MILOSAO

Retrospektivë nga Feride PAPLEKA

10:24 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Autorja e njohur na ka propozuar këtë cikël, me një përzgjedhje krejtësisht të saj. Brishtësia dhe delikatesa e ndjenjës e vesh të gjithë këtë cikël poetik duke na dhënë një botë të gjerë dhe shumë kërkuese ndaj kanoneve estetike prej autores…

SCODRA1

Ti je vend i shenjtë,
Qyteti ku u linda.
Të njoh dhe nuk të njoh.
Ti je kujtim dhe harresë,
Hije dhe dritë.
Shkodër,
Në netët e mia ti vjen,
E largët dhe heroike,
E ngrirë në pikën e vdekjes,
Në Rrethimin e Dytë
I shoh bijtë e tu duke kapërcyer detin,
Për t’i ikur robërisë.
I rishoh ëndrrat e tua të mbytura në histori.
Lexoj Marin Barletin,
Një nga të mbijetuarit e tu
Që si në një testament dashurie,
Kujton ditët e lumtura në Shkodër
Dhe flet për Gjergj Kastriotin,
A mos jam edhe unë,
Një nga të mbijeturit
E këtij vendi tashmë të përmbytur?

ILUZION APO
E VERTETE

Këto peizazhe
Tjetër herë s’i kam parë,
Tërë fytyrat më duken të panjohura,
S’e kuptoj fare gjuhën që flasin,
Kam harruar cila jam,
Nga vij, ku shkoj ?
Diku
Në katakombet e këtij shekulli mjeran,
Më janë ngatërruar vitet.
E unë heq zvarrë
Një jetë të paqenë,
Në një planet të hamendësuar.
Mbase është Tlön Uqbar Orbis Tertius,
Ku më pret i perëndishmi Borges
Duke shfletuar “The Anglo-American Cyclopoedia”2

LUMI I HERAKLITIT

Fushë e korrur,
Fëmijë që luajnë
Dhe bagëti që kullosin në kallamishtë
Gjithçka është larë me shkëlqimin
E diellit perëndues.
Shtëpitë duken si të përmbytura
në dritë e ngrohtësi.
Ngjyra e dheut të kodrave
Më kujton të kuqen e Onufrit.
Më tej malet e hirtë.
Shndërrohen dalngadalë në argjend.
Këtë peizazh nuk do ta shoh më
Nesër diellin, kushedi, do ta kenë mbuluar retë;
dhe shpirti im …
oh, shpirti i m,
ndoshta s’do ta ketë më këtë mrekullim.

Peshkopi, korrik 1994

MESIMI I ZOGUT

Një vogëlushe më tregoi një përrallë;
(Nuk e di në e kish lexuar gjëkundi),
për një zog që doli nga veza
dhe pasi shëtiti një çast mbi tokë,
u kthye i lemerisur
që të futej prapë atje ku ishte.
– Njerëzit janë shumë të këqinj,
kishte thënë.

KERKIMI I SE VERTETES

Mos është ende herët?
E kaluara dhe e tashmja më mashtrojnë:
me çastet e tyre të pasigurisë,
me çastet e tyre të ngutjes,
me shpresën e vakët që ngrys ditët,
me gëzimet efemere,
që i kam harruar.
S’më mjafton e Vërteta e Kryqit,
as e Vërteta e Zjarrit,
as e Vërteta e Gjakut të derdhur lumë,
as e Vërteta ime – Kauzë e Humbur.
Dua të Vërtetën e të Vërtetave.
Kushedi, atë s’do ta gjej kurrë.

SHI VERE

Mbi qytetin e zjarrtë bie shi
Shi i dendur si perde dimërore
Toka e tharë gëzon
Prapa qelqeve të dritares
Unë e shoh këtë shfaqje të natyrës
Rrugët zhduken
Ndërtesat marrin forma të turbullta,
Qyteti  shtrembërohet
Dhe unë përftytyroj kohëra luftërash
Por jo vetëm të moçme
Shekulli XXI gjithçka e ka postmoderne,
Kuptohet edhe luftërat.

KUR JE 20 VJEÇ

Tim biri, Orionit
Kur je 20 vjeç
Të gjitha rrugët
Të duken të drejta e të arritshme.
Qielli është përherë i yjezuar me ëndrra.
Lulet nuk i bjerrin asnjëherë petalet.
Një balon i blertë të duket dielli
Apo mbase një portokall i kuq.
Një zog që këndon ditë e natë është dashuria.
Gjumi vjen pa trokitur.
Të gjitha fytyrat jane të këndshme.
Lojë fjalësh është trishtimi.
Efemerja është e pavdekshme.
Dhimbja është një planet i panjohur.
Një portë e hapur për mirësi është shpirti.
Realiteti është një ide poetike.
Shtëpia e të gjithëve është bota.
Kur je 20 vjeç …

PARIS

Unë të kisha sjellë mundimshëm
Në ëndrrat e mia.
Në këtë qoshe të harruar të Ballkanit.
Ti ishe llahtarisht i bukur.
I tejdukshëm si kristal,
I hollë si një fije e re bari,
Të ndriste balli nga mendimet,
Në zemër të buronte mirësia e botës.
Herë-herë të merrja në duar si lodër
Dhe flisja me ty në gjuhën sanskrite,
Në Champs Elysées dëgjoja “Nocturnes”
Të Claude Debussy-së,
Jeanne d’Arc qëndronte ende mbi kalë
Prapa portës Saint Honoré
Me një pellg të kuq gjaku në supin e majtë.
Dhe Proust që nga” Père Lachaise” më thosh “Eja !”
Për t’i sjellë një ditë dhjetori të vitit ’93
Një trëndafil të kuq mbi varr.
Tani jam këtu
Si Eva në Eden
Nga t’ia nis nuk e di.

Paris, dhjetor 1993

PEIZAZH NE
POGRADEC

Dita po mbaron
Copëzat e saj të fundit zhyten në liqen
Të trembura  nga nata.
Papritmas qielli çel lule të bardha,
Si të ishte zemër e dashuruar
Pasqyra gjigante e liqenit
Shndërrohet në lëndinë qiellore
për t’u zgjuar në mëngjes
në krahë kaltërie.

TI ISHE  QIELLOR

Ti ishe qiellor,
M’u desh të bëhesha me flatra për të të mbërritur,
Koha pas meje rrëshqiste si trëndafili i rërës,
Ditët e mia i ngjanin Spirales me ëndrra
Që e turbulluan Gëten.
Duke ardhur drejt teje,
Sy burrash të tjerë më kanë vështruar,
Sepse çdo grua është një Tokë e Premtuar,
Por mua të tërë më dukeshin Zota pa qiell.

ÇASTE

Ndonjëherë,
Në mes të natës,
Zgjohem e lemerisur.
Një makth më mbërthen:
Zëri yt hyjnor.
A është arratisur ai nga shpirti im,
Apo ende aty banon?

RREFIM

Sa e gjatë ishte java!
Dhe horizontet plot mjegull qenë,
Njerëzit e njohur
Më dukeshin të panjohur.
Çfarë zbrazëtie!
Por unë jetoja tjetër kohë,
Në një vend të largët,
Midis trëndafilave të Bengalit,
– Që të parë nga lartësitë e kaltra,
Shfaqen me forma zjarresh të veckël,-
Me imazhin tënd në sy
Dhe me zërin tënd të skalitur në shpirt,
Duke shtrënguar zemrën,
Zemrën time të brishtë
Që si një zog krejt i përgjakur
Endërron fluturimin e mbramë.

FAQE
AUTOBIOGRAFIKE

Cila jam unë?!
Jam koha ime
E copëtuar në vite, muaj dhe javë,
Në ditë dhe net
Dhe në çaste tragjike fare të vogla,
Si ora 12, 25 e 22 Janarit ’96,
Kur vdiq im atë.
Jam syri i tij lutës,
Atë të Hënë të zymtë,
Për të cilën më thonë se shkëlqente nga dielli,
Por nuk dua ta besoj.
Jam regëtima e tij e mbrame.
Jam apokalipsi i tij.
Sot s’jam gjë tjetër.

22 korrik 1996

NE STRUGE

Dielli u lind
Dhe hëna nuk do të ikë
Unë magjepsem nga qielli nator
Pëshpërimat e mia të lumtura
Fluturojnë në ajër
Dhe përshkojnë hapësirat
Si pëllumba të bardhë.
Pastaj unë bëhem valë
Përshëndetje e përmalluar
Vajtim shekullor
Në ujin e mermertë  të Drinit të ZI
Dhe  kapem te ura në mes të qytetit
Duke soditur kohën e Heraklitit
Që rrjedh si uji.

25 korrik 2009

ENDERRIM

Ç’është kjo pamje e mjegullt
që u dhurohet syve të mi
në këtë ditë të kaltër
dhe e zhbën përmasën e vërtetë të gjërave?
Qyteti  i Ohrit shtrihet gjer tutje në lindje
I heshtur dhe mospërfillës
Si një galaktikë e largët.
Me kujtesën time imagjinare
shoh një hartë me gjurmë vijash,
të fshira nga historia,
në kohë të tjera, në të tjera stinë.
Dikur këtu i thuhej bukës bukë,
dhe ujit ujë.

Ohër, 30 korrik 2009

HYJNESHAT

Ju vajza që ecni shpenguar,
Të patrazuara nga ligësitë e jetës,
Jeni hyjnesha të vogla.
Sytë tuaj janë hëna të Jupiterit,
Gojët tuaja janë trëndafili i Engjëll Sileziusit
Duart tuaja janë Dafina ku fle
Nimfa e dashuruar prej Apollonit,
Këmbët tuaja janë dy kambanëza
Që mbushin me muzikë rrugët.
Por kjo botë e padrejtë
Nuk do t’ia dijë se ju jeni të perëndishme.
Ajo s’mund t’i shohë kopshtet në flokët tuaj.
As dymbëdhjetë bilbilat që e bëjnë aty folenë.
Ajo s’e kupton se harmonia
Buron nga shpirti juaj:
Agimet, ndërrimi i stinëve, prarimi.
Te ju ngjizet dashuria dhe përjetësia.
Që nga qyteti UR i Abrahamit
E gjer në qytetin Zeta që fle
Në mjegullnajën kozmike.

NATYRE E QETE

Diell që perëndon,
Qiell i portokalltë,
Mizikë dhome,
Puthjet tona të harruara,
Vështrimet tona të hutuara,
Heshtja vrastare
Dhe duart tona,
Dy pëllumba
Që kërkojnë të ngjiten në qiell.

Fytyrat tona të lodhura
Kundërshtojnë pasqyrën
Dhe gjërat e ndriçuara.
Hapësira e pafund është
Si një pamundësi
Për të shkuar larg.
Lulet që mblodhe për mua
Këtë ditë pranvere,
Përgjojnë mbi tryezë.

DIALOG

Ti më pyet se çfarë shoh
Një udhë të panjohur

Ti do të dish se çfarë mendoj
Trëndafilin e dashurisë

Ti këmbëngul se çfarë kërkoj
Endrrat e humbura

Ti më mbështjell
Me duart e tua lianë

që ngatërrohen
në flokët e mi

Toka fillon të rrotullohet
në krahun e kundërt

Atëherë bota  nuk ekziston
As metropolet vezulluese

As krimet
Dhe as mjerimi

Vetëm ti dhe unë,
Dhe asgjë tjeter.

JAM E TERA PRITJE

Optimus Maximus
(Epiteti i Jupiterit ne Panteonin romak)

Jam e tëra pritje,
Parandiej prarimin e një dielli mbi kokën time.
Një diell që ka formën e pazhbëshme të një zoti;
Parashikoj udhëtime të gjata
Në rrjedhat e lumenjve të zhdukur,
Për të cilët kemi nostalgji si për dashuritë e humbura;
Mbi malet që i ka fundosur deti,
Me grahmat mitike nën ujë,
Me kurorat e argjendta të pemëve,
Që na kujtojnë të vdekurit e pavdekshëm;
Në udhët e harruara,
Që ëndërrojnë ringjalljen që nga hartat e vjetra.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.