BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Preçi, kokëulur para Kuvendit. Kur betohet Eduard Shalsi!

16:00 - 01.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Fjalët veshit dalin sheshit…! Preçi, kokulur para Kuvendit. Kur betohet Eduard Shalsi! Njëra dorë mban tjetrën.





Fjalët veshit dalin sheshit…!
Pa nisur ende mbledhja e radhës e Qeverisë, dy aleatët e fortë, PD (Genc Ruli) dhe PR (Fatmir Mediu), diçka po i pëshpëritnin njëri-tjetrit në vesh. Ka shumë gjasa që të jetë ndonjë çështje e rëndësishme, megjithatë siç e thotë edhe populli: “Fjalët e veshit, dalin sheshit”…në mes tyre ndodhet pikërisht Petrit Vasili, i cili edhe pse është pjesë e qeverisë Berisha, nuk ka pikë dyshimi që ato që ka dëgjuar në dialogun Ruli-Mediu, i ka transmetuar direkt në zyrën e Ilir Metës. Gjithsesi, këto lloj aleancash kanë një të mirë, që sado aleatët e vjetër të mbajnë sekrete, formacioni i Berishës në qeveri është i tillë që mes demokrateve ka përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Preçi, kokulur para Kuvendit  
Tani nuk gëzon më atributet që i ofron statusi i deputetit. Madje, duket se është mënjanuar nga politika. Thuhet se po shkruan një libër… dhe vetëm kaq. Një periudhë kjo reflektimi apo të ndjerit i papunë?! Gjithsesi, fotoja që u servirim e shfaq ish-deputetin dhe shkrimtarin Preç Zogaj duke kaluar pranë derës së Kryesisë së Kuvendit. I gjendur i vetëm aty, ai duket se është vënë pak në siklet, ka ulur kokën dhe ka marrë drejtimin për t’u hedhur në trotuarin tjetër. Si duket nostalgjia ka bërë punën e vet…


Kur betohet Eduard Shalësi!
Tani që ka fituar statusin e deputetit, përpos faktit që nuk ka bërë ende betimin, ankesat nuk i vijnë më Eduard Shalësit në derën e Bashkisë së Tiranës, por në atë të Partisë Socialiste. Dhe, këtë herë i kanë dalë përpara të tjerë qytetarë që i qajnë hallet dhe me pasionin që e karakterizon, Shalësi betohet (kjo duket në foto), se do t’i hapë zgjidhje këtyre problemeve. Dhe, për këtë ai ka dhënë prova të shumta. Sa herë ka marrë përsipër çështje që i shqetësojnë qytetarët e Tiranës, Shalësi është partizani i zgjidhjes së tyre, madje duke i denoncuar ato fort deri në instancat më të larta të shtetit.


Njëra dorë mban tjetrën
Secili prej tyre mori iniciativën për të sfiduar liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Por, të dy e lanë garën në mes. U tërhoqën prej saj. Tani deputetët Ben Blushi dhe Arben Malaj kanë kuptuar se nëse vetëm nuk ja dolën, të dy bashkë mund të fitojnë. Kështu, prej javësh ata kanë nisur fushatën “Mendimi ndryshe”, ku po mbledhin rreth vetes gjithë të pakënaqurit. Ndërkohë, siç na dëshmon dhe fotoja, dy deputetët e Partisë Socialiste shfaqen në një prej këtyre takimeve, ku Malaj i qeshur po përgëzon Blushin për fjalimin e tij, dhe ky i fundit si gjithmonë i pret me gjakftohtësi komplimentet.

Ky shkrim u botua më 10 tetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.