Speciale

Drama e babait të Blerta Pepës: Kur pashë mjekët që e shtypnin në kraharor, më ra të fikët. Ja ëndrra e saj

13:45 - 17.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Xhensila KODRA

Me sytë të mbushur me lot dhe zemër të copëtuar nga dhimbja, Bardhyl Pepa, babai i 16-vjeçares që ndërroi jetë në spitalin privat, tregon për ‘Gazeta Shqiptare’ se si vajza e tij u dëmtua në orën e Fizkulturës dhe konsultat që kanë bërë nëpër klinika të ndryshme në vendin tonë. “Disa mjekë na thanë se ndërhyrja e vajzës mund të bëhej më vonë për shkak se ajo ishte në rritje dhe dëmtimi mund t’i përsëritej, por jo se mund të kishte komplikacione me shëndetin apo me jetën e saj. Ndërsa në spitalin ‘Continental’ na dhanë garanci”, – shprehet ai. Për humbjen e së bijës, babai i Blertës e drejton gishtin nga mjekët që i bënë anestezinë, pasi sipas tij vogëlushja ishte alergjike, dhe për këtë fakt u kishte vënë në dispozicion mjekëve edhe kartelën mjekësore të saj.
Zoti Bardhyl, vajza juaj humbi jetën pas operacionit në gju. Kur dhe si u dëmtua Blerta?
Vajza ime kishte gati dy javë që ishte dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë fizkulturë në shkollë, gjatë orës së mësimit. Kur erdhi në shtëpi, na tha se kishte dhimbje dhe e kemi çuar për t’i bërë një grafi. Vajza kishte sërish dhimbje dhe nuk ecte dot, dhe i bëmë një rezonancë, e cila nxori se vajza kishte pasur dëmtim në meniskut dhe këputje të ligamentit.
Kur e bëtë rezonancën dhe si vepruat më tej?
Rezonancën ia bëmë vajzës pak ditë pasi ajo kishte lënduar këmbën. U interesuam nëpër spitale të ndryshme këtu në Tiranë dhe kemi biseduar me disa mjekë. Disa na thanë se nuk ishte e nevojshme që vajza të futej tani në operacion, por mund të pritej edhe për një periudhë disamujore duke qenë se vajza ishte në rritje.
Konsultat, i keni bërë vetëm në spitale private?
Jo, konsultat me mjekë i kemi bërë edhe në spital shtetëror, edhe në klinika private. Njëri prej spitaleve ishte edhe ai “Continental”. Në këtë spital u konsultuam me një mjek të huaj që vinte nga Greqia sepse punonte edhe atje. Ndryshe nga sa na thanë disa mjekë të tjerë, se ndërhyrja e vajzës mund të bëhej më vonë për shkak se ajo ishte në rritje dhe dëmtimi mund t’i përsëritej, por jo se mund të kishte komplikacione me shëndetin apo me jetën e sime bije, mjeku në këtë spital na tha se mund të kryhej ndërhyrja, sepse vajza nuk do të kishte asnjë komplikacion.
Domethënë në këtë spital ju dhanë garanci për shëndetin e vajzës suaj?
Po, por nuk ndodhi kështu (qan). Një ditë para se vajza ime të futej në sallën e operacionit, ditën e diel, bëri analizat. Ndërsa dje (të hënën) kishte për t’u operuar në orën 10 paradite dhe operacioni u bë me vonesë. Ne i paraqitëm mjekut edhe kartelën mjekësore të Blertës dhe i treguam se vajza kishte probleme me alergjinë.


Ju thanë pse u krye me vonesë operacioni?
Na thanë vetëm se ishte një person tjetër duke u operuar.
Si e morët vesh lajmin e hidhur për vajzën suaj?
Pak orë pas operacionit që mjekët na thanë se çdo gjë iu kishte shkuar në rregull, pamë se nga dhoma e vajzës sime po hynin e dilnin shumë mjekë. Shkova atje, por nuk më lanë të hyja dhe më thanë se vajzës sime nuk i kishte ndodhur asgjë, por kishin një problem me një pacient tjetër. Nuk u përmbajta dot dhe e kam shtyrë derën me sa forcë kisha. Aty pashë mjekët mbi kokën e vajzës që e shtypnin në kraharor. Më tej nuk mbaj mend gjë sepse më ra të fikët. Gjatë kohës që prisnin që Blertës t’i dilte anestezia, nga ora 1 e natës, doktorët kishin kërkuar kunatin tim për t’ia dhënë atij lajmin që vajza ime kishte ndërruar jetë.
Kë fajësoni për humbjen e Blertës?
Ishte pakujdesia e mjekëve që më morën time bijë. Ishte pakujdesia e mjekëve që i bënë anestezinë, sepse me aq informacion sa na dhanë, na thanë se vajzës i ishte futur më tepër dozë se ç’duhej. Nëse do të kishte pasur kujdes nga ana e mjekëve, vajza ime do të jetonte ende (qan). Blerta ishte një vajzë e shkëlqyer. Kishte ëndërr të bëhej këngëtare e madhe. Mori pjesë edhe te “Gjeniu” i Vogël”.
A keni një apel ndaj shtetit apo mjekësisë në vendin tonë për ngjarjen e rëndë të humbjes së vajzës suaj?
Kërkoj që të mbajnë përgjegjësi ata që i morën jetën sime bije dhe shteti t’i shohë me më shumë përparësi spitalet në vendin tonë, që kjo që më ndodhi mua të mos i ndodhë dikujt tjetër!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.