Federata Shqiptare e Futbollit, prej ditësh është duke kërkuar për pasardhësin e Xhani De Biazit në stolin kuqezi. Në listën e gjatë të trajnerëve, një nga emrat e lakuar, është edhe ai i Alban Bushit.
Trajneri i Shpresave në një intervistë për “Top Channel”, ka hedhur poshtë këtë mundësi duke deklaruar se në këto momente ndihet mirë te Kombëtarja U-21 që ai drejton.
Sfumimi i kandidaturës së përfolur
“Për momentin ndihem mirë te ekipi Shpresa, do të ishte absurde të mendoja në këto momente për të drejtuar ekipin e parë A.”
Eksperiencat me Shpresat
“Sapo kam filluar një eksperiencë me ekipin Shpresa dhe jam shumë i kënaqur dhe i përqendruar tek kjo punë dhe dua të marr sa më shumë rezultate pozitive. Dua të bëj një futboll të bukur, futboll me agresivitet.”
Largimi i De Biazit dhe trajneri i ri
“Teknikisht nuk është mirë që Kombëtarja të ngelet pa trajner, megjithatë stafi teknik i Federatës shumë shpejt do ta gjejë zëvendësuesin. Aktualisht skuadra është e plotë dhe trajneri që do të vijë do ta ketë shumë më të thjeshtë punën me këtë grup.”