KULTURË

Festivali i Krastës, Kukes e Lekës- tri net për këngën e besimin te muzika

14:02 - 24.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




Nëse mendon në fund të tri netëve se çfarë solli festivali i RTSH-së, e para që vlen të përmendet padyshim është kënga. Dhe kënga (lexo këngët) e sivjetshme ishte vërtetë këngë- në tekst, muzikë e mesazh. E nuk ishte vetëm një.

Fitues u shpall Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, më i duartrokituri nga publiku, i vetmi që u kthye dy herë në skenë. Rrallë ndodh që verdikti i jurisë dhe ai i publikut është i njëzëshëm, por me “Mallin” e Bushpepës, shija e spektatorit dhe autoritetit profesional qe e përbashkët. Veç fituesit e çmimeve për Redon Makashin (vendi i dytë) dhe Inis Neziri (vendi i tretë) këngët e mira nuk munguan, nga Orgesa Zaimi te Manjola Nallbani, nga Elton Deda te Tiri Gjoci.

Mes emrave dhe të rinjve premtues e modest (ku spikat Neziri) Festivali ia doli të kombinojë më të mirën e muzikës shqipe- përvojën e zërave të artë me dallimin e elementëve që japin siguri për të ardhmen. Çka vlen të përmendet janë mesazhet e këngëve, secila të vetin, jo vetëm për dashurinë (ndjenjën sublime që nuk paragjykohet) por edhe për zërin tonë dhe nevojën për ta pasur, në një shoqëri ku heshtja herë na është imponuar e herë ia kemi imponuar vetes. Në këtë element këngët e Orgesa Zaimit a Inis Nezirit meritojnë vlerësim për ç’kanë marrë përsipër të thonë.

Së dyti, Festivali ia doli këtë herë të thyejë paragjykimin fillestar: Elton Deda në orkestër dhe Elton Deda në skenë nuk ndikojnë doemos jurinë as nuk paracaktojnë çmimin- ndryshe nga çfarë tingëlloi atë vit kur fituese u shpall Eneda Tarifa, pavarësisht se në Tiranën e vogël të gjithë mund të ndodhë që janë miq me njëri-tjetrin. Juria e kryesuar nga Limos Dizdari arriti këtë herë të shpallë një fitues që nuk duket të ketë lidhje interesi as miqësie me realizuesit e festivalit- ose nuk ka të dhëna për lidhje të mundshme, thënë kjo, nuk zhvlerëson aspak fituesin, që për hir të së vërtetës ngriti sallën në këmbë dhe u brohorit më së shumti nga vetë gazetarët që në të tria netët e ndoqën nga afër festivalin në Pallatin e Kongreseve duke bërë për Bushpepën “nxitësin e tifozëve” në publik.

Ndërkaq, me Krastën prezantues, nuk kishte dyshim që ngecjet a patetizmi do preknin skenën. Përkundrazi, Krasta solli në skenë për tri netë, përmes monologjeve ‘alla Krasta show mesazhe’ që i duhen një shoqërie. Dikush i ka interpretuar si nevojë e Krastës për të folur, a për të kumtuar, por në një vend ku zërat që dalin kundër rrymës, ose mbyten ose nuk dëgjohen, Radio Televizioni publik qoftë “i kontrolluar” a jo nga qeveria, vetëm për faktin se paguhet me taksat tona ka për detyrë të na shërbejë. Nëse këtë e bën me Krastën që “nxit protesta”, përmes prezantimit të një koreografie që ka për temë protestën ndaj vendimeve tejet të diskutueshme, aq më mirë. Nëse për këtë Krasta këto ditë është cilësuar “i çmendur”, epo mirë, na duhet një i çmendur në këtë vend. Në këtë pikë, për termin çmenduri, më duhet të bëj një paralelizëm me një film të Tarkovskit, “Nostalgjia”. Personazhi i një prej regjisorëve më në zë që kinematografia botërore ka njohur thotë (po perifrazoj) kjo botë në të cilën jetojmë është bota juaj, juaja që jeni normalë, e që megjithëkëtë nënkupton ai, është dështimi juaj. Duhet guxim për të thënë të vërtetat.

Larg prej të qënit personazhi i Tarkovskit, Krasta ka përçuar në tri net kumte që i duhen një shoqërie të mbytur në heshtjen e vet, prej se është lodhur nga shumëçka që nuk shkon në këtë vend që boshatiset përditë, në këtë vend ku Maria Antoneta pyet për popullin që nuk ka bukë të hajë, pse nuk hanë biskota. Si autor i festivalit ai ka pasur dorë të lirë në shumëçka, si për zgjedhjen e atyre që solli për të prezantuar me të- emra që nuk njihen nga masa por që në të përditshmen e vet diç kanë ndryshuar për mirë në këtë vend. Janë të lodhshëm për shumë prej nesh eventet ku qershinë mbi tortë e përbën prania e politikanëve që mjaftueshëm shfaqen në media pa pasur nevojë të pushtojnë edhe festivalin, në kuadër të ndereve që publikut nuk i bëjnë nder. Faleminderit Krasta që na i kurseve këto emocione, por pa i hequr presjen asaj që u tha më lart pati një tejzgjatje të Ricardo

Cocciantes në skenë natën e parë, duke shtyrë tepër nisjen e konkurimit, sikundër sa i takon finales- zëri i Elsa Lilës është thesar në doni për timbrin, në doni edhe për forcën si edhe për pasionin dhe faktin se vë shpirtin në atë që bën, por nuk është festivali rasti për leksione mbi historinë e muzikës klasike a baroke, as për rrëfime detajesh nga jeta e kompozitorëve- sidomos kur këto zgjasin me tepër se vetë këngët. Për të vijuar rrjedhën e Krastës autor, një rol në këtë liri të tij ka pasur doemos edhe Martin Leka, prej një jete gazetar, e prej disa vitesh me pozicione drejtuese në RTSH, disa herë drejtues artistik i festivalit, sivjet drejtor i Festivalit. Ka zgjedhur të qëndrojë në hije, e prej aty, të shërbejë si garancia që ndalon urdhrat nga lart dhe jep siguri për ata që janë më poshtë. Vlen të kujtojmë se Leka ka qenë drejtor festivali kur fituese u shpall Rona Nishliu, prezantimi më i mirë i Shqipërisë në Eurosong. Jo për nga rëndësia, mbeti në fund Pali Kuke. Emri i tij ka qenë gjithnjë në produksione të mëdha. Ai moshën e ka përvojë që i shërben risive, pa u bërë old fashioned në spektakle ku e reja bëhet përditë më e re.

Skenografia e sivjetshme, megjithë kritikat për orkestrën “në gropë” solli një imazh tërheqës të skenës, duke lënë vend edhe për grafika e plane televizive të bukura. Problemet teknike? Për fat të keq nuk munguan as natën e parë as të tretën. Por, Festivali këtë vit riktheu besimin te muzika, melodia, teksti dhe mesazhet, paçka që postfestivali nuk shërbeu siç pritej, ky shkrim është postfestivali im.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.