OPINION

Kujtesë për rinegocimin e marrëveshjes së detit me Greqinë

07:22 - 13.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Nga Besnik BAKIU

 

Bisedimet mes ministrit Ditmir Bushati me homologun grek, Kotzias në Kretë, mes të tjerave i hapën rrugë edhe rinegocimit të marrëveshjes të shumë diskutuar për detin, e cila ishte bërë një pengesë serioze në marrëdhëniet dypalëshe.

Kjo dakordësi nuk e zgjidh çështjen, por është shumë e rëndësishme, që u ra dakord për domosdoshmërinë e fillimit të negociatave të reja për përgatitjen e kësaj marrëveshjeje. Këto bisedime treguan se në marrëdhëniet midis dy shteteve kanë filluar të ndërtohen me frymën evropiane, ku barazia e shteteve, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale, përjashtimi i presioneve, mashtrimeve apo kërcënimeve, nderimi mes kombeve, respekti ndaj kulturave janë themelet e një fqinjësie të mirë.

Sinqerisht ndjeva një kënaqësi që pala greke më në fund u tërhoq nga logjika e forcës dhe iu kthye forcës së logjikës.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi kjo fqinjësi e mirë ka rrënjë të thella që nga lashtësia, kur Homeri në Iliadë na rrëfen se pellazgë, ilirë dhe grekë ishin rreshtuar së bashku në Luftën e Trojës së Priamit; Herodoti shkruante për kullotat dhe bagëtinë e Apollonisë, për lumin Ao që rrjedh pranë vendlindjes sime; Aristoteli shkruante për qeverisjen e Epirit dhe Ilirisë.

Midis dy popujve nuk rri e nderur vetëm një kujtesë kaq e largët dhe gati mitologjike, por dua të sjell ndërmend me mirënjohje Gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës, ku u shkolluan dhe morën dritën e diturisë rilindësit më të mirë shqiptarë, ata që e ngritën Shqipërinë; revolucionin grek të vitit 1821, ku bashkë me heronjtë grekë, njëlloj si në kohërat antike, shkëlqyen arvanitasit Boçari, Xhavella, Bubulina, etj. Të gjitha këto janë pjesë e asaj marrëdhënie fqinjësie të mirë, që vazhdoi gjatë Luftës II Botërore kur Shqipëria dhe Greqia u vunë në një front kundër mortajës fashiste, siç dhe del nga një letër që Musolini i dërgon Hitlerit në vitin 1940 e ku i thotë se: “shqiptarët janë duke bërë sabotazhe dhe janë bashkuar me grekët”.

Marrëdhënia më e re është ajo e minoriteteve dhe emigrantëve, pasi ato janë si kalemat shartues që zbusin dhe përmirësojnë pemën, për t’i shtuar asaj cilësitë.

Personalisht, asnjëherë nuk kam besuar te sirenat e nacionalizmit dhe urrejtjes, pasi marrja për një kohë të gjatë me kufijtë më ka bërë të mësoj se popujt kufitarë nuk rrinë në shpinë, por përballë njëri-tjetrit. Shohin njëri-tjetrin në sy, kuptohen me shenja dhe japin e marrin për shkak se, sado e gjerë dhe e thellë, vetvetja mbetet përherë e pamjaftueshme, ndaj dhe racat, popujt, kombet dhe kulturat, kërkojnë të mbillet tek njëri-tjetri.

E megjithatë, (“E pur si muove”) rinegocimi i kësaj marrëveshjeje është shumë kompleks dhe i vështirë, por pala shqiptare këtë radhë ka si busull orientimi vendimin historik, patriotik e doktrinar të Gjykatës Kushtetuese, i cili hodhi poshtë marrëveshjen e parë. Ajo është shprehur qartë se: “Kufijtë shtetërorë, përfshi natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë kanë ekzistuar (në Protokollin e Firences dt.27.01.1925 për Delimitimin e Kufirit Jugor të Republikës së Shqipërisë theksohet, ndër të tjera, se “…kufiri tokësor pret Detin Jon në Gjirin e Ftelias sipas një vije pingule me drejtimin e përgjithshëm të bregut, deri në kufirin e ujërave territoriale…“). Prandaj, duhet të ishin verifikuar vetëm rastet e mbivendosjeve të pretenduara ose nevoja e saktësimit të këtij kufiri shtetëror (vijës së jashtme të Detit Territorial), në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit”.

Para se të jap disa sugjerime për rinegocimin e kësaj marrëveshjeje dua të sjell në vëmendje të të gjithë shqiptarëve rolin e jashtëzakonshëm të gazetarëve të “Gazetës Shqiptare” dhe “News 24”, të asaj kohe, Tedi Blushi, Artan Hoxha, Anila Basha, Erl Murati etj., si dhe të profesorëve të nderuar Myslym Pashaj, Pëllumb Xhufi, Ksenofon Krisafi etj., për shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje. Të kujtojmë se për muaj të tërë luftuan të vetëm kundër të gjithëve, që në rastin më të mirë hiqeshin të paditur si Ponc Pilati, kurse në rastin më të keq i frynin dhe akuzonin.

Rinegocimi i kësaj marrëveshjeje kërkon trajtim të kualifikuar, të kujdesshëm, me shumë përgjegjësi, pasi delimitimi i hapësirave detare paraqitet mjaft i ndërlikuar, për shkak të shtrirjes së konsiderueshme të këtyre hapësirave, afërsisë shteteve me njëri-tjetrin, konfigurimeve të ndryshme e të larmishme të brigjeve detare, pranisë së ishujve apo faktorëve të tjerë, që mund dhe duhet të merren në konsideratë në përcaktimin e kufijve detarë, prioriteteve dhe interesave të kundërta që kanë shtetet bregdetare, etj.

Dëshiroj të jem i gabuar, por konstatoj një folk-patriotizëm edhe në trajtimin e kësaj marrëveshje, pasi institucionet shtetërore dhe shkencore në vendin tonë pak ose aspak kanë bërë për parapërgatitjen e rifillimit të negociatave. Është e paprecedentë që akoma nuk kemi një ligj të plotë për kufirin, por një ligj vetëm me një nen, duke u mjaftuar vetëm me rikthimin në fuqi vetëm të nenit 3 (“Ujërat territorial dhe ujërat e brendshme”) të ligjit “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, i cili ishte shfuqizuar me ligjin Nr. 9861, dt. 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Absurdi vazhdon kur kemi në fuqi dy ligje për kontrollin e kufirit (ligji nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar” dhe ligji nr. 9861, dt. 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”). Situatë rrumpallë. Urgjentisht duhet të miratohet ky ligj!

Të mos bëhet propagandë me këtë marrëveshje, akuza dhe kundërakuza, të flasë e botojë kush dhe si të mundi. Të ruhet kofidencialiteti dhe politika t’i qëndrojnë larg procesit teknik të rinegocimit të marrëveshjes, sigurisht pa hequr dorë nga përmbushja e detyrimeve të tyre ligjore. Çdo ndërhyrje ekstraprofesionale është e dëmshme. Në këtë rast është domethënëse këshilla që na jep i madhi Faik Konica, kur i lutet Zotit: “… jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të!”.

Tani të vijmë te thelbi i çështjes. Është emergjente që institucionet shtetërore dhe akademike të parapërgatitin platformën dhe gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë çështje, duke u mbështetur në legjislacionin shqiptar, në Konventën e Montego Bay “Për të Drejtën e Detit” dhe në praktikën ndërkombëtare.

Personalisht do të sugjeroja që kjo punë të nisë me administrimin dhe studimin e të gjitha hartave dhe ditarëve detarë në kohë të ndryshme, që përcaktojnë këto ujëra, pasi harta e përdorur në marrëveshjen e vdekur nuk ishte hartë detare, siç e kërkon neni 16, 74 dhe 83 i UNCLOS/1982 dhe as në përputhje me kërkesat e Organizatës të Hidrografisë.

Duhet të shfrytëzohet e gjithë praktika dhe aktet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me këtë çështje, disa prej të cilave po i citoj:

Akte ndërkombëtare

-Protokolli i Firences dt. 27.01.1925 për Delimitimin e Kufirit Jugor të Republikës së Shqipërisë, ku në aneksin III të tij është sanksionuar vija e kufirit detar shqiptaro-grek: “Duke filluar prej shenjës kufitare Nr. III/79, vija e kufirit drejtohet nga Jug-Jugperëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metër, takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujerave territoriale, duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos i ngelet Shqipërisë”.

Asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim institucional prej qeverisë greke, përkundrazi është njohur dhe respektuar ky kufi.

-Dosja e Incidentit të Kanalit të Korfuzit, e shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitet 1947-1949. Kjo gjykatë në vendimin e 15 dhjetorit 1949 ka pranuar në unanimitet me 16 vota pro se: “…me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë”.

-Protokolli mbi punimet për spastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat lundruese, nënshkruar më 2 gusht 1958. Sipas tij parashikohej kryerja e përbashkët e çminimit të ngushticës së Korfuzit, që mbahej e mbyllur për lundrim që nga koha e Luftë së Dytë Botërore. Për këtë çminim më e interesuar ishte pala greke, e cila e njihte dhe e pranonte vijën ndarëse nga të dy brigjet.

-Është fakti i njohur gjatë Luftës së Ftohtë, në Kanalin e Korfuzit ndaheshin kufijtë e dy blloqeve NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Askush nuk e beson se këto blloqe nuk e paskan pasur të ndarë këtë kufi, kur juridiksioni i këtyre blloqeve shtrihej sipas vijës kufitare të shteteve anëtare? Kujtojmë se si rezultat i gjeopolitikës së kohës u nda Gjermania në dy shtete, me kufij të përcaktuar ekzaktësisht dhe u nda në mes të tij një qytet si ai i Berlinit. Kujtomë se të dy shtetet jemi anëtarë të NATO-s dhe mund të shfrytëzohen arkivat e saj.

-Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Rendit Publik të Shqipërisë dhe Ministrisë së Marinës Tregtare të Greqisë, në lidhje me patrullimin e përbashkët nga policia kufitare dhe trupat greke për një mbrojtje efikase të kufirit bregdetar midis dy vendeve, nënshkruar në Athinë, më 9 mars 1998 dhe rinovuar në Tiranë, më 24 gusht 1999; si dhe protokolli i nënshkruar më 2005, në Tiranë për bashkëpunimin ndërmjet Policisë Kufitare Shqiptare dhe Rojës Bregdetare Greke për kontrollin e hapësirave detare ndërmjet dy vendeve.

Në këto protokolle vija e mësipërme e kufirit është njohur zyrtarisht. Po citoj vetëm disa pjesë prej tyre, thuhet se: “…brenda ujërave territoriale të Shqipërisë…”, ”…në ujërat territoriale shqiptare ..”, ”… hapësirat detare të dy vendeve…”, “…përgatitjen e planeve për ruajtjen e kufirit detar Shqiptaro-Grek...”.

-Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë “Mbi përcaktimin e Shelfit Kontinental”, nënshkruar në Ankona të Italisë më 13 korrik 1991.

-Marrëveshja ndërmjet Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë “Për delimitimin e shelfit kontinental” e 24 majit 1977.

Akte të së drejtës së brendshme

-VKM nr. 168 datë 9.12.1946 ku ujërat territoriale të Shqipërisë kanë qenë “të përfshira në një zonë 6 milje nga bregdeti Shqiptar… “me koordinata të përcaktuara qartë në gjatësi e gjerësi gjeografike. Madje, aty përcaktohen edhe hartat nga janë nxjerrë distancat, të cilat janë ato italiane nr. 554 dhe 551 dhe angleze Medri 6502 A, 6502 B.

-Dekretet dhe ligjet për kufijtë e Shqipërisë, të viteve 1961, 1970, 1976, 2001, 2002, 2012 etj. Në të gjitha këto dekrete përcaktohet se kufiri detar në detin Jon kalon nga bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe Gjiri të Gramës, midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit.

Gjatë rinegocimit duhet t’u kushtohet rëndësi parimeve të mëposhtme:

-Përcaktimi i vijës bazë, pasi brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë të njëjta. Ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike të përshtatshme për palën greke, se futet në hapësirën ujore, që duhej t’i takonte shtetit shqiptar. Gjithashtu, ishulli Othonoi krijon një tjetër zgjatim verior të hapësirës ujore greke në disfavor tonë.

Nuk duhet neglizhuar fakti se në marrëveshjen e vdekur, janë ndjekur dy kritere të ndryshme në përcaktimin e kësaj vije. Për ne, vija bazë normale (vija e zbaticës gjatë bregdetit), kurse për Greqinë vija bazë e drejtë.

Caktimi i pikës trefishe Shqipëri-Greqi-Itali, ku bashkohen vijat kufitare të tri shteteve, Italisë Greqisë dhe Shqipërisë në veri të Korfuzit, duhet të përputhet me marrëveshjen e ratifikuar me Italinë, pra të kufirit zyrtar shqiptaro-italian. Kujtoj se edhe Greqia ka delimituar shelfin kontinental me Italinë me marrëveshjen e 24 majit 1977. Kjo kërkon zhvillimin e një takimi trepalësh.

-Zbatimi i parimit të baraslargësisë i kombinuar me Ekitesë, si parim bazë për ndarjen e hapësirave detare, i cili bën të mundur arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm, pasi zbatimi strikt i metodës së Vijës së Mesit krijon pabarazi të theksuara. Ekiteja është njohur e përshkruar si drejtësi korrektive, si mundësi e korrigjimit apo plotësimit të ligjit gjatë zbatimit të tij në praktikë.

-Përcaktimi i statusit të ishujve, sipas përcaktimeve të Konventës Detit, ku bëhet qartë dallimin mes ishujve e shkëmbinjve, duke saktësuar së këto të fundit, kur nuk janë të banuar apo nuk kanë aktivitet ekonomik, nuk mund të kenë Zonë Ekonomike Ekskluzive apo Shelf Kontinental.

Ishullit mund t’i jepet efekt i plotë, efekt i pjesshëm, ose asnjë lloj efekti në delimitimin e hapësirave detare.

Marrëveshja e vdekur u jepte padrejtësisht të gjithëve ishujve grekë efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, madje edhe masës shkëmbore (cekinës) Barketa, e cila është një masë të vogël shkëmbore të pabanuar dhe pa jetë ekonomike, ju dha efekt i plotë, duke e barazuar me dheun kontinental shqiptar. Kujtojmë se në marrëveshjen për ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Greqisë dhe Italisë dt., ishujve Othonoi dhe Erikuza u është dhënë efekt i pjesshëm.

-Rikompozimi i grupit negociator; në përbërje të të cilit duhet të jenë specialistë nga shumë fusha, me kompetencë të spikatur, të karakterizuar nga patriotizmi, profesionalizmi, emancipimi dhe integriteti, pasi duhet të jemi realistë që pala greke është shumë e përgatitur. Në këtë grup duhet të atashohen si këshilltarë edhe personalitete të spikatura të shumë fushave, ku pa diskutim duhet të jenë edhe profesorët e ditur dhe atdhetarë Xhezair Zaganjori, Myslym Pashaj, Ksenofon Krisafi e Pëllumb Xhufi.

Gjithashtu, në këtë grup nuk duhet të bëjnë pjesë anëtarë të grupit të mëparshëm negociues, sepse (megjithëse janë promovuar në karrierë) ata jo vetëm që treguan paaftësi, inkompetencë profesionale, por edhe sepse publikisht morën në mbrojtje një punë, e cila u vlerësua antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Për kompozimin e delegacionit të ri, qeveria duhet të konsultohet dhe të marrë miratimin e Presidentit të Republikës, sepse në marrëveshjet ku palë është shteti shqiptar, dhënia e plotfuqisë është kompetencë ekskluzive e kreut të shtetit.

I bindur se ne shqiptarët e sotëm “nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”, duhet të udhëhiqemi nga mësimi i poetit kombëtar Naim Frashëri, se: “Interesat politike e të dy kombeve e duan që gjithnjë Shqipëria dhe Greqia të jenë miq të pandarë”, pasi duke qenë gjithmonë kaq pranë, ne na ka mbuluar përherë e njëjta re dhe na ka ngrohur gjithmonë i njëjti diell, kemi përjetuar të njëjtin gëzim e hidhërim.

Në përfundim dua të kujtoj se edhe ne shqiptarët, ashtu siç shkruan Seferisi i madh se: “Kudo që shkoj, Greqinë e marr me vete si një plagosje”, kudo që shkojmë Shqipërinë e marrim me vete si një plagosje dhe brengë, pasi nuk kemi mundur t’ia mbyllim plagët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.