KULTURË

Lasgushi, letër së bijës: Filozofia ime, jam si gur në lumë, uji shkon, guri mbetet

19:51 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira Nikolli

Që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, domethënë aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”.

Këto radhë janë shkëputur nga një letër që poeti i njohur Lasgush Poradeci i dërgonte së bijës, Kostandinës në vitin 1974. Filozofia e tij, ngjan të jetë një amanet e një këshillë për të bijën, përtej të qenit edhe një reflektim i gjendjes së tij shpirtërore. Njësoj, më herët i kish shkruar edhe mikut të tij, Mitrush Kutelit. “Sa herë jam menduar kështu, të vritem, të shpëtoj. Dhe prapë një fuqi më mban. Më dhimbet për nënën. Të kujtoj ty. I kujtoj rrahjet e së ngrohtës dashuri s’ate për mua. Mendoj gjakosjen e zemrës së nënës së adhuruar. Mendoj se kam gjëra të bukura, kaq të bukura për të përfunduar dhe prapë shpëtoj, lehtësohem – t’a dish sa i lumtur ndjehem për një moment. Më duket jeta e kulluar, kam dëshirë për jetë. Dhe ze punoj, të shkruaj… t’a transfiguroj, t’a kaloj nëpër Dritën e momentit, t’a aureloj, t’a qroj nga dhembja materiale, direkte, imediate, t’a çkëpus nga elementariteti dhembjen e kaluar të jetës, dhembjen që më ka grirë dyke më lumturuar për një moment jetën”.

Kjo letër është pjesë e arkivës që ende zotërojnë bijat e Poradecit. Përmes një ceremonie që u mbajt pranë Arkivit të Shtetit, më 2 maj të këtij viti, u bë dhurimi i arkivit personal të poetit Llazar Gusho shtetit shqiptar, nga bijat e tij, Marie dhe Kostandina Gusho. Arkivi përmban 19.308 fletë dorëshkrime, 8.562 fletë shtypshkrime, 3.662 fletë gazeta, 26 revista, 1.606 fotografi dhe kartolina, 315 fletë ftesash dhe telegramesh, 296 partitura, 14 fletë harta, 8 kartëmonedha të grisura, 11 dekorata, 7 certifikata dhe 12 pulla poste. Janë kartolina, dorëshkrime, letra e dokumente, ku shkrimi i pjerrët që anon në të djathtë, është i qartë e i lexueshëm edhe pse letrat janë të zverdhura. Ka syresh që i kanë kaluar të pesë dekadat, ka më shumë. Janë shkruar në ditë të ndryshme e me stilolapsa të ndryshëm, madje tek-tek janë shtuar shënime në anë e në qoshe.

Ka fletë fletoresh, a letra të “sajuara”, me shënime mbi e nën rreshta. Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun, Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.