KULTURË

Statuti i Akademisë më 1937 “Me mbledhë tok albanologë shqiptarë e të huej”

11:00 - 20.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




Si për të hequr çdo njollë e hije mbi Akademinë e harruar të 1937-ës, Profesor Aurel Plasari, zbuloi dje, edhe statutin e saj. “Për të mirën e historisë, Statuti i Akademisë Albanologjike Saveriane është ruajtur. Ai mund të konsultohet në dy ekzemplarë që ndodhen: njëri në AQSh dhe tjetri në bibliotekën ‘Marin Barleti’ të Shkodrës, i riprodhuar edhe për Arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Në ballinë Statuti mban stemën me shënimin rrethor: “Akademia Albanologjike Xaverjane”,-tha Plasari, pasi kish renditur ndër kushtet për themelimin e një akademie të tillë albanologjike ndikimin e valës që kishin marrë në mënyrë progresive, në vende të zhvilluara të Europës, ato që quheshin në atë kohë “studime shqiptare”.


STATUTI DHE ORGANIZIMI I AKADEMISË
Në krye shkruhet “Academia Albanologica Xaveriana. Concordia Parvae Res Crescunt”. Sipas tij, motoja latine është po ajo që e ka mbajtur për shumë vite edhe revista “Leka” dhe që vetë saverianët e jepnin në shqip “Sendet e vogla rriten prej bashkimit” ose “Punët e vogla me bashkim rriten”. Në të vërtetë, sipas Plasarit, e plotë thënia latine është “Me marrëveshje gjërat e vogla rriten, me mosmarrëveshje edhe të mëdhatë zvogëlohen”. Neni i parë i Statutit të Akademisë në fjalë përcakton: “I- Akademija Albanologjike Saverjane jeton në gjí të shoqatës L.E.K.A., t’Ish nëxânsavet të Kolegjës Historike Saverjane, botuese të revistës “Leka”. Sipas Plasarit, leximi i këtij neni të parë është vendimtar për të kuptuar që si de jure, si de facto, Akademia në fjalë nuk ishte strukturë e Urdhrit Jezuit, por e shoqatës L.E.K.A., e cila si themelim dhe si përbërje u përshkrua. Ndërkaq, qëllimi parësor i themelimit të Akademisë në fjalë, i shpallur në nenin II të Statutit të saj, përbën njëherësh edhe një përkufizim të fushës së albanologjisë që ende sot mund të kihet zili për nga konceptimi: “II. Qellimi i sái me u dhânë shkas e me u ndihmue n’atë të veten gjithë atyne studimeve qi permblidhen në rreth t’albanologjís, d.m.th. qi i perkasin historís, gjeografís e hulumtimevet e aplikacjonevet fizike-natyrore, letërsís, gjûhësís, folklorës e artevet të bukra të vendevet qi janë o kanë kênë shqiptare, si atdhé o si koloní, të fisit shqiptár. E prandej synon me mbledhë tok në bashkpunim të gjith ata albanologj shqiptarë e të huej qi kërkojnë me dhânë e me nxjerrë, nder kerkime të veta, ndimen vëllaznore të nierzvet kompetentë të shperdám në qandra kulturore të ndryshme. Qellimi i fundshem: me përhapë njoftimin e çëmimin e Kómbit Shqiptár fisnik”. Plasari shënon se neni III përcakton ndarjen në degët të akademikëve duke bërë grupim të dijeve albanologjike si vijon: “1- shqenca morale e filozofike; 2a-shqenca historike, arte e letërsí; 3a- shqenca gjeografike, fizike e natyrore”. “Neni IV përcakton organizimin e akademikëve, anëtarë të Akademisë si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, duke mos bërë dallim mes akademikëve rezidentë dhe 14 akademikëve korrespondentë. Kourumi i tyre i mjaftueshëm është tridhjetë të tillë me të drejtë vote. Po ashtu Akademia ka edhe dhjetë anëtarë nderi. Në fondet arkivore të Ndre Mjedës në AQSh është ruajtur një dokument disafish i çmuar: diploma e tij si anëtar i Akademisë”, tha profesor Plasari. Ai bëri me dije se përpos saverianëve të mirëfilltë, Akademia ka pasur edhe të tjerë anëtarë, shekullarë dhe laikë. Ndër këta të fundit Zamputi kujtonte Kolë Kamsin që është quajtur drejt “pionier i studimeve arbëreshe në Shqipní”, Ilo-Mitkë Qafëzezin që botoi në “Leka” punimet e tij për Voskopojën, Lumo Skendon me vrojtimet e tij albanologjike, Lukë Karafilin (Bardhyli) me vargun e punimeve për historikun e bibliotekave në Shqipëri etj. Ia vlen,-tha Plasari, të përsëritet që baza e Akademisë Albanologjike të saverianëve, ashtu si edhe e revistës “Leka”, ishte dhe mbetej shoqata L.E.K.A., e themeluar më 1928 nga 38 absolventët e Kolegjit Saverian dhe shkollave të tjera, pra kryesisht laikë dhe pa dallim përkatësie fetare. Në mungesë të një liste të plotë të anëtarësisë si akt dokumentar, kërkimet për të do të duhen vijuar.


Neni V i Statutit sqaron mbi organet drejtuese të Akademisë: “Akademija ká NJI KRYETAR LIGJUER PERGJEGJËS, i cilli âsht de jure vetë Drejtori Pergjegjës i revistës “Leka”, të cillit i njehet se i â pshtetë mbarë veprimi kulturuer i shoqatës “L.E.K.A.”. Këti i ipet si zbatues e si organizues NJI DREJTUES TEKNIK, i cilli de jure âsht vetë Drejtori Pergjegjës i Kolegjës Saverjane. Çdo degë ká edhè DREJTUESIN e vet. Akademija ká edhè nji SEKRETÁR të zgiedhun prej Kryetarit Pergjegjës nder Akademikë o nder Antarë; ky vepron edhè si sekretár i degvet të ndryshme”. Plasari tha se pas verifikimit rezulton që si kryetar i AAS nënshkruante Zef (Pashko) Naraçi S. J., njëherësh edhe drejtor përgjegjës i revistës i “Leka”-s, ndërsa si drejtues teknik nënshkruante Zef Valentini.
MJEDA i VETIZOLUAR
Mund të pyetet, në këtë rast, për pozicionin e Ndre Mjedës, “frymëzuesit” të kësaj Akademie,-tha Plasari, duke u përgjigjur se “një dalje e tij në krye të Akademisë në fjalë do të ketë qenë organizativisht e papërshtatshme. Ndonëse Akademia vepronte ‘në gjí” të shoqatës L.E.K.A., pra të absolventëve të Kolegjit të Shën Ksavjerit dhe të kolegjeve a shkollave të tjera, Mjeda vijonte gjithnjë të mos bënte pjesë në bashkësinë jezuite duke qenë i dalë jashtë Urdhrit përkatës, edhe kur qe i integruar si mësimdhënës në atë Kolegj”. Plasari kujtoi se ka rëndësi të kuptuarit e pozicionit të tij social dhe të tërheqjes së tij nga jeta publike, – vetë Mjeda ka pohuar në një rast që nuk ishte në natyrën e tij angazhimi publik- sidomos në atë moshë dhe në atë ndërkohë zhgënjimesh të jetës së tij. “Të tillë e njohu Injac Zamputi mësuesin e vet në vitet e fundit të jetës, sikundër edhe ia përshkroi ‘karakterin e tij të drojtur, që e bënte më të shumtën të ishte i vetmuar’. Për Zamputin ‘ishte kryesisht poet dhe studimtar, nuk kishte komunikativë oratorie”,-tha Plasari. Zamputit i ka bërë përshtypje që mësuesit të shkuar nga mosha i pëlqente më fort të mos kishte takime të shpeshta me njerëz; edhe rrugës përherë dilte vetëm, kryesisht për të shkruar në Arkipeshkví, tek i vëllai Lazër Mjeda.
Plasari shtoi se kush lexon kujtimet dhe përshtypjet e ish nxënësve të tij – gjithë respekt dhe admirim për mësuesin – do të ndeshë jo nga një, por nga disa syresh konstatimin që mësuesi i tyre “ishte i vetizoluem”, “rronte i vetizoluem”. “Izolim vullnetar”, e ka përcaktuar Zamputi. “Na pleqt nuk i kemi ma hovet rinore”, i është mirëbesuar ai në një moment dishepullit të vet. “Por Zamputi duket të ketë të drejtë kur këtë dukuri të karakterit ia ka detyruar të kaluarës së tij, kur rrethi i bashkëpunëtorëve i kishte shkaktuar veprës dhe personit të Mjedës shumë mosmarrëveshje, kundërshtime, keqkuptime. Prandaj Mjeda, gjatë atyre viteve të fundit, edhe pse duke qenë në kulmin e pjekurisë së tij intelektuale, kishte zgjedhur ta kalonte ‘në qetësi’ kohën që i kishte mbetur. Do të duhet shtuar që Mjeda i atyre viteve ishte edhe i përsyshur politikisht: në Shqipëri mbretëronte Ahmet Zogu, armik i tiji i vjetër, që e kishte burgosur dhe internuar dikur. Gjithsesi nuk mund të mos pohohet që themelimi i Akademisë Albanologjike më 1937 të ketë qenë aspirata e fundit e realizuar, atdhetare dhe njëherësh shkencore, e Mjedës i cili do të vdiste më 1 gusht të po atij viti”, theksoi Plasari.
Nenet VI, VII, VIII dhe IX të Statutit të Akademisë përsaktësojnë detyrat dhe të drejtat e drejtuesve.
Në ligjëratën e tij, Plasari bëri me dije se me ardhjen e pushtimit fashist, Akademia u mbyll. “Kjo veprimtari nuk ka qenë e lehtë kuptohet, për shembull, nga vargu i akteve administrative me të cilat Zyra shtetërore e censurës është orvatur ta pengojë më 1938 botimin e përmbledhjes me dokumente për Lidhjen e Prizrenit, e cila ka mundur të qarkullonte vetëm në fillim të vitit 1939”, tha ai. Plasari vërejti se e para dhe më e rëndësishmja vepër e kësaj Akademie Albanologjike ishte vetë ekzistenca e saj. Shpërfillja që iu bë AAS-së ka pasur të bëjë me një zgjedhje ideologjike të organizimit të “studimeve shqiptare”. Valentini, tha Plasari, e pranoi kompromisin të përfshihej në atë strukturë të re. “Si italian i mirë dhe njëherësh si albanofil i mirë, duhet t’i ketë bërë llogaritë me parimin ‘me shpëtue të shpëtueshmen’ dhe me vullnetin për të nxjerrë në dritë një numër veprash që qenë prej vitesh në proces”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.