KULTURË

“Saga e jetëve-legjendë” Gjashtë personazhe nga një autor, nga Churchill te Callas

09:05 - 21.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Arjan KONOMI

Si shumë njerëz, të cilët mendojnë dhe dëshirojnë të shkruajnë një libër gjatë jetës së tyre, edhe mua prej vitesh më ka munduar tundimi për të shkruar një roman apo novelë, por asnjëherë nuk kam arritur të gjej kurajën te vetja, për t’u ulur dhe për të hedhur fjalët e para. Asnjëherë në gjithë këto vite, nuk kisha menduar të shkruaja këtë libër, që sot e keni në dorë. Mendimi për të, më lindi krejt papritur tek gjendesha në një udhëtim të gjatë në Brazil, verën e fundit. I pasionuar pas njohjes së botës dhe udhëtimeve gjeografike, kisha arritur të bëja realitet një ëndërr të jetës sime; një udhëtim në lumin e Amazonës dhe eksplorimin e xhunglës së famshme, e cila ka ushqyer dhe zhvilluar fantazinë time, qysh kur isha fëmijë. Isha pajisur si gjithmonë me libra me vete, të cilat i konsideroj të nevojshëm, sidomos kur udhëton i vetëm, në vende të largëta dhe të panjohura duke të bërë shoqërinë më të mirë, për të komunikuar me vetveten dhe për të kaluar orët e gjata të udhëtimit. Gjendesha prej një jave në tragetin që lundronte në lumin e Amazonës dhe kuptova se librat e marrë më vete, ishin biografi të personazheve të shquar të botës… Në një bllok ku shënoja të dhëna për udhëtimin apo ato çfarë më nevojiteshin për destinacionet që do të shkoja, hidhja edhe të dhëna mbi jetën e personazhit që lexoja, si dhe shprehje apo citime të tij. Duke u hedhur një sy këtyre shënimeve më lindi ideja se, mund të shkruaja diçka të përmbledhur mbi ato jetë që më shtangnin, më mrekullonin dhe më marrosnin me jashtëzakonshmërinë e tyre, vulosur mes dehjes së suksesit të arritur dhe thellësisë së dhimbjes së provuar, mes mundimeve të paepura dhe ambicieve të arritura, mes zellit me përkushtim mbinjerëzor dhe talentit të rrallë mbinatyror, mes tragjedisë dhe lavdisë për të krijuar një legjendë jete të vërtetë. Për këtë libër, vendosa të bëj një përzgjedhje tjetër, krejt rastësore, personalisht timen, midis personazheve, jetën private dhe publike të të cilëve, duhet të trajtoja në të.
GJASHTË PERSONAZHE
Përzgjedhja ime ra mbi gjashtë personazhe duke u përpjekur që ata të jenë të epokave të ndryshme të njerëzimit si dhe të eksperiencave të ndryshme duke shpresuar që interesit të lexuesit t’i ofrohet një shtrirje sa më e gjerë për të zgjuar tek ata kuriozitetin dhe mundësinë e njohjes. Por cilët janë këta personazhe?
ÇËRÇILL
Një nga figurat e shquara të politikës dhe të luftës së shekullit të kaluar që më ka bërë kurioz është ajo e Uinston Çërçillit, të cilin shumë e njohin dhe kanë dëgjuar për të, por shumë pak mund të dinë, mbi jetën e tij private dhe atë politike. Është njeriu më i rëndësishëm i Luftës së Dytë Botërore, i cili drejtoi fatet e luftës dhe diti me zgjuarsi dhe diplomaci, të bënte për vete edhe diktatorin e Bashkimit Sovjetik, Stalinin, si dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ruzveltin. I pushtuar, qysh në moshë fare të re, nga dëshira e flaktë për politikë, kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe do të kalkulojë çdo vendim të jetës së tij, në funksion të këtij qëllimi të jetës. Do të shkojë ushtar në Azi dhe në Afrikë duke kërkuar momentin e tij të lavdisë, do të bëjë reporterin e luftës në Afganistan dhe në Kejp Toun duke u përpjekur të bëhet i njohur për opinionin publik anglez, si kusht i rëndësishëm për lançimin e karrierës së tij si politikan. Babai i katër fëmijëve, Çërçilli nuk do të ketë një jetë familjare, por përkushtimi ndaj politikës e hipnotizon, derisa një ditë mbreti i Anglisë, do t’i kërkojë personalisht të formojë qeverinë britanike. Zotësia e tij, prej një strategu ushtarak, por edhe e një diplomati kalkulues, do të luajë rolin kryesor në luftën kundër nazizmit dhe përhapjes në Europë duke bërë që qëllimi i mposhtjes së një diktatori, të arrihet me paktet e lidhura, me një diktator tjetër. Momentet e luftës si dhe dialogët e tij me Stalinin dhe Ruzveltin, përbëjnë një interes të jashtëzakonshëm, ku pragmatizmi do të mbizotërojë edhe ndaj pikëpamjeve ideologjike, si në rastin e komunizmit.
KATERINA
Katerina e Madhe e Rusisë është një figurë madhështore sundimtareje, për atë çfarë arriti të realizojë në jetën e saj dhe për çfarë bëri për Rusinë, njeri me një erudicion mahnitës dhe iluministe në ide, që diti me shumë aftësi, t’i gërshetonte me despotizmin dhe pushtetin absolut, gjatë shekullit të XVIII-të. Është një figurë shumë e kompromentuar nga historiografia europiane, nisur edhe nga fakti se ka paraqitur kreun e ortodoksisë botërore e për rrjedhojë, është veshur me një ngjyrim negativ në Europën katolike e protestante duke u përpjekur, të shohin vetëm anën e errët të saj e duke mos ngurruar ta etiketojnë një vrasëse, satrape dhe nimfomaniake. Por, duke lënë në hije faktin se, ishte sundimtarja më e kultivuar dhe më tolerantja nga tërë mbretërit dhe perandorët katolikë e protestantë të kohës së vet. Sundimtarja që e transformoi Rusinë nga një vend i parëndësishëm, ku anarkia ishte përherë e pranishme, drejt formimit të një shteti të vërtetë dhe brenda një kohe të shkurtër, e shndërroi në perandorinë më të fuqishme europiane, e cila diktonte fatet e zhvillimeve politike në Europë e duke sjellë për pasojë, ndryshimin e vazhdueshëm të hartës së saj. Njëkohësisht, konsolidoi në fronin rus, dinastinë e Romanovëve, e cila do të qëndronte në fuqi deri në shpërthimin e revolucionit bolshevik.
SHPER
Albert Shperi është një nga hierarkët e lartë të asaj klike të fuqishme politiko-ushtarake, e cila drejtoi Gjermaninë në periudhën e viteve ’30, të shekullit të kaluar dhe që e shpuri planetin, drejt një lufte botërore me tërë makabritetin e saj. Figurë enigmatike dhe shumë pak e njohur, në krahasim me despotët e tjerë nazistë, për faktin se nuk u përfshi në krime të drejtpërdrejta sa hierarkët e tjerë, por për këtë, jo më pak fajtor në krimet kundër njerëzimit, edhe pse konsiderohet më shumë si arkitekt sesa si ushtarak, ai bëri të mundur të mbajë në jetë me efikasitet duke ushqyer makinerinë shfarosëse naziste dhe duke zgjatur kështu, përfundimin e konfliktit botëror. Ka paraqitur figurën e një teknicieni edhe pse besnik i ideve nacionalsocialiste. Ndoshta më shumë sesa një besnik ideologjik, ai ishte një ithtar i Adolf Hitlerit, i magjepsur dhe i pushtuar nga karizma e këtij, duke u shndërruar në një nga njerëzit më të afërt të diktatorit nazist, i vënë tërësisht në shërbim të tij. Jeta e tij, tepër befasuese është po aq tronditëse, në të cilën gërshetohet aspekti njerëzor dhe ai kriminal, të dyzuar në psikologjinë personale të qenies njerëzore, pa arritur të kuptohet se ku qëndron filli, i cili i ndan të dyja këto tipare.
KARAVAXHO
Qysh fëmijë, kam pasur të varura në murin, ku mbështetej koka e krevatit, tre postera pikturash, të cilat kanë goditur imagjinatën time fëminore. Njëri nga autorët e tablove të posterave, ishte piktori italian, Karavaxho. Nuk i përket Rilindjes së famshme italiane dhe emrave ikonë të saj, por menjëherë më pas. Mikelanxhelo Merizi, nga fshati Karavaxho afër Milanos, me emrin e të cilit, do të thirret në jetë e do të njihet edhe sot, është piktori më i madh i shekullit të XVII-të. Karavaxho është piktori i parë që nuk përdor vizatimin paraprak, por dallimin e formave e bën vetëm nëpërmjet ngjyrës dhe tonaliteteve të saj, njëkohësisht duke hequr dorë nga mistikja dhe hyjnorja që mbizotëronte artin e pikturës së deriatëhershme, për t’i kthyer figurat emblematike të krishterimit, në njerëz realë, të zhveshur nga ekstazat shpirtërore, me dhimbjen, varfërinë dhe vuajtjen, ashtu si bibla në të vërtetë i rrëfen. Karavaxho do të jetë gjithashtu i pari piktor, i cili trajton në tablotë e tij, skena reale me personazhe të zakonshëm anonimë, momente nga jeta e përditshme duke sjellë edhe një risi, për sa i përket formës, krejtësisht të re të kompozimit duke i paraprirë me disa qindra vjet, asaj që do të bëjë në të ardhmen, arti i kinematografisë. Një jetë rebele, e kaluar nga një qeli burgu tek realizmi i një tabloje gjeniale, mes dashurive plot pasion për meshkujt dhe impulsivitetit karakterial, mes jetesës në luks e adhurimit për natën dhe rrugën e bën ekzistencën e tij, një legjendë aventurash jo të zakonshme, për njerëzit normalë.
KALAS
Përzgjedhja ime pason me legjendën e muzikës lirike, figurën më madhështore, që skena botërore ka njohur ndonjëherë, greken, Maria Kalas. Arrogante dhe kapriçoze, por e brishtë dhe e dobët emocionalisht, Maria Kalasi do të dëshmojë në skenë edhe një komponent tjetër të talentit të saj magjik, të pandeshur në skenë më parë, interpretimin dramatik të operës që do të drithërojë publikun e shastisur. Dashuritë e saj do të kulmohen me pasionin ndaj miliarderit Aristotel Onasis, marrëdhënie që do të jetë, aq sa e bukur, edhe e trishtë. Por cila është artistja Maria Kalas? Çfarë magjie ushtroi ajo ndaj publikut? Pse kjo magji nuk përsëritet më në historinë e skenës? Cila është femra Maria Kalas? Pse dashuritë e saj ishin dashuri të pamundura? Çfarë shije ka suksesi dhe dështimi? Çfarë krijon në shpirt, lumturia dhe hidhërimi? Sa shekuj duhet të kalojnë, për të njohur skena, një mit të këtyre përmasave?
AINSHTAIN
Tundimi nuk më lë pa shkruar, për një nga figurat më të famshme dhe të njohura të njerëzimit, si Albert Ainshtaini, gjeniu i kohëve moderne, fama e të cilit, e ktheu në një personazh që do të grumbullonte turma më shumë, sesa një aktor Hollivudi apo këngëtar rroku. Ajo çfarë e bën shkencëtarin atipik, në gjithë morinë e gjatë të emrave të shquar, që shkenca ka njohur, është fakti se në përfundimet e teorive të tij gjeniale, ai nuk u bazua tek provat dhe te eksperimentet, si shkenca kishte vepruar deri në atë kohë, por në hamendësime, në përfundime logjike, në rezultate të jashtëzakonshme, vetëm nëpërmjet mendimit dhe asgjë tjetër. Shtetas gjerman por hebre, Ainshtaini nuk do t’i kushtojë rëndësi përkatësisë fetare të tij, derisa në gjysmën e dytë të jetës, ndikuar edhe nga persekutimi masiv i hebrenjve në Europë, ai do të përqafojë sionizmin dhe do t’i përkushtohet kauzës izraelite për t’u tërhequr në një moment të mëvonshëm, për shkak të padrejtësive të kryera, ndaj popullit palestinez. I pëlqenin shumë femrat dhe në jetën e tij do të shfaqen të shumta. Shumë social, por edhe i një ftohtësie të akullt, mes nevojës për ngrohtësi njerëzore, por edhe dëshirës së madhe për të qenë i vetmuar, karakteri i Ainshtainit do të përplaset shpesh gjatë jetës, në peripeci dhe aventura nga më të papriturat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.