MILOSAO

Tregim,/Unreal estate

11:05 - 25.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shkëlqim ÇELA

 

“Ne nuk ju ofrojmë thjesht një ndërtesë, me ne ju gjeni shtëpi”, tha përfaqësuesi i shoqërisë së të patundshmeve. Sigurisht që ishte një formulë për të gjithë klientët, por prapë më pëlqeu ai premtim. Tek e fundit, vërtet iu thuhet të gjithëve, por atë çast m’u tha vetëm mua. Po kërkoja një shtëpi të dytë, nga ato që i quajnë ‘vacation home’, shtëpi për pushime, përkthyer kështu për t’i dalluar nga të famshmet shtëpi pushimi të Shqipërisë së dikurshme, si rregull të pasuara nga përcaktimi “të punëtorëve”.  Gëzimi për strehë e shtëpi ka diçka prej gëzimit të martesës, të dyja konsumohen në mënyrën e tyre, por në fillim gjërat janë konceptuale, muret dhe çatia janë thjesht nocione, sikundër gruaja, pra edhe joshja ime ishte hipotetike, siç edhe oferta ishte hipotetike, e gjitha me një ajër të lehtë hipotekimi. Sezoni i biznesit të shtëpive për rajonin ishte në pikën e vet të ulët, ndërsa kërkesë-oferta një lojë atavike që më rrikësh fshehur diku në apendiks si “pazar”. Shumë agjentë të tregut të të patundshmeve janë tipa të shkueshëm, por pavarësisht nga kjo dhe përmbi këtë, qëndron dëshira e mbrapshtë e abuzimit me faktin se klienti (pra unë) është mbret. Prirja natyrale e njeriut qenkësh monarkia – ky ishte një zbulim i vockël që e kisha bërë s’kish shumë kohë, por që natyrisht nuk do t’ia thosha kujt. Doja ta kisha vetëm për vete, si dhelpra strofkullën e vet me dy hyrje, apo më mirë akoma, si shqiponja folenë, dyshe meqë dykrenare, njërën nga të cilat për pushime punëtorie.
“Faleminderit,” thashë. “Shtëpi kërkoj edhe unë, më vjen mirë që ofroni shtëpi dhe jo thjesht godina, metra katrore, numër dhomash e banjash, vit ndërtimi…”
“Çfarë lloj shtëpie kërkoni,” pyeti agjenti. Ai përdori fjalën e papërkthyeshme “property”, e cila do të thotë edhe veti apo cilësi. Në të vërtetë, pyetja u precipitua tek unë si kjo e fundit.
“Dua diçka që të ketë histori, të ketë jetë.”
“Kuptoj,” përdori fjalën më të duhur agjenti. Pikërisht ç’kërkohej për çastin, – doja të më kuptonte. Dhe vërtet, pashë me bisht të syrit se si në profilin që po ndërtonte për mua në kompiuterin e vet, i hoqi të gjitha shtëpitë e reja me anë të kritereve të kërkimit. “A mundemi të bëjmë një tur nesër?” pyeti pas pak. “Zakonisht unë shikoj deri në pesë shtëpi për seancë.
Rashë dakord. Të nesërmen agjenti çeli në orën dhe vendin e caktuar, mu si lulet në atë këngën elbasanase. Mbase kisha menduar pak si tepër për shtëpitë e modelit elbasanas, me verandë në ballë, në të cilat isha rritur në “Ali Demin” e vjetër lindor. Agjenti ishte vërtet një komunikues i shkëlqyer, dinte të mos rrinte pa folur duke mos folur shumë, dhe kishte vetinë e padëgjuar prej kohësh të dëgjimit të kujdesshëm dhe të përkushtuar. Një tjetër mrekulli e tregut të lirë, thashë me vete.


Shtëpia e parë e turit u shfaq pas një cul de sac–u, një tjetër fjalë trazuese kjo, ngase gjithnjë më përkthehej kundër dëshirës si bythë thesi. Mëhalla (fqinjënaja?) ishte vërtet e vjetër, dhe kjo dukej nga pemët që kishin zënë rrënjë literalisht në truall, i cili i përkiste një zone të kërkuar shumë  në  treg (location, location, location) dhe ndaj një metër katror i kushtonte 50% më shumë se mesatarja e kontesë. Por më shumë se rrënjët e padukshme, themelimin dhe zënien vend të rrethinës e rrëfenin kurorat e mëdha të pemëve që kishin parë shumë diej. I kisha pothuaj frikë fqinjënajat (mania me shqipen kudo ku të mundet, kishte disa kohë që e komandonte trurin tim si një despote ballkanike me komandot terroriste të mallit) e reja, ku ndërtuesit rrafshonin gjithçka për të ndërtuar blloqet e shtëpive,të cilat përçonin një ndjesi kauçuku dhe kazerme. Iu afruam godinës, e cila më shumë se e vjetër u dha me reumatizmë. Ankimet e menteshave të saj ishin kalcike. Një erë karakteristike që e jep vetëm vjetërsia m’i rrahu hundët si një kamzhik i verbër kalin e mirë. Nuk ka gjë më me personë se sa shtëpitë, me përjashtim ndoshta të makinave. Kjo ‘property’ m’u përqas si një plak nga veriu që rrinte mbështetur pas murit të një dyqani riparimi këpucësh tek shkolla Fan Noli në Tiranë, një plak që mëtonte të ishte i verbër, mbase për t’u hequr si bard, ndërsa këngët që këndonte ishin disa vargje të ndyra me dialekt geg, nga të cilat vargu “cic më cic, o jan bashkue” më është pirografuar në tru. Jeleku i atij plaku nuk ishte larë kurrë. Eposi i kreshnikëve dhe Mitrush Kuteli i pafan mirëfilli ndjenin tradhti.
Nuk mund ta dija që agjentët të tregojnë shtëpinë më të keqe në fillim, si për të matur pulsin, apo për t’i bërë shtëpitë e tjera që do të tregojnë më pas, të duken më të bukura. Ndikimi i sfondit është i njohur. Vajza të pabukura të pasura paguajnë shoqëruese edhe më të pabukura që të rrinë me to, thjesht për këtë efekt. Vlera utilitare e shëmtisë është edhe më e patundshme se ajo e bukurisë, pasi asaj nuk i duhet të bëjë asgjë, vetëm të ekzistojë. U largova nga ato mure dhe mesore ku koha në vend që të bjerë si prarim i lodhur argjendi, zvarritet nëpër tunele të padukshme me një pabesi të thatë krimbash druri, pluhuri i të cilave nuk është veçse pudra e pashpresë në fytyrën e konsumuar të një gruaje me shumë dikure. Ndërsa po iknim drejt shtëpive të tjera të turit të asaj dite, për një çast mendova se sa i padrejtë isha treguar ndaj ndaj shtëpisë që sapo kishim parë, ngase nuk e kisha marrë parasysh për asnjë çast historinë që ajo kishte përthithur në muret dhe shkallët e saj. Si një curril i akullt ma përshkoi shpinën turpi mbi konsumerizmin e pafre që e kërkon veçsi komoditet jetën e tjetrit.

Shtëpia që pasoi ishte vërtet më e mirë, era e vjetërsisë më e dobët, menteshat vuve, vetëm dyshemeja në vende të caktuara kërciste lehtë. Është e pashmangshme, sqaroi agjenti, nuk ka dysheme druri të mos jepet diku(r), kuitja e drurit është si rrudhat e burrit kur plaket, por pa shiko detajet në arkitekturë, sot nuk ndërton më njeri kështu… I kalova të gjitha dhomat në revistë dhe syri më mbeti tek një shpatull muri ku kishte shenja me laps plumbi, matje të një fëmije që rritej, përanash shenjave jepej gjatësia dhe data përkatëse në progresion rritës. Ishte fëminia e dikujt tjetër, diçka e ngrohtë, por që nuk bëhej dot e jotja. Të dukej sikur ti vetë nuk kishe kaluar nëpër ato gjatësi. Ngrohtësi e huaj apo ftohtësi e jotja?
“Ajri i kondicionuar është zëvendësuar vjet,” sqaroi ndërkaq agjenti.
Shtëpia tjetër ishte, siç duhej pritur, edhe më e mirë. Shushurimat e kurorave gjigande të pemëve, pylli në oborrin e pasmë, përroi që gjarpëronte përfund, të gjitha këto ishin fare afër gjësë së përsosur.
“Në dimër nuk është çudi që në pyllthin prapa shtëpisë të bujtin drerët,” tha agjenti. “Mund ta vizitojë edhe ndonjë dhelpër madje, kur bie dëborë. Ndërsa zogj e ketra ka tërë vitin.”
Menteshat ishin të heshtura, ndërsa dyshemetë, si për të vërtetuar agjentin, kërcisnin aty-këtu. Vërtet, një dysheme që s’bën zë, është më e vdekur se një beduin një pash nën rërë pas stuhisë, mendova. Le të thonë ç’të duan manualet e ndërtuesve apo të zinxhirëve shitor “Bëje vetë”. Një dysheme që ende ka shpirt,medoemos ankohet. Dhe kjo vlen edhe për trarët e shtëpisë. Aty më lindi ideja të kërkoja një shtëpi me trarë të dukshëm. Si shtëpitë tradicionale në Europë, e sqarova agjentin. Ishte hera e parë që ai më pa në sy duke e shfaqur açik moskuptimin. Më në fund e mori vesh ç’doja. “Duhet ta dish që ato lloj banesash kushtojnë më shtrenjtë,” tha. Doja t’i thosha që nuk do të ishte keq sikur trarët të kishin edhe ndonjë krimb druri, nga ata të thatët, që në netët e gjata të dimrit gërvijnë lehtë, duke u përzier me zhurmën e oxhakut dhe prrrr-in e maces pranë tij, kam dy shekuj që nuk kam fjetur ashtu, nën shikimin e kopaçes që bëhet prush, digjet për ty, por këtë ti nuk ke se si e pse ta dish, agjent. Sigurimi kundër termiteve dhe kontrolli i rregullt për to, përmendej me përparësi në përshkrimin fillestar të çdo oferte.
Agjenti erdhi me një listë tjetër shtëpish. Ato kishin trarë të dukshëm, dhe vërtetë ishin më të shtrenjta. Trarët ishin të llakuar dhe të mbërthyer me lloj-lloj bullonash dhe pafkash metalike dekorative, që të jepnin edhe ndjesinë e solides. Ndonjë gozhdë e ndryshkur trari do të kishte qenë mrekulli, mendova, e ngulur përgjysmë, jo nga shkeleshkoja e ndërtuesit, por me qëllim, për të varur ndonjë shakull salçe (e vërteta, autentikja, jo si salcat e sotme, ku ç-ëja e origjinës është degraduar në një c-ë të mjerë industriale), ndonjë varg hudhrash kundër syrit të keq a vampirëve, apo pastërma.
Në njërin nga ambientet pashë çentro të punuara me grep, çka ia shtoi sakaq vlerën ‘propertisë’ në sytë e mi. Mirëpo çdo gjë e luajtshme, çentro, piktura, tryeza e shtretër, nuk quhej pjesë e shtëpisë. Trarët ishin tjetër punë. Pra, mund të kërkoje shtëpi me trarë të dukshëm, por nuk mund të kërkoje të tilla me çentro të vjetra, të bëra vetë, me grep, nga duar mamaje. Çentrot nuk mund të hynin në kriteret e kërkimit. Në oborrin e përparmë të asaj shtëpie kishte edhe një pemë, që kur iu afrova, pashë se ishte man, dhe aty pickova veten mos isha në ëndërr. Mani legjendar i fëminisë, i cili tashmë ishte prerë, më vegoi në ditë qershorësh të largët, duke tundur lehtë fletët, si veshët e një kafshe shtëpie të dashur. Nuk doja të përdorja fjalën ‘deja vu’, se ai man mundej vetëm të ‘proftaste’, mundej vetëm të ‘mbinte papritur’, pas një botanike të çuditshme, i paraprirë prej lidhëses pyetëse ‘nga’:Nga na mbive papritur? – i sjellë që nga larg me vig të plagosuri, mbartur në shpatulla të regjura me arkivole dënesash të vjetra. Ishte një pemë shënjëtare, edhe pse ishte man tjetër soj, me një lëvore aliene. Mora një frut të vogël, e provova, ishte vërtet i pabërë, nuk po donte të luante me mua asnjë parabolë e fabul (Mund të vizitojë edhe ndonjë dhelpër madje, kur bie dëborë.), dhe prapë mbetej man, gjinia Morus, si ai tjetri, pema formative në atjedikur. Kaq u desh që t’i bëja agjentit kërkesën tjetër për kriteret e tij të kërkimit: “Dua shtëpi me man në oborrin e përparmë”. Ai çakërriti sytë nga kjo, me sa duket kërkesa ishte aq e çuditshme, saqë përmbajtja profesionale u thye si një tra i vjetër, i ngrënë me durim nga krimbi. Megjithatë, pasi e gëlltiti habinë si të ish vaj peshku, tha atë fjalën më të përshtatshme në botë: “Kuptoj”, dhe pasi u mendua pak, plotësoi: “Gjë që bëhet”. U ndjeva vërtet mbret, aq sa më mbuloi një djersë e hollë sikleti rishtar prej abuzimit të pushtetit. Çfarë do të kërkosh më, iu gërmusha vetes, mos do edhe pusin e vjetër dhe ullirin me pjergull përsipër tani? Njëra nga vetjet më të papërgjegjshme, ajo që nuk e doja vërtet, ajo që përgjigjej për kënaqësitë e mbrapshta pati pafytyrësinë të më përgjigjej dobët: Pse jo?
Shtëpi me mana në oborrin e përparmë për çudi kishte. Agjenti përdori gjithë lidhjet në rrjetin profesional. Ato gjendeshin gjithnjë e më larg, dhe çmimi i tyre po rritej në mënyrë shqetësuese, por agjenti ishte i përkushtuar. Do ta gjej atë që kërkon, tha. E di që një shtëpi (s’i thonë kot e ëmbla shtëpi) është investimi kryesor i njeriut në jetë, dhe kjo jo vetëm në jetën reale (nuk quhet kot “real estate”), por edhe në ëndrra (s’i thonë kot “American dream”), pra i mirëkuptoj kërkesat e tua.
“Në këtë nivel çmimi që kemi arritur tani, s’ka pse të mos kërkojmë edhe pishinë”, tha me ton praktik agjenti.
“Pishina nuk është aspak e rëndësishme,” i thashë, “nuk luan asnjë rol, ç’është e vërteta.”
Aty erdhi përsëri ajo “Kuptoj” e mrekullueshme e agjentit.
“Por a ka mundësi që shtëpia të ketë avlli?” e pyeta. M’u desh t’ia shpjegoja pak avllinë, pasi në zonat suburbane avllia është e rrallë, në mos e paqenë, ose e mpakur në gardhe industrialë, nga ata që sfidojnë çdo proverb duke mos pasur asnjë vrimë.
Agjenti u vrenjt nga sfida dhe përqendrimi. “Do të na duhet të kërkojmë përtej shtetit tonë,” tha. “Dhe shteti ynë është vërtet i madh. Dhe çmimi për ‘property’ të rrethuara është vërtet shumë i shtrenjtë, tani po flasim praktikisht për mansione…”
Filloi të kërkonte nëpër dosjet e veta kompiuterike, pa harruar të shtonte për forcë zakoni: “Bëhet, patjetër!”
Nuk di a vetëm e mendova apo edhe ia thashë me zë psherëtime: “Gjeje të jetë në rrugë të verbri,” duke e përkthyer asisoji shprehjen atavike dhe fatale ‘qorr sokak’.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.