KULTURË

Viti i Skënderbeut, Akademitë e Shkencave me protokoll bashkëpunimi

12:31 - 25.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




U nënshkrua në Akademinë e Shkencave protokolli dyvjeçar i aktiviteteve shkencore (2018-2020), mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Protokolli u nënshkrua nga sekretarët shkencorë përkatës të Akademive: akademik Isuf Krasniqi (ASHAK) dhe akademik Vasil S. Tole (ASHSH). Një vend të veçantë në protokoll zënë aktivitetet për vitin 2018, shpallur si “Viti i Skënderbeut” nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë. Në të është mbajtur parasysh rëndësia e shkëmbimit të informacionit shkencor, si edhe ndërmarrja e nismave të përbashkëta shkencore nga të dyja palët, mbështetur marrëveshjes-kuadër ndërmjet dy akademive. Veprimtaritë e përbashkëta të dy institucioneve do të zhvillohen për ngjarje të ndryshme në dy vjet. Një konferencë shkencore ndërkombëtare mbahet në Tiranë në vitin 2018 për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si figurë e shekujve të humanizmit europian, ndërsa për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, konferenca shkencore ndër akademikë mbahet në Prizren. 100-vjetori i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, do përkujtohet me konferencë shkencore, në bashkëpunim me Institutin e Historisë, në Tiranë dhe Institutin e Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, në Shkodër, 2018, ndërsa 110-vjetori i Kongresit të Manastirit do të shënohet me konferencë shkencore ndërakademike në Shkup e Manastir. Gjatë këtij dyvjeçari do të bëhet përgatitja për botim e akteve të veprimtarisë së Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe vijim i punës së mëparshme Prishtinë, Tiranë 2018-2020, konferencë për romanin shqiptar që nga fillimi i shekullit XXI, konferencë për epistemologjinë e shkencave albanologjike sot, etj. Vëmendje i është kushtuar në këtë protokoll, edhe gjeoturizmit në hapësirën ndërkufitare malore – risi për zhvillimin ekonomik e kulturor në Shqipëri dhe Kosovë. Përparësi do të ketë, po ashtu, katalogimi online i fondeve albanologjike: bibliografitë online të kërkuesve shkencorë; përurim dhe zgjerim i procesit të krijimit të sistemit bibliografik online të kërkuesve shkencorë shqiptarë; shkëmbim eksperience, përurim i bibliografive në proces; kualifikim i punonjësve të bibliotekave, profesionalizime mbi katalogimin e njësive bibliografike; organizimi i panairit të përbashkët vjetor të librit akademik si edhe shkëmbimet reciproke të botimeve, të periodikëve dhe botimeve shkencore, ekspozita të botimeve të librit akademik. Sa i takon shkencës dhe kërkuesve të rinj protokolli parashikon veprimtari të përbashkëta të Akademisë së të Rinjve të Shqipërisë dhe kërkuesve të rinj në Kosovë dhe Tiranë, sikundër edhe veprimtari shkencore e përuruese në fushën e arteve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.