KULTURË

Rosemarie Trockel / Nga Serpentine e Londrës në Galerinë Kombëtare

09:55 - 24.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

Unë mendoj për veprën si të padukshmen e bërë të dukshme dhe nuk ka rëndësi kaq shumë për mua nëse kam bërë apo jo.”

“Rosemarie Trockel, artistja e njohur që doli nga Këlni në vitet 1980, kurrë nuk do të pajtohej me retrospektivën tradicionale të muzeve. Arti i krijuar prej saj – që shtrihet nga filmi në skulpturë e deri te sendet e jetës së përditshme – kurrë nuk ka qenë i lidhur në një vijë të vetme dhe i ka rezistuar gjithmonë përpjekjeve për të gjetur unitetin në diversitetin e saj”.

The Guardian është ndalur gjatë në punët e artistes gjermane Rosemarie Trockel, në vitin 2012 dhe në vitin 2013, kur ajo do të ekspozohej në Serpentine Gallery, një prej hapësirave më në zë të artit në Britaninë e Madhe. Atëkohë, qenë përfshirë në një ekspozitë “retrospektivë” punët e artistes dhe ndikimet e shekujve të ndryshëm që e kishin shoqëruar veprën, duke formuar me tërësinë e veprave një “hartë” të paraardhësve të saj artistikë, –siç shkruan The Guardian- një kozmos, frazë prej së cilës u “huazua” titulli i atij artikulli dhe i ekspozitës së parë të saj të madhe muzeale në SHBA mbi një dekadë më herët. Ajo ekspozitë u shfaq edhe në Reina Sofia në Madrid dhe udhëtoi më pas në Serpentine në Londër. “Arti i Trockel është enigmatik, por kjo nuk do të thotë se është i vështirë”, -shkruante The Guardian, duke shtuar se ekspozita ishte një sukses i befasishëm. Gazeta shtonte se Trockel është një artiste gjermane me influencë në të 60-at e njohur kryesisht për veprën me batanije të thurura që përfshinin logot e diskutueshme – lepurin e Playboyt a simbolin bërthamor – duke bërë art politik përmes punës së grave. “Gjeste të tilla janë të lidhura me kohën dhe ambienti i hapjes së kësaj shfaqjeje është e stilit të viteve 70-të: një bibliotekë e pamfleteve, librave, librave të dobët, vizatimeve veprave të tjera në letër”.

ROSEMARIE TROCKEL NË TIRANË

Mbas ekspozitave të suksesshme në New York e Londër, me ekspozitën “Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura” në datat 24 tetor – 3 dhjetor veprat e Rosemarie Trockel do të jenë në Tiranë. Futja e kryeqytetin tonë (me vonesë) në këtë hartë është megjithëkëtë jo pa rëndësi. Janë Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ambasada Gjermane që e hapin ekspozitën “Rosemarie Trockel – Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura”. Ekspozita e artistes së famshme gjermane Rosemarie Trockel (lindur në vitin 1952 në Schwerte, Gjermani hapet si një nga aktivitetet e rëndësishme të Tetorit Gjerman për vitin 2017. Kjo është hera e parë që kjo artiste ekspozon veprat e saj në Shqipëri.

Rosemarie Trockel vlerësohet si një nga artistet më të famshme bashkëkohore sot në shkallë globale, e cila e shpreh vështrimin e saj krejtësisht vetjak për botën me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve. Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.

Sipas GKA-së, skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse.

Në punët e Rosemarie Trockel, në mënyrë rituale dhe të pandërprerë, mediat tradicionale dhe ato të reja shkrihen në lidhje të befasishme për shikuesin. Kjo është veçanërisht e dukshme në vizatimet me tush, karbon, laps, kolazhet apo dhe vizatimet kompjuterike, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në veprën e saj. Çdo fazë e re e punës së Rosemarie Trockel shoqërohet me vizatime, të cilat janë dhe skica që vënë në dukje vëzhgimet dhe idetë e saj në proces krijimi, por, siç është veçanërisht e dukshme në veprat aktuale të formatit të madh, ato, gjithashtu, formojnë edhe një trup të pavarur pune dhe krijimtarie. Si rrjedhim, kjo ekspozitë vë një theks të veçantë në veprat në këtë medium, por edhe në videot e saj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.