KULTURË

Mustafa Nano: Tribalët ishin serbë, Shkreli: Arbërorët e kultura wikipediane

19:49 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira Nikolli

Pas deklaratës së analistit Mustafa Nano se nëna e Skënderbeut është serbe, një debat i gjerë ka përfshirë opinionin publik mbi origjinën e Vojsava Kastriotit, Muzakajve dhe Tribalëve. Pas botimit të librit të tij me ese “Sandwich”, botimet “UET Press”, Nano është përballur me tezat e tij në publik, por edhe kundërshtinë e shumë studiuesve. Së fundmi, përmes një artikulli në “Mapo”, ai ka shtuar se edhe e motra e Skënderbeut ka qenë e martuar me një serb, dhe thekson se tribalët nga vinte Vojsava nuk qenë ilirë sikundër thuhet, por serbë. Nano shkruan se i biri i Gjon Muzakës, Konstandini, në shënimet që ka lënë mbi të parët e vet thotë: “…me emrin dalmatë thirren sot sllavët, me emrin ilirë thirren boshnjakët, me emrin tribalë thirren serbët”. Ai shton se “ka plot autorë të tjerë para e pas tij që kanë bërë të njëjtën gjë, d.m.th. termin tribalë e kanë përdorur për të thirrur serbët e bullgarët, por më së shumti serbët. E kështu, nuk ka asnjë artific që tribalët mund t’i bëjë shqiptarë”.

Ndër të tjera, Nano shton se i biri i Skënderbeut, me emrin Gjon, mori për grua Jerina Paleologen (Erina Paliologa në origjinal), që ish bijë e Llazarit, despotit të Serbisë (shih faqen 432 te përkthimi i Xhufit apo faqen 28 te libri i Charles Hopf-it). Doni më?! Edhe e motra e Skënderbeut, Maria (siç e quan Gjon Muzaka), apo Mara (siç e quan Marin Barleti), u martua me Stefan Cernojeviqin (shih faqen 447 te libri i Xhufit “Nga paleologët te Muzakajt”, dhe faqen 295 te libri i Charles hopf-it “Chroniques greco-romanés”). Siç shihet, Kastriotët i kanë pasur shumë për zemër martesat me serbë e sllavë. Përgjigjja e Shkrelit Në një ‘përgjigje’ që Artan Shkreli i jep së dyti debatit, shënon se “Errare umanum est, perseverare diabolicum”(Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh është djallëzore).

Teksa përkujton përvjetorin e njërës prej figurave më të spikatura të njerëzimit, i cili krenohej së qeni arbëror, humanistit Gjon F. Albani, që njihet si Papa Klementi XI, Shkreli thotë: Veç të tjerash, para se të bëhej papë, kërkoi të sqaronte edhe mjegullën që ekzistonte në përdorimin e të njëjtit term etnik mes arbërorëve dhe maqedonasve, ngatërresë që përçohej jo vetëm prej ndarjes së vjetër të provincave romake, por edhe të përzierjes simbiotike mes dy gjindjeve që në Mesjetën e vonë qëllonte të jetonin edhe në disa territore të përbashkëta”. Shkreli duket se ironizon kur thotë se “sot kultura wikipediane po rrafshon, me sa duket, rëndësinë e studimeve të themelta, duke vënë shenjën e barazimit mes informimit dhe formimit, por gjithsesi pa ia dalë të njëjtësojë ‘të formuarin’, që mund të jetë dhe i painformuar për diçka, nga ‘i informuari’, i cili shpesh është jo ‘i formuar’”. Në vijim ai jep edhe një grafikë – që del për herë të parë – të Papa Albanit, me këtë shënim: “Sa e bukur loja e fjalëve në grafikë, me bazë elementët e stemës (ylli, mali) dhe mbiemrit Albano të Gjonit, me të cilën artisti bolonjez G. M. Mittelli ia del të luajë në vitin 1700 – ‘Ylli i mëngjesit, Diell i ri mbi rruzull’”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.