KULTURË

Një arkivol mbi përrua, Shqipëria e trishtë e 1990-ës

13:53 - 13.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Një arkivol që kalon përroin! Është bosh apo me trup të vdekuri brenda? Duhet të jetë bosh, pasi hapi i burrit që mban arkivolin, ndihet i lehtë dhe kaq preciz i ngulur mbi shkëmb, sikur të ishte një flutur e ndalur për të thithur furnizim mbi gojën e një luleje. Arkivoli duhet të jetë bosh, por fotoja është kaq e ngarkuar me peshë, sa ndihesh sikur ke gëlltitur një re të madhe gri.
“Vitet ’90-të janë vite të cilat, përveç dokumentimit të ngjarjeve të rëndësishme politike si protestat studentore, zgjedhjet e para demokratike, greva e urisë, rënia e monumentit të diktatorit, eksodi masiv në tokë e det, apo thyerja e gardheve të ambasadave të huaja për të kërkuar azil, s’di të kemi parë gjë tjetër”.
E nis kështu shpjegimin e rrethanave kur u realizuan fotot që shfaqen te ekspozita “Kthim në kohë – Shqipëria e viteve 90-të”, artistja e kuratorja Edit Pula.
Ekspozita çelet sonte në mbrëmje, ora 20:00, te stacioni i autobusëve të veriut në Tiranë, me imazhe të fiksuara nga akademiku dhe fotografi austriak Robert Pichler. Vetë ai kujton se për herë të parë e vizitoi Shqipërinë si student në 1989. “Atë kohë, ishte tashmë e qartë se projekti komunist kishte dështuar- ekonomia po kalbej dhe shoqëria ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm. Njerëzit që takuam ishin të frikësuar, por kuriozë të takoheshin me ne. Udhëtimi i parë e ka lënë një shenjë tek unë, vetëbesimi im u sfidua, por isha i tunduar të kthehesha në këtë vend sa më shpejt të ishte e mundur”.


Në datën 14 korrik ekspozita çelet në muzeun historik të qytetit të Bajram Currit, ndërsa Editi shënon se “më është dukur magjepsës fakti që, teksa ne shqiptarët, vetëm i jetonim këto kohë pa ndonjë thellim të vetëdijshëm në to, ose të pamundësuar me mjete si aparate fotografike për të vëzhguar ekzistencën tonë, një i ri, student austriak, vjen në Shqipëri dhe bën pikërisht këtë. Ai fotografon vazhdimësinë e jetës shqiptare, përtej përfshirjes së vetë shqiptarëve në ngjarjet politike – Çfarë hanim? Ku flinim? Ku shkonim? Si shkonim atje? Ku shkatërronim e ku ndërtonim? Si vdisnim e si martonim?”
Antropologu Pichler kujton ndërkaq se “në pranverë të vitit 1992, mora një bursë gjashtëmujore për të kryer hulumtime mbi ndryshimet shoqërore në Shqipërinë e Veriut. Megjithatë, kushtet gjatë kësaj kohe kishin ndryshuar dramatikisht. Shqipëria po përballej me një transformim të zhurmshëm, gjë që vështirësoi përqendrimin tim mbi hulumtimin; edhe unë u përthitha nga trazirat politike. Ishte një rifillim total, por pa ditur se ku të çonte ai rrugëtim. Për shumë të tjerë, ishte një luftë për mbijetesë, për të mbuluar nevojat më bazike, por njëkohësisht ekzistonte një shtytje dhe dëshirë e jashtëzakonshme për atë që ishte refuzuar kaq gjatë, liria për të menduar, lëvizur, për t’u shprehur dhe për të konsumuar arritjet e modernizimit teknologjik”.


Pula vëren se, duke marrë parasysh rikthimin në kohë, që evokojnë këto foto, gjithashtu ftesën për t’u pozicionuar përkohshëm midis të tanishmes dhe të atëhershmes, lindi ideja e krijimit të një ekspozite lëvizëse dhe hapjes së saj në një stacion interurban autobusësh. Furgonët e linjës Tiranë-Bajram Curri via Kosovë, do të rrëshqasin në rrugët urbane dhe rurale të Veriut të Shqipërisë duke mbajtur në barkun e tyre udhëtarët e së tashmes dhe mbi kurriz dëshmitë e së atëhershmes. Lëvizshmëria është pra këndvështrimi kryesor i kësaj ekspozite. “Një tjetër është Veriu i Shqipërisë, marrëdhëniet sociale bashkë me jetën e njerëzve të margjinalizuar të shoqërisë. Me anë të fotografive të Robertit duam të zgjojmë kujtesën e përbashkët jo si nostalgji, por si pikë referimi për një kohë të munguar – për kohën kur ishim pa mendje!” – shton Edit Pula, e cila momentalisht punon edhe si këshilltare kulturore e Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Puna e saj kuratoriale është kryesisht e fokusuar te trashëgimia shqiptare dhe mënyrat se si ajo mund të prezantohet në formë bashkëkohore. Vitin e kaluar ajo u ftua nga MUCEM- (Muzeu i Civilizimeve Mesdhetare dhe Europiane) për të përdorur koleksionin me 800 objekte shqiptare të gjendura në MUCEM, si bazë për punën e saj Touche (Pas) – pjesë e ekspozitës “Albanie, 1207 km east”.


Robert Pichler, historian, antropolog dhe fotograf, mban mend se vendi u përmbyt me mallra nga jashtë, trysnia e lëvizjeve u shfaq dhunshëm dhe makina, kamionë, çiklistë, karroca, kalimtarë zhvendoseshin nëpër rrugët që u kthyen në karvanë dhe pazaret u ngritën nga të gjitha anët. “Për mua ishte një rikthim në rrethana që njihja vetëm nëpërmjet historive të treguara nga gjyshërit e mi: furnizimet e shtrënguara në ushqim, ujë dhe elektricitet, por në të njëjtën kohë kishte një orvatje të jashtëzakonshme për të mëkëmbur diçka të re. Shpesh kisha dëgjuar njerëz që thoshin se Shqipëria mund të kthehet në Zvicrën e Ballkanit, kushtet kishin qenë gjithmonë të pranishme, edhe pse fati nuk ia kishte bërë të lehtë vendit, por tani është koha e tij”, – kujton austriaku. E ndërsa vazhdoi rrugëtimin e nisur përpara, u zhyt në kërkime për lidhje historike, donte të eksploronte të kaluarën, arsyet për këtë udhëtim të veçantë, por gjithashtu humnerën shoqërore, fatet e atyre që u lanë vetëm dhe të dëbuarit. “Vëmendja, interesi dhe respekti që përftova e shtuan kuriozitetin tim në historinë e vendit dhe më bënë të kthehesha rregullisht që nga ajo kohë”.


Për Robert Pichler fushat kryesore të kërkimit janë, familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shekujve 19 dhe 20 në Europën Juglindore. Ai është momentalisht studiues në departamentin e studimeve ballkanike në Akademinë e Shkencave në Vjenë si dhe pedagog në Qendrën e Studimeve të Europës Juglindore në Graz.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.