jashtëzakonshme për një grua dhe ajo ishte gjithë frymëzim, pasi ata njerëz që kujdeseshin për prodhimin apo ullishtat e qytetit etj., e kishin bërë për vete”. Luana Rama mban mend punët së bashku.
Përmend “E ëmbël jeta e njeriut”, pasi peshkatarët nuk donin të përfundonin në një jetë boshe; dhe filmin për heroin e Shkodrës, Manush Alimani “Ju përshëndes”. Ndërsa i thërret kujtesës së dekadave më parë, Luan Rama, mbi tastierë, radhit këto shkronja: “Adriana ishte një personazh romani, që humbi si fluturat…”
Mban mend madje se si punon deri pas mesnate. “Ndodhte, për përfundimin e ndonjë filmi urgjent, një kinoditari apo filmi dokumentar, në dhomën e montazhit e pastaj në incizimin e filmit. Gjithnjë me atë pasionin e saj për të realizuar diçka sa më perfekte dhe të një lloji poetik”.
Njëherë, ai do t’i kërkonte t’i mësonte profesionin e montazherit. “Më vuri përpara ‘maviolës’ dhe më tregoi se si montoheshin dy ‘plane’ apo shirita filmi. Sigurisht, në fillim ajo qeshte me mua, pasi shpesh i ngjisja keq, por ajo i shqiste dhe më tregonte me durim se si ta ngjisja sërish. Kishte një durim të jashtëzakonshëm”. Shënon se Elini nuk ankohej kurrë, as për diçka, as për dikë. Shpesh ndodhte, që kur dilnin vonë natën nga studioja, në oborr e priste i shoqi i saj. “Një njeri me një mirësjellje të jashtëzakonshme”, kujton Luani. “Të dy largoheshin me një përshëndetje duke humbur në errësirë sikur të ishin dy të dashuruar”.
Ai ishte në Paris, kur do mësonte se Adriana kishte ikur për të mos u kthyer më, por e mban mend mirë atë fytyrë gjithnjë të qeshur, të njëjtën fytyrë që ende skuqej kur fliste, një fytyrë me dy sy të ëmbël që kish pasur pranë prej gati 13 vjetësh kur punonin bashkë në xhirimin dhe montimin e filmave, gjithnjë të shqetësuar për punën dhe që rrezatonte dashuri.
PËR HESHTJEN E SAJ
“Heshtja e imazhit ishte e Adrianës”. Natasha Lako, vëren se ashtu si ishte edhe qetësia e saj e përhershme, në xhirim ose para maviolës ku kishte filluar punën, në vitin 1957 në moshën 20- vjeçare. Lako shënon se dokumentari i saj i parë quhej “Universiteti ynë”. “Në dokumentarin e fundit, provohen sinkronet direkt. Kjo tregon se në fund të viteve ’80, ka filluar që njeriu i zakonshëm ka fituar një farë të drejte për të folur direkt para kamerës. 19 dokumentarë gjatë viteve ’70 dhe 17 gjatë viteve ’90, e heshtur kur e caktonin të merrte rrugë të largëta”, ajo e mban mend kështu. Shton se Adriana Elini mbetet regjisorja që ka fiksuar pothuaj të gjithë njerëzit e profesioneve të ndryshme për 30 vjet me radhë, derisa u nda nga jeta para kohe. “Rruga e kësaj regjisoreje është rruga e kamerës që gjithnjë e më tepër kishte filluar të takonte njeriun e zakonshëm”. Madje, Lako vëren se në Kinostudio, Elini e bëri çdo gjë qetë-qetë dhe në mënyrë të natyrshme. “Kishte vetinë e vrojtimit të objekteve deri në detaje, sa t’i bënte të flisnin vetë, në heshtjen e tyre. T’i afroheshe aq shumë njeriut, ishte e vështirë. E vështirë nga klishetë e pasqyrimit të njeriut në grup, në plane të përgjithshme, entuziaste ose masive. Kjo kohë po kapërcehej ngadalë, veçanërisht pas krijimit të kronikës televizive që mori detyrën e parë të informacionit”, – shënon Lako. Mandej, poetja vëren se në vend të entuziazmit, po guxohej të tregohej një farë paralajmërimi i pronës shtetërore dhe përqendrimi te nismat direkte.
“Sot, duket si diçka e parëndësishme të flasësh për teknika të kapërcyera dhe për rolin e spikerit pompoz dhe propagandistik ku notat meditative janë të rralla. Beteja për zërin drejtpërdrejt ose sinkronet si quheshin në diskutime, vështirësitë teknike, janë lënë pas, por hierarkia e imazhit ishte prishur dalëngadalë, dhe për këtë një meritë ka edhe Adriana Elini. Nga festivali i gjashtë te kujtimet për Enverin që filluan të mblidheshin në çdo rreth, regjia e Adriana Elinit, pohon realitetin përballë në një gamë nga më të çuditshmet”, – thekson Natasha Lako.
Ajo flet për hyrje të drejtpërdrejtë të zërit të njeriut dhe detaje të shumta që fillojnë të kthejnë në një ‘personazh’ të gjallë dhe real, çdo njeri, që shkëputej në një farë mënyre nga anonimiteti. “Dhe nuk ishte e paktë të çliroje para kamerës për t’i portretizuar sadopak edhe ata që jetonin nëpër vendet më të largëta, që duhej të kontrollonin fjalët shpeshherë në standardizimin e tyre”.
Elini, kish punuar me durimin e një qëndistareje për të fiksuar njeriun, çka ishte mjaft e vështirë.
“Në ekranin shqiptar kanë mbetur të xhiruara dhjetëra e dhjetëra fytyra, nën drejtimin e saj. Dhe sikur nga kronikat dhe këta dokumentarë të kenë mbetur vetëm njerëzit si portrete dhe si shfaqje të kohës kur kanë jetuar, është një kontribut i njëjtë me atë të piktorëve që kanë lënë portrete të të tjerëve. Dhe nëse ne ndalojmë të shohim një natyrë mort, të një ekspozite të dikurshme ose të sotme, ne do të ndalojmë të shohim edhe atë që na ka lënë syri i Adriana Elinit”, – vë në dukje Lako. Në fund, ajo shton se në këtë vit të goditjeve ndaj punës së kineastëve të parë, le të bëhemi më koshientë për këndvështrimin që na ka lënë në pelikulë edhe një kineaste si Adriana Elini, e cila asnjëherë nuk na tregoi sa qe e ndërgjegjshme, për thesarin që na ka lënë në atë imazh analitik dhe të durueshëm, që sot shërben si dëshmi e një kohe të ikur, por të fiksuar njëherë e përgjithmonë, si në të gjitha vendet e tjera të kësaj bote.
“Pagëzimi” profesional i regjisores së re të montazhit, ishte filmi artistik, “Horizonte të hapura”, me regjisor Viktor Gjika, skenarist, shkrimtarin Dritëro Agolli, që qe simbolikisht edhe një horizont i hapur për kineasten e re. Adriana Elini- Xhajanka ishte regjisore e filmit më të mirë portret, “Kol Idromeno, figurë e shquar kombëtare”, fituese e medaljes “Regjisorja më e mirë e Festivalit” me filmin “Çdo vijë, një vizatim” dhe ka realizuar filma si “Mjeshtri dhe nxënësi e tij”, “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, “Fanfarat e të vegjëlve”, “Dritë në Koman”, “Furrënalta” , “Arti i lashtë, mjeshtra të rinj” etj.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Adrianen e njoh ne xhirimin e filmit Cdo vije eshte nje vizatim.Une duhej te merja pjese ne kete film por kasha njolle ne biografi qe nenen e kasha te lindur ne Maqedoni dhe sekretarja e Lagjes Drita Ruvina spranonte.Adriana me kembenguljen e saj debatonte qe une te merja pjese ne kete film perderisa isha drejtuese ne kopesht nuk kishte arsye te mos pranohesha thoshte Adriana.Ruaj kujtimet me te embla per te nje grua e qete pa mburje apo mendjemadhesi .Ajo ishte mjaft e edukuar dhe respektonte te gjithe gjate punes se xhirimit te filmit.Nuk e di pse ky film eshte zhdukur se gjej ne asnje vend.

    Përgjigju ↓