MILOSAO

Zbulimi/Kush ishte i pari protestant shqiptar?

11:21 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dr. David Hosaflook




 

Përvjetori i 500-të i Reformacionit Protestant po kremtohet në të gjithë botën, përfshirë edhe në trevat shqiptare. Në Republikën e Maqedonisë muajin e kaluar u zhvillua një konferencë shkencore mbarëballkanike për Reformacionin, nën kujdesin e kryetarit të parlamentit, z. Talat Xhaferi. Në Kosovë u zhvilluan disa evenimente me mbështetje të qeverisë së Kosovës, si: një akademi solemne, një simpozium shkencor dhe emetimi i një pulle postare me tematikë Reformacionin. Kurse në Shqipëri, përveç evenimenteve të realizuara nga Vëllazëria Ungjillore, Biblioteka Kombëtare dhe Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante çelën së bashku një ekspozitë me Bibla në shqip, ashtu siç bëri Mit’hat Frashëri 90 vjet më përpara, në vitin 1927.
Lëvizja Protestante ndër shqiptarë ka një histori 200-vjeçare, duke zënë fill në kohën kur misionari skocez Robert Pinkertoni filloi të interesohej për përkthimin e Dhiatës së Re për herë të parë në shqip, në vitin 1816, përpjekje që u kurorëzua më 1827 me botimin e përkthimit të Vangjel Meksit. Para 125 vitesh, Gjerasim Qiriazi, i pari predikues protestant shqiptar, themeloi Vëllazërinë Ungjillore, e cila, sipas statutit të saj, kishte si qëllim “të përhapurit’ e Ungjillit edhe të shkronjave shqipe në Shqipëri”. Për një kohë të gjatë është menduar se Gjerasimi ishte i pari protestant shqiptar (përveç disa tezave të ndryshme të pavërtetuara me dokumente për disa të tjerë). Mirëpo, kohët e fundit, kemi zbuluar një dokument befasues, i cili pohon se Konstandin Kristoforidhi qenka konvertuar në besimin protestant në vitin 1857. Lidhja e Kristoforidhit me protestantët nuk është diçka e re, meqë ai ka punuar me Shoqërinë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja për përkthimin e teksteve biblike, në të dyja dialektet e shqipes. Prej vitesh, studiuesit shqiptarë kanë përfituar nga dhjetëra libra dhe artikuj të prof.dr. Xhevat Lloshi për këtë temë. Por deri tani nuk kishim asnjë provë që vërtetonte që Kristoforidhi kishte përqafuar besimin protestant si besimin e vet. Tani e kemi.

Njoftimin e kemi nga misionarët amerikanë Daniel Ladd dhe Edëard Dodd, të cilët punonin në kishën protestante në Smirnë, ku ndodhej edhe Kristoforidhi. Misionarët dërgonin raporte të rregullta, për të treguar mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre. Raportin në fjalë e zbulova gjatë hulumtimeve për disertacionin tim me titull “Lëvizja Protestante ndër shqiptarët, 1816–1908”. Është raporti i tretë vjetor i Shoqërisë në Ndihmë të Misioneve në Turqi, për vitin 1856–1857. Me anë të këtij dokumenti, zbulojmë se Kristoforidhi u anëtarësua në një kishë protestante disa vite para se të lidhej me Aleksandër Tomsonin dhe me Shoqërinë Biblike. Ndonëse e shfrytëzova për disertacionin, sot, ky fakt po botohet për herë të parë për publikun e gjerë. Gjithashtu, meqë ky zbulim na vjen në kohën e 500-vjetorit të veprimtarisë së reformatorit gjerman Martin Luther, është e udhës të ribotohet këtu edhe një artikull nga “Gazeta e re”, botuar më 28 dhjetor 1928, i cili e krahasonte K. Kristoforidhin me M. Lutherin dhe e quante Kristoforidhin “reformatori shqiptar”. Këto dy dokumente disponojnë të dhëna aq interesante dhe të reja, saqë jemi të bindur që do të nxisin ndërmarrjen e studimeve dhe hulumtimeve të reja rreth këtij elbasanasi që e quajmë “babai i gjuhës shqipe”. Kështu ilustrohet përsëri fakti se studimi i Lëvizjes Protestante ndër shqiptarë, ndonëse një fushë relativisht e re në historiografinë shqiptare, na ofron mjaft burime që sjellin fakte të reja për disa nga figurat më të njohura të historisë shqiptare.


Është një fakt mjaft ironik që ky vit, viti i 500-vjetorit të Reformacionit Protestant, është, njëkohësisht, 50-vjetori i shpalljes së Shqipërisë si shtet ateist. I pari Reformacion, ai që kishte si qëllim përkthimin e Shkrimit të Shenjtë në gjuhët amtare të botës, paska bekuar shqiptarët nëpërmjet veprimtarisë letrare, fetare dhe arsimore të të tillëve si K. Kristoforidhi dhe familja Qiriazi. Kurse i dyti “reformacion”, ai që kishte si qëllim dëbimin e Shkrimit të Shenjtë nga ndërgjegjja jonë, jo vetëm që i mallkoi shqiptarët që të mos ndriçoheshin me Fjalën e Zotit, por e mallkoi historiografinë shqiptare, duke e detyruar të mohonte rolin kyç dhe të drejtpërdrejtë që Lëvizja Protestante paska luajtur për të mirën e kombit në agimin e rilindjes sonë kombëtare.


***
Raporti i tretë vjetor i Shoqërisë në Ndihmë të Misioneve në Turqi, për vitin 1856–1857
(fq. 20-21, raport nga qendra e kishës protestante në Smirnë / Izmir) Përktheu nga anglishtja prof.dr. Xhevat Lloshi)
Nga qendra e kishës protestante në Smirnë/Izmir:]
Sapo janë pranuar tre anëtarë të rinj. Njëri prej këtyre [K. Kristoforidhi] është një shqiptar me arsim laik. Ai është rritur në brigjet e Adriatikut. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare vajti në Universitetin e Athinës, ku qëndroi gjashtë vjet, ndërsa pas kësaj për dhjetë vjet ka qenë në punë shteti në Trieste, prej nga ka ardhur nëntë muaj më parë.


Ishte i besimit ortodoks, por në kohën që ndodhej në Athinë pushoi së qeni besimtar dhe i tillë mbeti gjatë gjithë kursit universitar.
Megjithatë, kur ishte në Trieste, ndërgjegjja nuk e linte të qetë. Nisi të lexonte autorë teologjikë grekë për të gjetur një arsye për besimin e tyre, por nuk e gjeti. Atëherë iu kthye autorëve katolikë, mirëpo dhe ata i dolën edhe më të pakënaqshëm. Më në fund, pas vitesh të trishtuara, gjeti libra protestantë dhe, duke i lexuar, filloi të shpresonte se kishte siguruar ushqim për shpirtin e vet të uritur. Kur erdhi në Smirnë, tashmë ishte mjaft i kënaqur lidhur me autoritetin e zbulesës dhe të së vërtetës së doktrinës protestante, kështu që pas pak kohësh pranoi me vullnet besimin protestant. Kjo kishte ndodhur përpara se të kishte takuar ndonjë misionar ose të kishte biseduar me ndonjë të krishterë ungjillor. Pa kaluar shumë kohë, shkoi të takonte Rev. z. Ladd dhe pati shumë biseda me të; nisi të ndiqte shërbesat tona dhe pas disa muajsh, shprehu dëshirën që të pranohej në kishë. U pranua pas një provimi të plotë. Për disa muaj kishte shprehur një dëshirë të madhe që të shoqëronte cilindo misionar për të shkuar në atdheun e tij, ndonëse tashti është i punësuar me leverdi në Konsullatën austriake të këtij qyteti. Kjo shtysë, për t’u bërë misionar, kohët e fundit ka marrë formën e përcaktuar të një dëshire që të përkthejë Shkrimet për shqiptarët. Është posaçërisht i përshtatshëm për këtë punë, meqë ka arsim të mirë universitar, nëpërmjet të cilit është kualifikuar një mendje e fortë nga natyra; ka dalë e dëshirueshme që të shtohet një kurs teologjik dhe ne e dërguam në Stamboll [te Seminari Protestant i Bebekut, D.H.] për të vijuar studimet dhe për të kryer përkthimin e tij.
Përktheu nga anglishtja Prof.dr. Xhevat Lloshi)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.