OPINION

Trump, i papërshtatshëm apo gjeni?

07:28 - 08.01.18 Nga Julian ZYLA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Michael Moore, autor i disa dokumentarëve të famshëm politikë, ironizoi së fundmi Presidentin e SHBA, Donald Trump, duke i kujtuar se epitetin “i çrregullt” e kishte përdorur më herët për të dhe nuk ishte e drejtë që tashmë e kishte përdorur për të përshkruar edhe ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon. Gjithashtu – thotë Moore – kjo është shenjë e qartë e sklerozës, a nuk ia kanë thënë këtë doktorët presidentit?




Autori i dokumentarëve, Moore, i njohur për pikëpamjet e tij të majta, është një nga demokratët e shumtë të zëshëm këto ditë, pas publikimit të një libri rreth presidencës së z. Trump që po shkakton shumë debate. Libri mori edhe më shumë vëmendje kur, para se të botohej, Shtëpia e Bardhë kërcënoi se do të padiste autorin e librit. Shtëpia botuese vendosi kështu ta publikonte librin disa ditë para kohe.

“Zjarr dhe zemërim – Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump” është shkruar nga gazetari Michael Wolff, i cili thotë se ka pasur liri të paprecedentë mes stafit në Shtëpinë e Bardhë dhe se ka kryer gjithsej rreth tri orë intervista me presidentin. Trump ka mohuar t’i këtë dhënë akses gazetarit.

Mes pikave më të nxehta të ngritura nga libri janë disa citime të anëtarëve të stafit, ku Trump cilësohet prej tyre si i paaftë mendërisht, njeri që nuk lexon asnjëherë dhe njeri i paqëndrueshëm. Disa prej tyre mohojnë deklaratat. Por, Trump nuk kurseu fjalët e ashpra për autorin e librit dhe ish-strategun e fushatës së tij dhe Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon.

Mëngjesin e djeshëm, kur ndodhej në rezidencën pushuese presidenciale Camp David, për takime me udhëheqësit e tjerë të partisë së tij për përcaktimin e programit politik për këtë vit, presidenti amerikan publikon një seri prej tri mesazhesh në rrjetin social “Twitter”, që ndezi debatin edhe më keq rreth aftësive të tij mendore. Rrjedhimisht, edhe debatin rreth përshtatshmërisë së tij për zyrën ovale, zyra e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Mesazhet në mediat sociale mund të miratohen edhe nga anëtarë të lartë të stafit, por në llogaritë zyrtare deklaratat zakonisht konsiderohen të drejtpërdrejta nga udhëheqësi. Në fakt, synimi i mesazheve të Trump ishte të siguronin amerikanët se presidenti i tyre është mëse i përshtatshëm për postin. Atëherë, pse për disa pati efektin e kundërt?

“Tani që marrëveshja sekrete me Rusinë, pas një viti studimi intensiv rezulton të ishte një mashtrim total mbi publikun amerikan, demokratët dhe qentë e tyre besnikë, Media Tradicionale e Lajmeve të Rreme, po ripërdorin tashmë një marifet të vjetër që nga Ronald Reagan dhe po thërrasin qëndrueshmëri mendore dhe inteligjencë…”.

“….Në fakt – vazhdon Trump me mesazhin e dytë, duke filluar të ushqejë reagimet më të mprehta – gjatë jetës sime, dy pikat e mia më të forta kanë qenë qëndrueshmëria mendore dhe të qenit, si të thuash, shumë i zgjuar. Mashtruesja Hillary Clinton i përdori shumë fort këto karta dhe siç e dinë të gjithë, ra në flakë. Unë shkova nga një sipërmarrës SHUMË i suksesshëm, në një yll kryesor televizioni…”.

“….në President të Shteteve të Bashkuara (në tentativën e parë). Mendoj se kjo do të konsiderohej jo si zgjuarsi, por gjenialitet… dhe një gjeni shumë i qëndrueshëm në këtë”!

Kritikët theksuan menjëherë pas këtyre deklaratave se asnjë njeri normal nuk do të fliste kështu për veten. Titujt e lajmeve tregonin se Trump ishte shprehur se ishte një “gjeni i qëndrueshëm” dhe “shumë i zgjuar”. Shumë njerëz me seriozitet e të tjerë me sarkazëm shpreheshin se si Presidenti i Shteteve të Bashkuara po vërtetonte shqetësimet e ngritura nga libri i ri nga i cili po mbrohej, duke vepruar e duke u shprehur si një njeri i çuditshëm, ndoshta i paqëndrueshëm e i papërshtatshëm për postin. A kishin të drejtë?

Reagimet nuk vinin vetëm nga kundërshtarët demokratë, por edhe nga gazetarë apo nga profesionistë të shëndetit mendor, disa prej të cilëve më herët kanë ngritur shqetësime rreth Presidentit bazuar mbi vëzhgime të tyre. Gjithashtu, kur lexon togfjalëshat e titujve, nuk duken normale për një president. Por, këtu fillon gabimi i kundërshtarëve të tij, sepse Trump nuk është sjellë asnjëherë si kandidat apo president normal. Dhe kështu fillon nënvlerësimi i tij, duke e trajtuar në rrafshin e përvojave politike normale. Në fakt, Trump është thjesht duke vazhduar të jetë vetvetja.

Në “Twitter” ishin pafund edhe mesazhet mbështetëse ndaj presidentit. Shtëpia e Bardhë dhe partia e tij republikane nuk kanë ndërmend të rreshtohen përkrah kritikave të librit apo të kritikëve kundër presidentit. Përkundrazi, kanë nisur grumbullimin dhe publikimin e materialeve për delegjitimimin e autorit, i cili ka pasur kritika edhe nga kolegë gazetarë.

A di Trump se çfarë po bën? A vërtetuan mesazhet se është i paqëndrueshëm? Apo është jo vetëm i përshtatshëm për zyrën, por edhe gjeni në këtë? Këndvështrime të ndryshme mund të jenë të justifikuara, por mesazhet e tij të fundit, më shumë se “lajthitje”, duken thjesht të shkruara me thjeshtësinë që e karakterizon në komunikim.

Demokratët kanë tashmë më shumë materiale për të vazhduar të thonë gjërat që thonë shpesh për të, sepse ai vazhdoi të thotë gjërat që thotë shpesh. Donald Trump e di se kujt i flet. E di që ata besojnë atë dhe jo mediat tradicionale. Pyetja është: a do t’i mjaftojnë herën tjetër? Nëse po, gjeniu është ai.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.