MILOSAO

Të bësh letërsi përmes dhimbjes

08:47 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Staff “Milosao”




Alda Mehmeti debuton në gjininë e romanit, në më të vështirën në letërsi, me një fabul që lidhet me kujtesën. E vetëdijshme për misionin kulturor, vështirësinë e gjinisë dhe të shkuarën, ajo të përball me një ngjarje, që shumë mirë romanin e ka kthyer në një roman dokumentar. Autorja duket se ka sjellë një fabul që e njeh mirë, por në një regjistër artistik. Brenda romanit ndërthuren disa linja, që e bëjnë kompozicionin e veprës të zbërthehet i plotë. Kurse struktura e romanit është shumë klasike dhe kjo i shkon edhe formimit teknik të autores. Stili është pak i tendosur dhe i ngarkuar, por këtë e justifikon me debutimin e autores, që gjithsesi të mban pezull me një histori që edhe pse ia kupton fundin, rend që ta lexosh. Kjo duhet të quhet meritë e saj. Si risi në vepër duhet konsideruar futja e intermexove, me të cilat ajo shbalancon vëmendjen dhe linearitetin e fabulës, por edhe i jep shtrirje ngjarjeve. Struktura e romanit është e menduar qartë.
Personazhi, që ngërthen boshtin e veprës, është pjesë e një familje të persekutuar dhe vetë me një histori të çuditshme në komunizëm, pasi ka provuar të arratiset dhe madje ia ka dalë, por jo herën e dytë nga ku fillon kalvari i tij që përfundon tragjikisht. Është rikthyer duke i sjellë familjes fillimin e persekutimit të radhës. Ngjarjet që përshkruan autorja janë të trishta, ndërsa ajo nga veta e tretë ku ndërton narracionin, e sjell të gjithë fabulën përmes fatit të një familje patriote, por me parametra të lartë dinjiteti…

Floriani, personazhi kryesor, vuan tentativën e dytë të arratisjes që mbyllet ende pa u kryer. Përmes librit, që fillon si prolog dhe mbaron me një epilog të vëllait të vet, shpaloset i gjithë mundimi i tij, por edhe dinjiteti dhe fati i keq, ku e përplas dëshira për një botë të re.
I ati, i studiuar jashtë në Francë, përmes njohjes dhe kulturës, do të na sjellë në vepër, linjën e dytë të romanit që na pasurohet mrekullisht nga kontaktet e tij me të internuarit e tjerë. Me episodet e pakta, ku ai futet në ndërlidhje me ta, lexuesi merr copëza jete të Shqipërisë së disa periudhave dhe ndërton një minihistori të Shqipërisë përmes syve të autores. Si dy drejtëza paralele, që nuk puqen janë të dy linjat ku është Floriani tashmë i burgosur në një kalvar që merr pjesën më të madhe të librit, me një dorë që po i degradohet prej plagës derisa ia presin dhe me lloj-lloj presioni dhe në tjetrën është pjesa tjetër e familjes për të cilën nuk ka asnjë lajm, por edhe që nuk mundet t’i përcjellë as edhe një lajm. Vetëm në një moment e arrin këtë, por në mënyrë shumë idilike.
Ndërkohë lexuesi që nuk e njeh atë kohë bëhet i vetëdijshëm për përmasat e kësaj shoqërie dhe ngjarjeve sesi ndodhnin. “Po ne-mendoi me vete Simio Raveli-a nuk jemi si peshqit në akuarium? Nëse jo, çfarë jemi që nuk lëvizim dot as edhe një grimë nga kjo copë tokë e mallkuar…?!”
Në këtë tmerr lëvizin personazhet tona, por që përmblidhen më së shumti te babë e bir, në dy linjat paralele dhe mekanizmi i të keqes, që është i tëri në madhësi dhe i dendur në atë masë urrejtje me anë të së cilës Alda Mehmeti zbulon mekanizimin e tmerrit në vend.
Përmes leximit ti njeh dhe fasha të tjera shoqërore por edhe ndikimin e tyre në të gjithë atë që po ndodh. Autorja e bën lexuesin të dalloj lehtë me personazhet e saj, njerëzit e mirë brenda të keqes dhe ata që e mbajnë të gjallë sistemin. Disa herë mbase duhej të ishte më fluide, por në këtë debutim nuk mund t’i kërkosh më shumë.
Fati i Florianit të mban ngërthyer dhe autorja e di mirë sesi ta mbajë peshën e tij të tendosur në mënyrë që lexuesi ta ndjekë. Këtë e administron shumë mirë deri në fund duke dhënë dhe mesazhin kryesor të saj, që e keqja nuk duhet të harrohet, kurse dashuria edhe përmes së keqes mund t’ia dalë. Anipse episodi i fundit i të dashurës së Florianit, tashmë e kërcënuar, është tejet i dhimbshëm ashtu si edhe vetëvrasja e tij. Mendojmë se me dashurinë që ka derdhur për këtë histori duhet të ketë diçka nga një fat familje, që për autoren duhet të jetë me patjetër i njohur. Njerëz të shpërfytyruar fizikisht, të torturuar, njerëz që kanë humbur mundësitë por jo shpresën, fate të dhimbta, të tjerë të shpërfytyruar, njerëzit e këqij të sigurimit, të parë gati si mostra në cinizmin e vet, na sillen lirisht në këtë libër. “A mos vallë edhe ajo ishte thirrur të luante rolin e saj në këtë lojë ironie fatale, makabre…e cila s’ishte gjë tjetër, veçse tallazitja e një shoqërie të rëndomtë, të dalë boje, që mbahej gjallë me misticizmin e fshehtë të një dogme që kur predikonte për njeriun si kapitali më të çmuar, ia dehte atij mendjen të fluturonte në shtigje fantazie, të udhëtonte në fare pa çaste, qoftë edhe për disa sekonda në një botë çudirash plot ëndrra të papërcaktueshme që në të vërtetë, nuk të jepnin as shpresën e as nuk të ngjallnin dëshirë?!”, shkruan ajo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.