Partia Demokratike në të gjithë vendin u përfshi sot në një proces të diskutueshëm votimi për kryetarin e ri të partisë në mandatin 2017-2021. Të diskutueshëm, sepse një pjesë e përfaqësuesve të kësaj partie e quajtën procesin një farsë dhe vendosën ta bojkotojnë atë. Megjithatë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe rivali i Bashës, Eduard Selami votuan duke e legjitimuar dhe certifikuar formalisht garën në PD.
Rreth 50% e demokratëve votuan në të gjithë Shqipërisë, por votat do të numërohen në selinë e PD-së në Tiranë. GSH.al sjell pamje të vendit të votimit brenda selisë në Tiranë, pikërisht aty ku votuan Sali Berisha, Basha, Selami, Shkëlzen Berisha (foto më poshtë) e të tjerë. Në foton që po publikojmë bie në sy që një nga vendet ku votohet është jo larg kameras survejuese brenda sallës. Pozicionimi i “dhomës së fshehtë” të votimit lë vend për dyshimin: a është përgjuar vota e drejtuesve kryesorë të PD-së që kanë votuar në selinë qëndrore? Afërmendsh, kjo pyetje s’do të marrë përgjigje kurrë, por në çdo rast, organizatorët mund të kishin menduar që vendi i votimit të ishte në një “zonë më të sigurt” brenda sallës së madhe.
GSH.al