KULTURË

“VAJZA E LIRISË”/ Provokimi i Namik Dokles, për ‘pushkatimet’ e moralin e partizaneve

11:33 - 12.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Fatmira NIKOLLI

Hasime thuaja këtë shokut komandant, do të hesht, do të mbys zërin tim në greminat e urrejtjes dhe të përbuzjes. Por jo, nuk është e mundur ta kesh dhënë ti këtë urdhër komandanti im. Po më prangosni për një puthje, do të më bëni gjyq për atë që Rakua ma quan puthje të fshehtë, prishje të moralit? Po jo, o komandanti im, unë nuk e kam fshehur e nuk do ta fsheh kurrë dashurinë.

Më thonë që jam mbuluar me një kapotë me atë partizanin që është nga fshati yt…

“Më udhëhiq mjeshtër, në ferr a parajsë. Kë merr për mjeshtër ai, Dushkon?

Romani i ri i shkrimtarit Namik Dokle, rrok dy kohë, duke prekur tragjeditë e tyre të mëdha: pushkatimet, vrasjet e spiunimet në luftë e në diktaturë – dhe prostitucionin, emigracionin, vetminë, braktisjen, gjakmarrjen, grabitjen e fëmijëve, armët, pasurimin e shpejtë dhe të padrejtë në demokraci, historia e Bleonës së grabitur, martesat e vajzave me zor, martesat me burra në moshë, shitja e vajzave për para, ç’nderimi në të dyja kohët! “Lulet e skajbotës” (Toena) përmbledh ngjarje e kohë, përmes disa personazheve të një fshati, Gorës, si për të dhënë një panoramë të errët të Shqipërisë, me luftërat e pafundme për mbijetesë.

PANORAMA E DY KOHËVE

Personazhet janë përfaqësuese të dy kohëve, dhe mes tyre mund të gjesh emra të njohur të historisë a të ditëve tona, nga të pashkollët që arrijnë të hyjnë në “elitën” e vendit e deri te njerëzit e zakonshëm, nga figurat e njohura të luftës, te figurat e njohura të regjimit. Histori të bujshme e prapë të pazbardhura, rimerren në shqyrtim mes pendimit, dhimbjes dhe kujtesës.

“Ai që kur mbylleshin kishat e xhamitë lexonte citate pas citatesh, ai që kur xhamia u bë magazinë patatesh shkroi me gërma të mëdha ‘Rroftë shoku Enver Hoxha’, kur filluan rropamat e ndërrimit të sistemit fshiu në mur emrin e diktatorit dhe prej asaj dite shkruhej ‘Rroftë Hoxha’ – është një prej fjalive që tregon jo pak për personazhet që brenda ditës u bënë demokratë, a antikomunistë. Njëherit, trajtohet edhe ana e errët e luftës çlirimtare, që shpesh ka njohur vëllavrasjen, kur Dokle shënon në roman se vrasjet që bënin partizanët, qofshin edhe kushërinjtë e vet, sepse ishin me bajraktarin e jo me partizanët.

“Paralliu i vdekjes” është personazhi tipik i shoqërisë sonë që përmes korrupsionit ka mundur të ngrejë biznese që kanë mbjellë vdekjen. E megjithëse në biznesin e tij vdiq një 22-vjeçar, ai nuk erdhi në varrim. Dërgoi një mesazh ngushëllimi nga ishujt Maldive, ku kishte shkuar me dy-tre deputetë – shënon Dokle, duke shtuar se në vend të tij erdhi një ortak i biznesit, një ish-kapter që në ‘90-ën bëri para duke shitur batanijet e këpucët e magazinave e pak vite më vonë edhe kallashnikovë e tritol. Ishte ai kapter që dikur i këndohej kënga: “O Kurtish, kapter i motrës, pse po shkon si urithi i tokës? Kjo partia, he lum dada edhe mutit i jep grada!”.

PERSONAZHET E KOMUNIZMIT

Janë shumë. Gjenden mes rreshtash, të ripërtërirë në laboratorin krijues Zaho Koka, Nexhmije Hoxha, Dushan Mugosha, Ramize Gjebrea, por edhe Enver Hoxha. Ata vijnë në këtë roman nën emra të tjerë, por me histori si të tyret, diku të plotë e diku në linja të holla që u mvishen njerëzve që përbëjnë korpusin e personazheve të tij.

“Edhe ti nuk më beson Hasime? Edhe ti i beson broçkullat e Rakos? Çfarë, do të heq pantallonat para teje, si më kërkoi ai pushti në shtabin e batalionit? Të më shikonte nëse e kisha humbur virgjërinë? E po ta dini të gjithë! Unë nuk kam frikë nga dashuria, e dua po aq sa dua lirinë. Por të vërtetën ama! Të vërtetën, vëlla, dhe jo atë të gunave e gëmushave, jo atë të Rakos e të Zakos, jo”.

Vajza e lirisë krijon së largu linjat e historisë së Ramize Gjebreas, por do të jetë autori që do ta thotë nëse vërtetë është frymëzuar nga historia e saj, nga jeta e vdekja e saj, nga lufta e pafajësia e saj, nga tradhtitë që iu bënë asaj, nga shoqja e të tjerët, sivëllezërit partizanë. Dokle e vë atë në sfond lufte, ku një ndër njerëzit që “i hedh një grusht dhe” duke e çuar në pushkatim është vetë shoqja e saj, tani e shtyrë në moshë, e çmendur, por me kujtesë të fortë. Autori vendos ta bëjë këtë grua që ka tradhtuar shoqen e saj të rinisë, të pendohet dhe të vuajë. Halla Hasime e di, që nuk ka det ta lajë dhe pranon me ulërima: “Unë e kam vrarë”.

Tek sprova “Mosmarrëveshja” e Ismail Kadaresë ka një ndalesë të gjatë mbi Zaho Kokën, Nako Spirun dhe Ramize Gjebrean (e njohur si Ramona) – një partizane me një bukuri të rrallë, ardhur në mal nga qyteti. Vrasja e saj, që tronditi në atë kohë gjithë Shqipërinë. Aty, Kadare thotë se “Qysh pas pushkatimit të Ramonës përpara brigadës partizane, pyetja e pashmangshme, se ç’është kjo që ka ndodhur: gjyq partizan apo sheriat arab?, s’ka reshtur asnjëherë”.

“Po ish-i fejuari ku do jetë? Kushedi a do ta gjejnë dot, se do të jetë varrosur e zhvarrosur disa herë. Kjo dashuri i çoi të dy në vdekje. Po mikesha, e deleguara qendrore? Ah, ajo do të jetojë gjatë, sepse kurrë nuk pendohet. Unë s’kam faj, koha ka faj! Unë s’desha, koha më detyroi. Ia kam parë në sy dritën jeshile të smirës, sa herë që flitej për Vajzën e Lirisë, ajo ia bënte me sy Dushkos. Denoncuesi i saj nuk do të jetë në gjyqin e së vërtetës. Askush nuk e gjen dot. Është më i pështiri i dramës”.

Anrila Spahija shkruan se te ky roman lodrojnë bashkë, në një gjeografi sa reale aq edhe mistike, jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, dhimbja dhe gëzimi, krenaria dhe përçmimi, e shkuara dhe e tashmja; qielli, toka dhe nëntoka. “Kjo botë që njohim, por edhe një botë tjetër atje, në skajin ku njerëzit përveç ajrit frymëmarrin ende mite dhe legjenda. Mes këtyre faqeve, që i përpin gjatë leximit, është jeta e një popullsie të tërë, e cila e meriton të njihet, e rrokur e gjitha me një dorë. Me dorën e djathtë të autorit që e ka shkruar, përmes një stili sa realist aq edhe magjik, përmes përshkrimesh sa të gjalla e të prekshme, aq edhe poetike e onirike”, thotë Spahija.

Halla Hasime, personazhi i Dokles, thotë: “Ia morëm kapelën me yll. Pastaj i morëm armët, kapelën. Më pas xhaketën dhe rripin. Pastaj… protokolli vrasës! Çdo gjë e llogaritur me imtësi dhe në minuta…

Asaj i bënë gjyqin e tmerrshëm pse ndau gunën me shokun që t’i shpëtojnë acarit. Lëreni Vajzën e Lirisë do t’u thotë. Kemi dalë për të vrarë armiqtë dhe jo djemtë e vajzat tona…”.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Mos thoni se nuk eshte e vertete: Te gjithe “Te Majtet” pasi bjen nga Fiku i Pushtetit, behen shkrimtare!

    Edi Rama do bjere edhe ai nga Pushteti, shume shpejt, por do mbahet mend se si u ngjit ne Pushtet vetem pasi botoi (se thuhet se ia shkruan te tjere, afer dhe larg) Kurbanin, dhe me njerin nga Personazhet e tij, ate qe ai besonte se nuk lexonte kurre libra, beri Aleance…me aleatin e Sales! Pengjet e tjere nuk pushojne Pas Ben Blushit, e Alfred Pezakut, u shfaq edhe Namik Dokle qe le te shpresojme ka trasheguar sado-dicka nga tealenti i se Bijes si publiciste!

    Shpati dhe Dragush Vjosari, prej tyre eshte dorezuar Stafeta e Shkrimtarit, dhe kete ka qene i detyruar ta pranonte edhe Smajl Kadarea!

    Përgjigju ↓