OPINION

“Kanabizimi” i universiteteve publike

07:40 - 31.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Valbona NATHANAILI

 

Përpara disa ditësh, në sallën e Universitetit të Arteve (universitet publik), me mbështetjen e ambasadës austriake në Tiranë, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e regjisorit Uwe Theimer, dha një koncert me muzikë klasike. Muzikë e shkëlqyer dhe interpretim i mrekullueshëm! Por… dhe gjithmonë ka një “por” sa herë bëhet fjalë për universitetet publike, në mes të koncertit ikën dritat… Po, ikën dritat! Situata u përballua me sukses falë përgatitjes së muzikantëve dhe mbështetjes së publikut, por të paktë, besoj, kanë qenë ata spektatorë, që nuk iu mbushën sytë me lot dhe nuk u ngritën në këmbë kur muzikantët vazhduan të luanin me të njëjtën harmoni deri në fund të pjesës, një shfaqje për të cilën orkestrat e tjera kërkojnë muaj për t’u përgatitur. Përfundimi është se pas kësaj ngjarje nuk je më spektatori që ke vajtur për të kaluar një mbrëmje të bukur. Pa dashje fillon të bëhesh edhe më i vëmendshëm dhe sheh gjëra që më parë edhe mund t’i kapërdije: hapësira ndërmjet rreshtave të karrigeve ku ulen spektatorët të kujton radhët për të blerë qumësht në vitet 1980, kaq e vogël është distanca nga një rresht në tjetrin, karriget janë të vjetra dhe kanë kohë pa u rinovuar, ndërkohë që karriget ku ulen orkestrantët janë prej plastike, nga ato që gjen me shumicë në lokalet e zakonshme buzë ndonjë plazhi të humbur, si dhe plot të tjera.

Dhe me këtë shkas hap faqen online të Universitetit të Tiranës – të dhënat sipas dt. 30.10.2017. Faqja ka shumë mangësi dhe është me paraqitjen më modeste krahasuar me faqet online të universiteteve private, ndërkohë që faqet e universiteteve në rrethe janë edhe më dëshpëruese. Në një analizë shumë të thjeshtë, megjithëse faqja është shqip, nuk kanë mundur të gjejnë sinonimin shqip për fjalën “event”, që gjithsesi në këtë kategori përmblidhen kryesisht dhe vetëm në takimet që ka zhvilluar rektori me homologë të tij, faqja e projekteve shkencore (si nënkategori e K. Shkencor) “është në ndërtim”, domethënë nuk raporton asnjë projekt shkencor i zhvilluar nga Universiteti i Tiranës deri më vitin 2017 (!?), ndërsa “Aktivitetet Kërkimore-Shkencore” (përsëri si nënkategori e K. Shkencor) raporton në total vetëm pesëmbëdhjetë të tillë (e theksoj që bëhet fjalë për gjithë universitetin), për periudhën 2013-2014, të tipit konferenca shkencore mbajtur në vetëm 4 fakultete, nga 6 që përfshin ky universitet. Periudha 2015-2017 dhe ajo përpara vitit 2013 është “tabula rasa“.

Disa vite shkollore kam dhënë leksione e seminare në Universitetin e Tiranës, në të dyja drejtimet e mia, fizikë e shkenca edukimi, ndërkohë që vazhdimisht kam pasur bashkëpunime shumë të mira me pedagogë e drejtues të këtij universiteti, veçuar ata të Universitetit të Arteve, dhe pohoj me forcë këmbënguljen e tyre për të dhënë maksimumin, kur pak gjasa ka të të njihen pasioni, përgatitja, vullneti, përkushtimi dhe asnjë gjasë të shpërblehesh e promovohesh, sepse në fund të ditës, përveç shumë problemeve që ka sjellë mënyra e organizmit dhe e administrimit që ofron ligji i arsimit të lartë, rasti i sallës së mësipërme, në fakt, mund të jetë një nga më pak problematikët. Sipas ligjit për arsimin e lartë, universitet publike janë projektuar të administrohen, pjesërisht, sipas modelit të universiteteve private, por pa parashikuar vështirësitë që mund të kishte një model i tillë, apo sa efikas do të ishte. Pra, synimi mund të ketë qenë i mirë, por rezultati shumë i keq. Në rastin e universiteteve private, administratori që është përgjithësisht edhe pronari ose një njeri i besuar i tij, udhëheq me dorë të fortë dhe të hekurt. Në universitetet publike, administratori është thjesht personi i punësuar. Ligji për arsimin e lartë sigurisht duket i bukur në këtë drejtim, sepse ka një bord që e zgjedh dhe e kontrollon, po aq sa e pushon kur nuk punon si duhet, por sigurisht për shkak të një numri shumë të madh burokracish e eksperimentesh me të punësuar, rezultatet tregojnë se nuk mund të ketë barazi ndërmjet administratorit të një universiteti privat dhe atij të një universiteti publik: i pari është i plotfuqishëm në çdo gjë dhe nën drejtimin e tij të gjithë këndojnë në kor me vetëm një zë, ndërsa i dyti është i punësuari radhës (meqenëse po flasim për administratorë, Universiteti i Tiranës po kërkon të punësojë një administrator të ri). Akoma, në universitetet private ka një lidhje shumë harmonike ndërmjet administratës dhe personelit akademik. Në përgjithësi politika është që të ketë bashkëpunime sa më të ngushta ndërmjet tyre: mbledhje e raportime pothuaj të përditshme dhe shpesh pedagogët janë në rolin e administratorëve të niveleve të ndryshme dhe anasjelltas. Në universitet publike këto janë të ndara dhe shumë larg nga njëri-tjetri, në mos edhe krejtësisht të huaj për njëri-tjetrin. Për t’i pasur më të thjeshta arsyetimet e konkluzionet, po sjell edhe një shembull tjetër nga universitetet private: në këto universitete ekzistojnë zyrat e projekteve (në formën e OJF-ve, për shembull institut, qendër, fondacion etj.), me disa të punësuar me kohë të plotë, ku detyra e secilit prej tyre është të hapë e mbyllë gjithë ditën çdo faqe online institucioni, privat a publik, në formën e një shoqërie fitimprurëse a jo fitimprurëse, shqiptare a të huaj dhe të identifikojnë çdo burim të ardhurash që mund të shërbejë si bazë për ngritjen e një projekti, duke filluar nga ndërtimi e arredimi i një salle shfaqjeje e deri te botimi i një manuali të zakonshëm, po aq sa të lobojë pranë njerëzve që i kanë këto pushtete. Këto para u shtohen parave që merren direkt nga kuotat e regjistrimit të studentëve. Kush ndërmerr nisma të tilla në universitetin publik?

Universiteti publik vazhdon të bëjë hije vetëm për shkak të inercisë. Nuk më habiti fare rezultati i Agjencisë së Akreditimit dhe besoj në seriozitetin e kritereve të tij. Mekanizmat e administrimit sipas ligjit për arsimin e lartë, janë të tillë që vënë barazi aty ku është e pamundur të ketë barazi dhe bëjnë dallime aty ku është e pamundur të bësh dallime ndërmjet institucioneve private e publike. Dhe të gjitha me një pasojë: degjenerimin në një të ardhme jo të largët të arsimit të lartë publik dhe zhvlerësimin e kontributeve të një armate të madhe pedagogësh që punojnë në këtë nivel.

Në Shkodër qarkullon një fjalë e urtë popullore: I zoti e jep, tellalli e mban. Ministria e Arsimit duhet të reflektojë ndaj pakënaqësive të ngritura nga ata që punojnë në këtë sektor dhe nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj një situate për të cilën është vetë autore. Ligji për arsimin e lartë u mundëson universiteteve publike të vazhdojnë të vegjetojnë, ndërkohë që u merr cilësinë, u mohon dinjitetin, u errëson shkëlqimin dhe u zhvlerëson përpjekjet. Ligji për arsimin e lartë i ka shndërruar universitetet publike si fushat me kanabis që raporton prokuroria italiane që gjenden në Vlorë. Në fakt, të gjithë e dimë se si është gjendja dhe vetëm “ata lart” thonë që çdo gjë është në rregull. Me sa duket, duhet ndonjë skandal që të vërë në funksionim mekanizmat për ndryshimin e tij. Kambana e Agjencisë së Akreditimit i bashkohet thirrjeve të mëparshme, por me sa duket kori nuk ka marrë nota tragjike ende.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kanabizimi i univerziteteve publike ose , serbizimi i mendjes dhe trurit te shqiptareve
    Dhe , tradita vazhdon e nderuar Valbona
    Ate cfare beri Tito me politikanet e Shqipërisë , Enver Hoxhen , Mehmet Shehun & company dhe Fadil Hoxhe e Mahmut Bakallin & company ne Kosove , ate dje cfare beri Millosheviqi me Fatos Nanon , Sali Berishen & compny dhe Rrahman Morinen e Hysamedin Azemin , Azem Vllasin & company ne Kosove , ate sot bene Vuciqi me Edi Ramen , Sajmir Tahirin e Lulzim Bashen & company ne Shqiperi dhe Hashim Thacin , Ramush Haradinaj e Isa Mustafes & compny ne Kosove
    Politika serbe per me shume se nji shekull, ka ngulitur thelle kanabizimin ose mendesine serbe ose , serbizimin e kokave te shqiptareve dhe per 10,20 ose 30 vite kjo ” smundje ” nuk sherohet kollaj..!
    Ne projektet dhe memorandumet e vjetra dhe te reja serbe kunder shqiptareve eshte e shkruar e zeze mbi te bardhe -te shkaterrohet ne gjitha firmat e mundeshme i familja shqiptare kudo qe ajo gjendet.Pse serbet kane hartuar projekte te tilla nuk eshte faji i tyre por , pse shqiptaret lehtesishte i perqafojne keto projekte antishqiptare duke i shkatrruar vlerat e tyre kulturore , gjuhesore , etnike , historike etj. kjo , kjo eshte per nji analize te thelle shkencore sepse , te hartosh projekte per shkaterronin e familjes shqiptare do te thote , te hartosh projekte per shkaterrimin e shteteve shqiptare , Shqipërisë , Kosoves dhe pjeserishte Maqedonise e Lugines se Presheves pasi , dihet se shume familje shqiptare perbejne shtetet Shqiptare dhe , nese familjet shqiptare ose, antaret e tyre kanabizohen ( pranojne projektin serb te shkaterrimit te familjes shqiptare ) ateher edhe shteti shqiptar do te vjene drejt deshtimit , e nderuar znj.Nathanaili.Ndalja e dritave ne koncertin e filarmonise austriaje ka kete mesazh, moseriparimi i karrigeve dhe šalješ se teatrit ponjashtu person te njejtin mesazh dhe , ne fund , zhgenjimi eshte i pashmangeshem sepse , shqiptareve iu ngulit thelle ne kokat e tyre mendesia serbe

    Përgjigju ↓