MILOSAO

Poeti që iu kushtua punëtorit, si askush

10:18 - 23.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shpëtim Çuçka

Vijon
11.
Le t’i kalojmë një e nga një para syve poemat e Dritëro Agollit. Le t’i shfletojmë si fletët e vyera të një albumi të rrallë të jetës sonë dhe të jetës së brezave para nesh, le të rifreskojmë mbresat e një krijimtarie me të vërtetë të jashtëzakonshme pikërisht për thjeshtësinë dhe madhështinë e mesazheve.
Ja “Poema e udhës” e vitit 1957. Në çdo varg një e vërtetë e jo thjesht një mbresë a një detaj, në çdo pjesë – një mësim i hidhur e i madh, ashtu si janë mësimet e vërteta të jetës së vërtetë. Dhe një lexues me mendje e me shpirt arrin ta kuptojë se përse Dritëro Agolli depërton në qenien tonë: me të tilla vargje si te “Poema e udhës” ai na sjell ndër mend fëmijërinë.
Le të lexojmë diçka (cituar sipas përmbledhjes së Sh.B. “Naim Frashëri” me titullin “Poezi”):

Dhe rridhte fëmiri e turbulluar,
Dhe dukej se nuk ishte fëmiri,
Po ish diçka më e ashpër dhe më e vuar,
Po ish diçka që quhet pjekuri…
Me krismën e dyfeqeve në male,
Me ngritjen e raketës në errësirë,
Me vrullë e himnit “Internacionale”
I thashë fëminisë lamtumirë.
……………………………….
…Kështu me çetën partizane shkova,
Hero unë kushedi dhe nuk kam qenë,
Po vendin tim e mbrojta dhe e çmova
Dhe mundet që dëshmor të kisha rënë!

Kështu shkruante një i ri 26 vjeç dikur në Shqipëri. Le të shikojmë – në qoftë e mundur! – se ç’ndodh me njëzetegjashtëvjeçarët sot, me se merren ata, si e kalojnë ditën, ç’mendime e ç’ëndrra kanë. Dhe le të mendohemi për ndryshimin e thellë të brezave, për ndryshimin e thellë të vetë shoqërisë sonë.
Këtu, te fryma e katër vargjeve të pasmë dhe sidomos te vargu i tyre i fundit, na vijnë në mendje vargjet e mëposhtme të  Migjenit (sipas botimit të “Rilindjes”, Prishtinë, 1980):

Na të birtë e shekullit të ri,
Me hovin tonë e të ndezun peshë,
Ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
Dhe për fitore kem’ me ra fli.

Ja, kështu, në art, ashtu si edhe në jetë, e madhja dhe e madhërishmja – të trajtave të ndryshme – bashkohen! Dhe ne kemi të drejtë të ndihemi krenarë që kemi të tillë letërsi. Ashtu si kemi detyrimin qytetar t’i bëjmë gjerësisht të njohura këto vlera tonat për brezat e rinj.
Për fat shumë të keq as krenarinë nuk e shfaqim (dhe nuk na lënë ta shfaqim!) dhe as edukimin kulturor e atdhetar të brezave të rinj nuk e bëjmë (dhe nuk na lënë ta bëjmë!). Paratë e shoqërisë sonë nuk shkojnë për të tilla gjëra! Para për të tilla gjëra nuk kemi!

12.
Ja edhe poema “Mendime në vjeshtë” (1960). Poemë e peizazhit, poemë e natyrës dhe njeriut, poemë e ndjenjës dhe e mendimit:

E ndajnë diellin përgjysmë
pishat e holla.
I ngjiten diellit si parmakë rrote
tri mënjolla.
Zabeli skuq i përgjakur
si flamur divizioni
Dhe era fletët shtyn
nga honi.
Unë një fill bari përtyp
mbi gur:
Në mend një varg kam,
po dot s’e thur.
Një zog mbi degë i vetëm
belbëzon,
Mendimet dhe ëndrrat
m’i trazon.
Qëndro, qëndro, o zogu
vocërrak,
Të thur për diellin, vjeshtën dhe për ty
një varg…
Qëndro, se gjithnjë,
i mjeri unë,
Kam dashur të mbaroj
një punë
Të pastër, të bukur
e plot jetë
Si ky perëndim dielli
në vjeshtë!

Sot shija qytetare, që përhapet përditë nga të gjitha mjetet e informacionit publik, nga të gjitha botimet, nga të gjitha shfaqjet skenike (e jo vetëm!), nuk mbështetet më tek e thjeshta e bukur dhe e bukura e thjeshtë. Sot shqiptarëve nuk u jepet as e thjeshta dhe as e bukura. Dhe natyrisht as mendimi.
Sot nuk janë të bukura dhe të thjeshta as jeta, as mjedisi dhe as natyra. Dhe në asgjë nuk vihet re fuqia e mendimit njerëzor.
Shkruante Hegeli dikur, dy shekuj më parë: “Jo të diturit e së vërtetës, por njohja vetëm e anës së jashtme të asaj që është e përkohshme dhe rastësore, njohja vetëm e asaj që është e kotë, ja se… ç’është përhapur dhe vazhdon edhe në kohët tona të përhapet e të japë tonin”.
Kemi arritur edhe ne atje.

13.
Ja edhe poema e pikëlluar “Dhjetë sy” (1960) kushtuar flijimit të pesë kufitarëve në ruajtje të kufirit shtetëror në zemër të dimrit. Pesë djem të rinj. Si pesë heronjtë e Vigut:

Qëndro, gjeolog, lëre torbën tënde
Te ky obelisk pishe mbi përrua!
Ne me pëllëmbë i njohim këto vende
Dhe frymën dehëse të pishave e duam.
E di ç’ka ndodhur dimrit mbi dëborë
Këtu te kjo dëllinjë te kjo pemë,
Kur unë e ti shënonim në fletore
Ndonjë shifër apo varg poeme,
Kur unë e ti në shtrat shikonim në ëndërr
Metale dhe heronj dyfekëlarë?
Këtu çapiteshin mes mjegullës së dendur
Pas njëri-tjetrit pesë kufitarë;
Këtu dëborën shtypnin dhjetë këmbë,
Këtu shikonin bjeshkët dhjetë sy,
Këtu lundronin pesë gjokse shkëmbi,
Përmes furtune, ere e stuhi…
……………………………….
Këtu dëborë e maleve të lartë,
E flakur nga tufani i tërbuar,
I mbylli dhjetë sy të zez, të kaltër,
I mbylli dhjetë sy të dashuruar.

Ç’është sot kufiri për ne? Sa herë në këta dhjetëvjeçarët e fundit shqiptarët e kanë shkelur dhe kapërcyer rrugë e pa rrugë, shteg e pa shteg, detit të qetë a me tallaz? Sa herë moti, nata apo honi i përpinë shtegtarët e hallit? Dhe a mbrohet sot ky kufi, a vigjëlohet në vijën e tij? Pyetje që nuk shtrohen më, kufi që nuk ndihet më si i tillë.
Sa larg nga koha, kur Dritëro Agolli u thurte poemën pesë kufitarëve të rinj të atdheut! Ku ishim e ku jemi!
Një tjetër temë e madhe dhe një tjetër pasqyrë poetike, pothuaj elegjiake, ku brezat e ardhshëm të shqiptarëve mund të shohin veten e tyre dhe të kuptojnë se sa në të vërtetë e duan vendin e tyre, si kujdesen për të me punë dhe me vigjëlim.
Një tjetër mesazh-mësim për ta që të kuptojnë se cilët janë e ku po shkojnë, cila ka qenë historia e vendit të tyre dhe cila është e sotmja.

14.
Të qenët i pagjumë dhe të udhëtuarit janë dy nga tiparet më dalluese të Dritëro Agollit njeri dhe poet. I gjejmë ato në çdo vëllim poetik dhe në poezitë më të mira, nga hapat e para të krijimtarisë e deri te “Fletorka e mesnatës”. I gjejmë në tituj poezish dhe në tituj vëllimesh poetike. E tillë ishte jeta e Dritëroit: udhëtime pa mbarim. Poeti dhe studiuesi M. Zeqo shkruan se D. Agolli praktikisht ka qenë në të gjitha fshatrat e Shqipërisë. Praktikisht në të gjitha! Edhe vetëm ky fakt dëshmon për gjerësinë e botës që ka mbartur brenda vetes D. Agolli, për gjerësinë e botës së tij poetike e letrare.
Poema e radhës nga pikëpamja kohore titullohet pikërisht “Poema e të pagjumëve”. Përse e prek poeti këtë temë? Ç’dallim ka pagjumësia, që ai e bën objekt të krijimit poetik, nga pagjumësia e sotme e njerëzve pa punë dhe e njerëzve të lokaleve që qëndrojnë hapur pothuaj deri në mëngjes? A ka lidhje ndërmjet pagjumësisë së D. Agollit dhe pagjumësisë së “netëve të bardha” të shoqërisë së sotme lirimadhe?
Të lexojmë:

Ne jemi të pagjumët
Punëtorë, astronomë, poetë, konstruktorë;
Ne jemi të pagjumët,
Që gërvishtim në letër me penë në dorë.
………………………………………….
Natë pa gjumë!
Natë me ëndrra pranë tryezës së vjetër!
S’troket askush tek unë:
Pena gërvisht me majën e trashë në letër…
Kush tha se unë jam i vetmuar?
Po të pagjumët e tjerë?
Astronomi ka marrë një yll në duar,
Punëtori çekanin tund e djersa pikon nga balli i gjerë…

Kujt tha se unë do bëja mirë
Sikur të mendoja vetëm pagjumësinë time të mjerë,
Po i përgjigjem:
“O njeri i përhirë!
Unë jam i pagjumë, se ka të pagjumë të tjerë.”

A ka sot poetë që përmendin në vargjet e tyre punëtorin me çekan? A ka më punëtorë të industrisë? A ka kush i këndon më punës? Punës prodhuese, punës shndërruese? A ka më dyshime rreth dallimit ndërmjet “pagjumësisë së mjerë” dhe pagjumësisë së njeriut që i shërben shoqërisë jo thjesht për shpërblim material, jo thjesht për një fitim?
Ky është Dritëro Agolli dhe kjo është pika e krahasimit. Gjithnjë nëse mund të bëhen krahasime ndërmjet gjendjes së një popullsie të punësuar në punë të kualifikuar, aq më tepër industriale (dhe jo thjesht artizanale), dhe gjendjes së një popullsie të papunësuar. Tërësisht të papunësuar.
Në një studim lidhur me proceset dhe ndryshimet psikologjike, që kishte sjellë papunësia për disa breza në shtresa të caktuara (jo të vogla!) të popullsisë së një vendi tejet të zhvilluar, nënvizohej fakti që papunësia e zgjatur në dy-tre breza të një familjeje kishte fshirë gatishmërinë dhe vullnetin e këtyre brezave – pa llogaritur këtu shprehitë e caktuara të një profesionalizmi sado të thjeshtë – për t’u marrë me punë, për të kërkuar punë, për t’u përballur me një jetë të mbështetur te puna.
Më poshtë do të shihet pak më hollësisht se ç’përbën puna për njeriun, për njerëzit, për njerëzimin.
Këtu po mjaftohemi të mbajmë shënim se tjetër është pagjumësia e një njeriu, që i heq një ose disa orë gjumë vetes për t’u marrë në mënyrë të vullnetshme dhe të ndërgjegjshme me një veprimtari të këndshme për atë vetë e të dobishme për shoqërinë, dhe krejt tjetër pagjumësia e njerëzve, që nuk dinë si t’ia bëjnë për të jetuar ose që përballen me probleme të të afërmve, probleme që burojnë nga pamundësia për të siguruar jetesën.
Përsërisim: Ky është mesazhi i “Poemës së të pagjumëve” dhe kjo është pika e krahasimit të asaj kohe me kohën tonë.
vijon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.