BOTA

Kosova/ Pikëpyetjet pas rezultatit të zgjedhjeve, çelësi i qeverisë te LDK-ja

08:50 - 13.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Koalicioni PAN mund ta formojë qeverinë e re vetëm me votat e LDK-së ose duke i  “peshkuar” disa deputetë nga koalicioni i kësaj të fundit. Zgjidhje tjetër nuk ka, pasi i mungojnë numrat e nevojshëm për ta formuar shumicën e thjeshtë parlamentare edhe me votat e minoriteteve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pavarësisht se doli më së keqi në zgjedhjet e 11 qershorit duke mbetur me vota pas koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) dhe lëvizjes “Vetëvendosje” te ky subjekt është përsëri çelësi për formimin e qeverisë së re.

Kjo për faktin se në bazë të rezultatit zgjedhor, koalicioni PAN nuk do të mundë ta formojë qeverinë e re edhe nëse i merr votat e minoriteteve.

Ky koalicion që e ka kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn nuk pritet t’i fitojë më shumë se 39 ulëse në Kuvend dhe me gjitha votat e minoriteteve (20) mund t’i arrijë vetëm 59 vota, dy më pak sesa duhen për ta formuar qeverinë e re, shkruan “Zëri”.

Megjithatë, zyrtarët e LDK-së jozyrtarisht janë deklaruar se nuk do të shkojnë në koalicion me PAN-in, duke preferuar që qeverinë e re ta bëjnë me lëvizjen “Vetëvendosje”.

Këto dy subjekte pritet t’i kenë 61 deputetë në Kuvendin e ri dhe me votat e minoriteteve mund ta sigurojnë një qeveri te qëndrueshme.

Kush do e formoje qeverinë? 

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, të tretat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, është e qartë se as subjekti që kryeson nuk e ka mundësinë që të formojë qeverinë pa një koalicion me subjektet tjera politike.

Kur janë numëruar 99.8 për qind të votave, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka fituar 33.98 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 27.12 për qind dhe koalicioni Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës, ka fituar 25.74 për qind të votave.

Dhe kjo ka shtuar pikëpyetjet se si mund të duket qeveria e re. Diplomatët euro perëndimore po presin një proces të shpejtë të formimit të qeverisë për t’u përballur me sfidat që e presin vendin.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për zgjedhjet demokratike, theksoi se “votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar. Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë euro-atlantik“, thuhet në një komunikatë të kësaj ambasade.

Komisionari Evropian, Johanes Hahn, tha të hënën në Bruksel se është me rëndësi që të ngrihen shpejt institucionet pas zgjedhjeve në Kosovë.

Mendoj se njerëzit ishin të qartë sa u përket zgjedhjeve të tyre dhe ne duhet të pranojmë partnerët, por është thelbësore që vendi dhe përfaqësuesit e tij të jenë të përkushtuar ndaj ardhmërisë evropiane dhe është përgjegjësi e udhëheqësve politikë që të formojnë sa më shpejtë qeverinë”, tha zoti Hahn.

Por, ky proces nuk duket as i lehtë e as i shpejtë. Analisti, Ilir Ibrahimi, thotë së është e qartë që koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, do të marrë fillimisht mandatin për formimin e qeverisë.

Duke u nisur nga rezultati që e kemi deri tani ky koalicion së bashku me minoritetet nuk do të arrijë t’i siguroj 61 vota. Ndërkohë që kemi lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që pa minoritetet tani për tani, me aq sa janë numëruar deri tani votat i kanë 61 deputetë. Nëse nuk arrin që koalicioni i arritur nga Partia Demokratike të sigurojë numrat që të formojë qeverinë atëherë duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet t’i jepet një alternative tjetër, në këtë rast e kemi lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nëse këta mund ta dëshmojnë se i kanë 61 vota atëherë presidenti duhet t’i mandatoj ata për të formuar qeverinë“, tha zoti Ibrahimi.

Ai thotë se në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës, vështirë se Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje të bashkohen me këtë koalicion, ndërsa situatën mund ta rëndojnë edhe debatet e brendshme në koalicionin e madh. Ai nuk e përjashton një krizë politike, mbase jo të ngjashme me atë të vitit 2014, kur kaluan gjashtë muaj deri në formimi e qeverisë.

Një lloj krize do ta kemi gjithsesi sepse ky rezultat nuk e ka një fitues të qartë dhe sigurimi i votave nuk do të jetë shumë i lehtë. Tani kemi edhe zoti Thaçin në pozitën e presidentit i cili është ish kryetar i Partisë Demokratike dhe nuk po mund ta besoj që zoti Thaçi me shumë zemër do t’ia jepte mandatin zotit Kurti duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet që i kanë këta dy politikanë, por megjithatë kemi një vendim të gjykatës Kushtetuese i cili është shumë i qartë, kemi një situatë politike e cila është ndryshe nga 2014, vonesë do të ketë dhe nuk pres ndonjë qeveri para muajit gusht apo shtator, mirëpo nuk e pres një vonesë të tillë të cilën e kemi pasur në vitin 2014“, tha zoti Ibrahimi për VOA.

Sido që të duket një qeveri e re, ajo do të përballet me zotimet për zhvillim ekonomik si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Por, sfidat më të rënda mbeten problemet e trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese. Që nga shpallja e pavarësisë, asnjë qeveri nuk e ka përmbyllur mandatin e saj të plotë/ VOA

 


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to fery Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …Dhe pikrisht kjo ishte droja e votueseve te LDK ,pikrisht kjo ishte arsyeja pse votuesit e LDK nuk dolen ne votime dhe nuk e votuar LDK sepse , lideri i saje Isa Mustafa do te deklaroje se pase zgjedhjeve mund te beje koalicion me PAN qe ne te vertet , ai po mundohet ta beje me ato metoda te tija perfide duke e plasuar ne opinion njiher jo tamam ashtu , ku sot , do te deklaroje se LDK do ta le deren e hapur dhe mund te beje koalicion me AAK e Ramush Haradinaj te nominuarit nga PAN per kryeminister dhe me Partine NISMA te Fatmir Limajt ponjashtu parti e Koalicionit PAN qe nenkupton se lideri i LDK Isa Mustafa ,mund ta le nji kapixhik ( dericke ) edhe per koalicion me PDK e Kadri Veselit , Partine e Koalicionit PAN qe fitoi me shume deputet ( 39 ) …
    A thua cfare mendon dhe cfare ka ky njeri i papermiresueshem …apo, vertet qenka aty ne krye te LDK ta shkaterrohet LDK. dhe pastaj te ik diku pa lene gjume ..?

    Përgjigju ↓