KULTURË

Intervista/ Adam Budak: Arti si përjetim dhe një manifest për bujarinë

13:15 - 29.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

“Sot pushon shpengueshëm mbi të hapunat drandofile.”

Një varg i poezisë së Rainer Maria Rilke u bë temë e bisedës së Adam Budak, kurator drejtues në Galerinë Kombëtare, Pragë në kuadrin e “Art House School” në Art House në Shkodër. Përtej vargut, biseda u përqendrua te bujaria dhe shkëmbimi, duke marrë shkas nga historiku i themelimit të Galerisë Kombëtare në Pragë.

Ishte fundi i 1700-ës, kur një grup aristokratësh dhe intelektualësh çekë vendosën të përmirësoninin “shijen artistike” të shoqërisë duke themeluar një akademi artesh dhe një galeri artesh, për çka vunë në dispozicion koleksione veprash dhe jo vetëm. Teksa sot koleksionet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Pragë përfshijnë autorë si Pablo Picasso, Georges Braque, Auguste Renoir, Vincent van Gogh, Gustav Klimt, Adam Bunak, kurator i kësaj galerie, në bisedën e tij para artistëve të “Art House School” të premten, foli jo vetëm për bujarinë dhe nevojën për filantropë, siç qenë themeluesit e galerisë së Pragës, por edhe mbi politikat e menaxhimit të një muzeu. Duke u ndalur në punën e artistit të njohur francez Pierre Huyghe, biseda me artistët kaloi te “maska”, identitetet, hapësira mes artit dhe publikut, roli i muzeut mes “shkollës ku mëson dhe muzeut si hapësira ku ndjen e shijon”, nevoja për filantropë në art dhe politika e tij për të mbledhur vepra në galerinë çeke, duke e kthyer bujarinë e themeluesve të saj si një model e program për ditët tona, e nevojën për pothuaj një manifest mbi bujarinë.

Prej 23 gushtit, “Art House” ka bërë së bashku në “Art House School”, një grup prej dhjetë artistësh të rinj që kanë qenë aktivë vitet e fundit në skenën shqiptare. Në një përvojë alternative shkollimi ku dijet nuk përcillen në mënyrë vertikale e hierarkike nga dikush që di tek ato që nuk dinë, por shkëmbehen në mënyrë rrethore mes artistëve Silva Agostini, Bora Baboçi, Fatlum Doçi, Lek M Gjeloshi, Jetmir Idrizi, Iva Lulashi, Alket Frashëri, Remijon Pronja, Alketa Ramaj e Stefano Romano, me mentorët Zef Paci e Adrian Paci. Një grup kuratorësh dhe artistësh ndërkombëtarë do të dialogojnë me pjesëmarrësit, ku i pari syresh ishte Adam Bunak, që vjen në GSH me intervistën e mëposhtme.

-Ju folët me artistët për një lloj “boshllëku”, mes artit e publikut. Kujt i drejtohet ky art që kuptohet me vështirësi? Çfarë po ndodh me audiencën e artit bashkëkohor apo duhet t’ia shpjegojmë artin publikut?

Arti operon më gjuhën e vet, siç një disiplinë tjetër, për shembull të prodhuarit këpucë operon me një gjuhë tjetër. Artisti ka shpirt të pasur, ka imagjinatë ndaj krijojnë punë arti pasi për atë kanë studiuar në akademi, dinë se çfarë nënkupton arti. Në rastin e artit bashkëkohor, gjuha bëhet mbase gjithnjë e më shumë komplekse, me disa shtresëzime. Në këto kushte, arti sot, arti bashkëkohor është më kërkues se më parë, ka më pak narrativë, më pak përshkrim dhe përdor gjuhë tjetër. Kjo është arsyeja pse është një sfidë e madhe për muzetë dhe veçanërisht për kuratorët për të qenë ndërmjetës mes domethënies së veprave të artit dhe publikut, që nuk është mbase fort e edukuar në fushën e artit dhe vetë artistit.

Siç ju dini, së fundmi profesioni i kuratorit është bërë kaq popullor.

Ka një numër në rritje të kurseve kuratoriale, ose shkollave për kuratorë ku mëson se çfarë do të thotë të jesh kurator, si të përkthesh gjuhën e një artisti, që është mbase shumë hermetik në një gjuhë që shumica e shoqërisë, e jo vetëm elitat, do e kuptojnë.

– Pra, një njeri që e merr dhuratën nga artisti dhe ua jep njerëzve?

Po, por ka edhe diçka mbi dëshirën dëshpërimisht të madhe për të kuptuar një vepër arti. Mbase një vepër arti nuk është për t’u kuptuar.

 – Duhet vetëm ta ndjejmë?

Duhet ta ndjejmë, duhet ta shijojmë, duhet ta përjetojmë. Tanimë, një vepër arti bëhet më shumë përjetim, se sa diçka që duhet ta kuptojmë- vetëm, sepse dikush ndjehet nervoz a ndjen frustrim, që nuk e kupton dhe nuk mund të lidhet me një vepër arti. Nëse ne e pyesim publikun, ose nëse ne i themi atij që detyra jonë nuk është ta kuptojmë veprën e artit dhe se nuk duhet të jemi të trishtuar se nuk e kuptojmë, duhet t’u themi se është më shumë për të gjalluar ndjesi të tjera, për të zhvilluar dhe për të përjetuar një vepër arti si një shprehje të qartë të imagjinatës. Mbase kuratorët në një ekspozitë mund të ndihmojnë për këtë.

– Regjimet totalitare kërkuan një art për masat, për shumicën. Arti qe thjeshtësisht i kuptueshëm për të gjithë. A kemi mbërritur te arti konceptual si nevojë për t’u shprehur ndryshe, apo diçka brenda nesh na çoi te ky art edhe si nevojë për të shtyrë e për t’u larguar nga arti realist jo pak i imponuar në Lindje nga regjimet?

Mendoj se arti duhet të jetë i lirë, duhet të jetë i pakushtëzuar, nuk duhet të ndjekë ideologji, apo të kërkojë diçka. Arti në komunizëm, siç e dimë, ishte plot me ideologji dhe kjo është gabim, sepse të kufizon në produktin artistik. Në këtë rast, ne luftojmë kundra tij sigurisht, por ajo që është më e çmuara është të krijojmë një art që është i pa shtrënguar, që nuk është zëdhënës i një force pas tij: qoftë kjo ideologji, politikë, apo axhendë tjetër.

– Ç’ekspozita vizitohen më shumë në Galerinë Kombëtare të Pragës?

Programi ynë, dhe unë jam përgjegjës për pjesën më të madhe të këtij programi, është shumë i ndryshëm. Ne përpiqemi të kemi ekspozita që shërbejnë si “blockbuster”, duke pritur që këto të shërbejnë për të tërhequr audienca të mëdha, dhe këto janë kryesisht ekspozita të artistëve të mëdhenj. Vitin e kaluar një nga ekspozitat më të suksesshme ishte ajo e Henri Rousseau ndërsa tani kemi një ekspozitë të Gerhard Richter. Disa vepra janë më popullore, njerëzit e pëlqejnë pikturën dhe po ashtu fotografinë, por dihet që janë pak problem instalacionet. Ne përpiqemi të balancojmë programin tonë që të kemi njëherësh të hapura, ekspozita që janë për shumicën e njerëzve e po ashtu përpiqemi ta tërheqim këtë audiencë drejt një projekti që është më ambicioz, më hermetik.

-Ekspozita për disa shtresa?

Po, sepse duke pasur një ekspozitë popullore dhe një tjetër ekspozitë më të vështirë, e para bën që të vizitohet më shumë dhe e dyta.

-Cili është sot misioni i një institucioni kombëtar si Galeria Kombëtare në Pragë dhe misioni i artit sot?

Galeria Kombëtare për të cilën punoj, ka pesë koleksione dhe misioni është të mirëmbajmë koleksionet, t’i zhvillojmë ato, ta bëjmë të njohur atë në Çeki dhe mendoj se një pjesë tjetër me rëndësi është ta kontesktualizojmë këtë produkt lokal artistik në një hapësirë ndërkombëtare. Ne prezantojmë ekspozita të artistëve ndërkombëtarë ku krijojmë dialogë mes artistëve lokalë dhe atyre ndërkombëtarë, mes artistëve pak të njohur lokalë me ata shumë të njohur ndërkombëtarë, për të parë lidhje, për të parë pas në histori, për dialogë të mundshme, mes stileve dhe artistëve, lëvizjeve të artit të shekullit tonë.

-A keni një projekt me Shqipërinë?

Kemi pasur një bisedë, por ende nuk kemi asgjë konkrete. Bisedimet do të vazhdojnë në muajin shtator për të parë një bashkëpunim të mundshëm.

 

KUSH ËSHTË ADAM BUDAK

Që nga viti 2014, Adam Budak është kuratori kryesor në Galerinë Kombëtare në Pragë, Çeki. Më herët ka qenë kurator për artin bashkëkohor në Hirshhorn Museum and Sculpture Garden në Washington, si edhe në Graz të Austrisë, në galerinë Art Bunkier Sztuki në Krakov, Poloni.

Budak ka kuruar ekspozita të shumta, përfshirë Manifesta 7 (Trentino Alto Adige), Bienalen e Venecias (Pavijoni polak i Bienales së Arkitekturës dhe Pavijoni i Estonisë në Bienalen e Artit), dy botime të Bienales së Pragës, Bienalen e Gherdenais, etj. Ka punuar me shumë artistë të njohur, duke përfshirë Louise Bourgeois, John Baldessari, Sharon Lockhart, Monika Sosnoëska, Ai Weiwei dhe Brian Eno. Bunak ka kontribuar në shumë botime dhe ka redaktuar dy vëllime të “Ç’është Arkitektura?”

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.