KULTURË

“Vrasësi i verbër” i Atwood, saga e fajeve e përgjegjësive

14:41 - 24.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kur je i ri, mendon se gjithçka që bën është njëpërdorimshme. Lëviz nga një e tashme te tjetra, duke e zhubrosur shuk kohën dhe duke e flakur tutje. Shkrihesh e bëhesh një me makinën tënde që rrëshqet me tërë shpejtësinë. Mendon se mund të çlirohesh nga gjërat, dhe nga njerëzit – mendon se i lë pas krahëve. Ende nuk ua di zakonin që kanë, për t’u kthyer”- “Vrasësi i verbër”, botime Pegi, 2017. Margaret Atwood e njohur te ne me romanin e mëparshëm “Rrëfenja e shërbëtores” vjen sërish në shqip me këtë roman të zgjuar e të jashtëzakonshëm.

Margaret Eleanor Atwood (Ottawa, 18 nëntor 1939) është poete, shkrimtare dhe ambientaliste kanadeze. Ajo ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e Princit të Asturias për Letërsinë, çmimin prestigjoz Booker Prize (në të cilin ka qenë finaliste për pesë herë) pikërisht me “Vrasësin e verbër” dhe dy herë për çmimin e “Guvernatorit të Përgjithshëm”, i cili jepet nga kryeministri kanadez. Romani i përkthyer nga Agim Doksani, nuk është vetëm saga e një familjeje të pasur, por edhe saga e fajeve dhe përgjegjësive që mblidhen mbi njëra-tjetrën, si të ishin kukulla të vogla të verbra, që na lënë gjithmonë me pyetjen: “Po individi, ç’rol luan këtu?”

Fitues i Man Booker Prize në vitin 2000, “Vrasësi i verbër” është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre. Romani fillon me vdekjen e mistershme, ndoshta vetëvrasjen, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945. Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë.

“Përse vallë kërkojmë me kaq këmbëngulje të përkujtojmë veten? Madje e bëjmë këtë edhe në gjallje. Dëshirojmë ta theksojmë ekzistencën tonë, njëlloj siç pshurrin qentë mbi fikësit e zjarrit. I vendosim në vend të dukshëm fotografitë tona në korniza, diplomat tona në pergamenë, filxhanët e veshur në argjend; vendosim monogramet në të linjtat tona, gdhendim emrat tanë në pemë, i shkarravisim në muret e banjave publike. Gjithnjë e njëjta shtysë. Çfarë shpresojmë të marrim në këmbim? Miratim, zili, respekt? Apo thjesht vëmendje, e cilitdo lloj qoftë ajo? Më së paku duam një dëshmitar. Nuk e durojmë dot idenë që më në fund zërat tanë do të heshtin, si një radio që po i bie bateria”- thotë një nga personazhet.

Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t’i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe, njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme. Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues e të shkëlqyer. I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë. Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin “Hammet”, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General’s Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Award. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në Anglisht, që prej vitit 1923.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.