MILOSAO

Kanuni dhe romani i Kadaresë “Prilli i thyer”

11:48 - 28.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, studiuesi Elezi na ka përcjellë këtë shkrim kushtuar “Prillit të thyer”.




Me skemën e përshtatur vepra bëhet më tërheqëse, thellësisht tronditëse.

Përmasat e dramës rriten rrungajë, shkojnë shpërthyeshëm deri në kufijtë e një tragjedie të krahasueshme me epidemitë shfaruese.

Po të përdorim një shprehje të autorit nga sprova për Eskilin, fataliteti rri sipër gjithçkaje si një diell i ftohtë, prej të cilit nuk shpëton dot.

Pa fatalitetin e këtij dielli të ftohtë, me gjithë gjeninë shekspiriane të Kadaresë, nuk mund të jesh i sigurt nëse “Prilli i Thyer” do të dilte më shumë se Prilli i Thatë.

 

Nga Mehmet Elezi*

1.
Në romanin Prilli i Thyer Kadareja përcjell artistikisht madhështinë e mrrolët të botës së Kanunit, fuqinë dhe tragjizmin pa fund, për të cilin thua se vetëm ato male me kreshta të rënda e thepa qiellorë, ku thërrmohen e vdesin rrufetë, mund ta durojnë e ta mbajnë në shpatulla dhe vetëm atyre u ka hije tërë ajo peshë mbi jetën dhe vdekjen bashkë.

Ndryshe nga sa përsëritet herë mbas here, as tërthorazi, me mjetet e artit, autori nuk thotë kund se shkretimi vjen prej ligjit të Lekës. Ndërkohë ndihen stërpikët e gjakut të freskët, ato enden nëpër atmosferën e romanit, shkrihen nëpër kokrrizat e ajrit. Hija e tyre është e pranishme gjithkah, edhe pse nuk mund të preket. Një shije e dyshimtë të mbetet pas leximit të parë: sikur Kanuni është nxitës i hatasë, çartan idhnak që ndez vrasjet në reaksion zinxhir; sikur ai mund të çojë deri në shuarjen e familjeve, fiseve e viseve, siç ndodh në Rrafsh.

Plaka psherëtiu thellë.
-Nga dyqind shtëpitë e fshatit vetëm njëzet s’janë në gjak. Do ta shikosh o bir. Katundi ngjan krejt i gurosur, sikur ka rënë murtaja.

2.
Një përfytyrim kësisoj për mbretërinë e Kanunit lidhet me pleqërinë e thellë të tij. Me kohën kur pushteti i tij i mirëfilltë po shpërqendrohej, po decentralizohej, në të mirë të kanuneve të fiseve. Fiset dhe ligjet e tyre vendore po merrnin më shumë kompetencë. E kishte vënë re me mprehtësi At Zef Valentini, kur thoshte s’ka ndryshuar Kanuni, por kanunet.
Hahni përmend një trandje troshitëse në male.
Selca mblidhet në kuvend, merr vendim me lypë gjakun vetëm tek ata që jetojnë në një shtëpi dhe që hanë bukë në një sofër me vrasësin. Pra mos me lypë gjak në farefis. Madje as te baba e te vëllai, në qoftë se këta nuk jetojnë bashkë me dorasin, nën një kulm.

Kur ka çashtje me randësi, vojvoda kërkon pëlqimin e të gjithë popullit, bile nganjiherë i len me ba bé për nderin e armëve… që do t’i binden vendimit të ri… Këtë p.sh. e bani Selca disa vjet përpara, ku populli vendosi që hakmarrja të përfshinte vetëm ata persona të cilët jetonin me vrasësin në nji shtëpi dhe në nji voter, dhe jo edhe farefisin, qofshin edhe ati ose vëllai i vrasësit. Ai që do të vepronte kundra këtij ligji, përveç pareve të gjakut që duhej t’i paguente pashës, detyrohej të paguente edhe nga 1000 pjastra gjobë hem pashës, hem fisit.

Ç’është ky vendim për të mos kërkuar gjakun në farefis? Kanuni s’e ka pasë kërkuar gjakun në fis as në farefis. As në familje jo. Kanuni thotë gjaku për gisht, krye në krye. Vetëm dorasi me u përgjigjë. Askush tjetër. Të afërmit duhet me u ruejtë vetëm 24 orët e para pas vrasjes, kur gjakrat vlojnë. “I dami i zjarmit jashta 24 orvet nuk i ruhet gjaksit”.
Paragrafi i sipërpërmendur i Hahnit, edhe pse i shkruar në kontekst tjetër, ka fotografuar lëvizjen tektonike më të rëndë, më shkatërruese, në tërë jetën qindravjeçare të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Fotografia është marrë me vonesë, kur objekti është larguar, është marrë nga pas, me synim tjetër. Megjithatë spikama dallohet qartazi diku në hapësirë. Ashtu siç shihet drita e yjeve të vdekur shumë e shumë kohë më vonë, sepse është në udhëtim nëpër gjithësi, ashtu vjen nëpërmjet këtij paragrafi edhe pamja e përflakur e vendimit me e marrë gjakun në fis. Vjen pasi ky vendim është shfuqizuar!
Ajo çka ka ndodhur përvijohet pak a shumë në këtë mënyrë:
Në Selcë paskesh qenë bërë një kthesë e fortë në Kanun. Kthesë e fortë? Jo kthesë, përmbysje e njëmendtë. Paskesh qenë përmbysur neni më delikat, përsa i përket paqes shoqërore e sigurisë së jetës. Neni që lyp shpagimin e gjakut vetëm te dorasi dhe jo te kush tjetër sado i afërt. Dhe qenkesh vendosur: gjaku mund të merret duke ia njehur plumbin ballit cilitdo në fis!
Sipas një tjetër dëshmie të Hahnit, gjakmarrja brenda fisit dhe jo vetëm ndaj dorasit tashmë njihej edhe në jug të vendit. Madje në Jug ishte e përhapur dhe njihej vetëm kjo gjakmarrje, jo tjetër. Duke përshkruar doket nëpër fshatrat e Rrëzës, në Tepelenë e Delvinë, ai thotë:

…gjithë fisi asht përgjegjës solidar, kur nji prej anëtarëve të tij ban ndonji faj p. sh. kur ban ndonji vrasje. Prandaj i gjithë fisi bie në gjak, kur nji prej anëtarëve të tij ban nji vrasje. Nga ky shkak kur pajtohen me anmiqtë, të gjithë anëtarët e fisit kontribuojnë për me la shumën e caktueme. Nganjëherë ndodh që i gjithë fisi asht largue krejt nga fshati për me shpëtue nga hakmarrja!

Bie në sy te Nopça: te vepra Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre, lidhur me gjakmarrjen, flet për “ligj të vjetër” dhe për “ligj të ri” në disa fise. Ai që quhet “i vjetër” nuk është ligji i Kanunit gjak për gisht, por është ligji që e zëvendësoi atë, duke shtrirë marrjen e gjakut në fis. Dhe ai që quhet “i ri”, nuk është ligji që shtriu marrjen e gjakut në fis, por është rrëzimi i këtij ligji, duke e ngushtuar prapë rrezen e marrjes së gjakut, duke e ribërë pothuaj siç është shkruar në Kanun. “Sipas ligjit të vjetër duhej të binin në gjak të gjithë burrat e farefisit të vrasësit…”. Ndërsa sipas të riut “malli i përbashkët (domethënë prona ose plangu i përbashkët – me) është kriter kush përfshihet në hakmarrje”, pra gjakmarrja kërcënon vetëm ata që jetojnë nën të njëjtin kulm.
Kjo do të thotë se edhe në fise të tjera, kush më përpara e kush më mbrapa, ishte ajo gjendje reflektimi e pendese si në Selcë, për të cilën flet Hahni. Fise që para disa dhjetëvjeçarësh kishin rrëzuar nenin që bënte përgjegjës vetëm dorasin, po lëkundeshin dhe po përqendroheshin prapë te dorasi, te parimi i Kanunit gjaku për gisht. E shumta, te njerëzit e një zjarri, që jetonin bashkë nën një kulm, jo më gjerë. Ky ishte “ligji i ri”. Në thelb është thjesht rikthim te ligji i parë i Kanunit, i shenuar prej Gjeçovit.
Prandaj Gjeçovi thotë se vrasja e një tjetri sado të afërt në vend të dorasit “nuk ka kenë”. Sepse s’kishte qenë në Kanun.
Nuk thotë është tashti. Sepse, me gjithë përhapjen, lypja e gjakut në fis nuk qe shtrirë gjithkund. Madje në vende ku qe ligjësuar po lëkundej, po çthirrej (revokohej), po çligjësohej. Fiset po riktheheshin ku patën qenë.
Atëherë Kanuni është nxitës gjaku apo parandalues?

3.
Te Prilli i Thyer Kadareja shtron rolin e Kanunit në të dy anët. E shtron si mendimrrahje të botës intelektuale, pa mbajtur qëndrim drejtpërdrejt.

Nganjëherë kureshtja e shtynte të dëgjonte me orë të tëra ç’thuhet në ato fletë, siç ishte rasti i përsiatjes së një reviste, ku shqyrtohej çështja nëse Kanuni me ligjet e tij të rrepta e nxiste gjakmarrjen, apo, përkundrazi, e pengonte atë. Një palë shkruanin se disa nga nyjet themelor të Kanunit, si ai që thoshte se gjaku nuk humb kurrë dhe se gjaku lahet veç me gjak, e ngucnin hakmarrjen, pra ishin nyje barbare. Të tjerët, përkundrazi, këmbëngulnin se nyje të tilla që në dukje dukeshin të kuçedërshme, ishin në të vërtetë nga më njerëzoret, sepse pikërisht duke e bërë ligj larjen e vdekjes me vdekje e paralajmëronin vrasësin: mos derdh gjak, se do të përgjakesh edhe ti pastaj.

-nga përsiatjet e qehajait të gjakut Mark Ukaçjera, në bibliotekën e kullës së Oroshit –

Vetëm duke e shtruar kështu Kadareja bën herezi. Hedh farën e dyshimit mbi gjithë sa thoshte asokohe përhapësimi (propaganda) zyrtar për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Fton me arsyetue: ndal apo cyt gjakun? Thirrja me arsyetue është thirrje kundër dogmës zyrtare. Në parim çdo arsyetim, si i tillë, është kundërdogmë.
Shkrimtari guxon më tej. Shkruan se nga fundi i qindvjetëshit të 17-të, në malet ku Kanuni ndihej i gjithëpushtetshëm gjakmarrjes po i vinte fundi, ajo gati po vdiste. Kërdia u bë më pas, kur Kanuni nuk e kontrollonte më si dikur gjendjen në bazë dhe kërkimi i gjakut u shtri në tërë fisin.

Dukej sikur gjakmarrjes po i vinte fundi. Por në kohën që dukej se po vdiste, ajo kishte shpërthyer me një vrull të ri. Viti 1691: dyfishimi i gjaqeve. Viti 1693: trefishimi, 1694: katërfishimi. Kishte ndodhur një ndryshim themelor në kanun. Marrja e gjakut, që gjer atëherë binte vetëm mbi dorërasin, pra mbi njeriun që kishte shtirë me pushkë, tani ishte shtrirë mbi krejt fisin. Vitet e fundit të shekullit që po ikte dhe vitet e para të shekullit të ri u përgjakën fund e majë. Gjendja kishte vazhduar kështu gjer pranë mesit të shekullit, kur ishin dukur shenjat e një thatësire të re. Ja viti i thatë 1754. Më vonë 1799. Një shekull më vonë, tri vite rresht, 1878, 1879, 1880, por të gjitha këto ishin vite kryengritjesh a luftërash me të huajt, kur zakonisht gjakmarrja binte.

-nga përsiatjet e qehajait të gjakut Mark Ukaçjera, po aty –

Në një farë mënyre Kadareja e liron Kanunin nga përgjegjësia, ia zbardh fytyrën e nxirë nga sulmet e lukunive me keqdashës dhe turmave me të paditur. Këta përrenj gjaku janë të jashtligjshëm. S’kanë të bëjnë me ligjin e mirëfilltë, të njëmendtë, mbledhur prej Gjeçovit, i vetmi që ka pasaportën e Kanunit. Kanuni i Lekës thotë prerë: fisi nuk preket, madje as vëllai, as baba, as djali, përgjegjës për gjakun është vetëm dorasi, gjaku lypet vetëm për gisht, nji me nji.
Këta përrenj gjaku janë pjellë e kipcit të rremë, contrefaçon, që doli në treg dhe nuk fitoi kurrë besimin e plotë, nuk u pajis kurrë me licensë. Lidhen me anarkinë që fillon me atë ndryshimin themelor shkatërrues që po fitonte hapësirë te kanunet e fiseve duke synuar bash zemrën e Kanunit, me kërkesën me e shtri lypjen e gjakut nëpër fis. Pra me kohën kur Kanuni në bazë pësoi lëkundjen vrastare, të pashpresë, nëntëballëshe, në një rrethanë që nuk është plotësisht e qartë. Struktura e tij u ligështua, u zhgardhnua, arkitektura u plasarit. Diçka e rëndë u shkoq në zemër të tij. U shkoklua e u shpërbë. Arsyeja pse kishte ndodhur kështu, është çështje në vete, e kemi trajtuar tjetërkund. Gjithsesi kjo trandje gjakatare nuk u sanksionua kurrë në Kanun. Përkundrazi, siç dëshmon Nopça kur flet për “ligj të vjetër” dhe për “ligj të ri”, pasi kishte zënë vend ku e ku në kanunet e fiseve, ajo filloi me u tërheqë pa u ligjësuar në kodin madhështor të maleve.
Me sa është në dijeni autori i këtyre shenimeve, asnjë studiues a kritik letrar s’e ka qitur në pah këtë herezi të kujdesshme, por krejt të qartë, të shkrimtarit të madh. Prilli i Thyer bie ndesh me politikën zyrtare të kohës.

4.
Edhe nga pikëpamja e teknikës së konceptimit të veprës: autori nuk përzgjedh “personazhe tipike në rrethana tipike”, siç kërkonte i ashtuquajturi realizëm socialist. Bën atë që bën letërsia e madhe, merret me të veçantën. “Madhështia e artit nuk është te zbulimi i asaj që është e zakonshme, por asaj që është unike”, thotë nobelisti Isak Bashevis Singer.
Kjo herezi godet nga brenda edhe atë shije disi komprometuese, që duket sikur mbetet pas leximit të parë me një frymë të Prillit të Thyer.

5.
Gjithsesi duket se atmosfera me pikla gjaku në roman autorit i ka ardhur për shtat. Për dy arsye.
E para, e natyrës artistike.
Me skemën e përshtatur vepra bëhet më tërheqëse, thellësisht tronditëse. Përmasat e dramës rriten rrungajë, shkojnë shpërthyeshëm deri në kufijtë e një tragjedie të krahasueshme me epidemitë shfaruese. Po të përdorim një shprehje të autorit nga sprova për Eskilin, fataliteti rri sipër gjithçkaje si një diell i ftohtë, prej të cilit nuk shpëton dot. Pa fatalitetin e këtij dielli të ftohtë, me gjithë gjeninë shekspiriane të Kadaresë, nuk mund të jesh i sigurt nëse Prilli i Thyer do të dilte më shumë se Prilli i Thatë.
Prilli i Thyer është roman, është art. Nuk është studim, nuk është as sprovë. Shkrimtari krijon figurën letrare, luan me faktet. Shkrimtari punon me mjete të tjera nga studiuesi a shkencëtari, të cilët mbështeten te të dhënat e ftohta, te logjika e fakteve, pa i lënë shteg fantazisë.
Arsyeja e dytë lidhet me politikën.
Kanuni ishte fyer e shkelmuar, ishte zhiguar e nxirë pafundësisht nga diktatura dhe drejtpërdrejt nga diktatori, ishte paraqitur si ama e tërë të ligave të dheut, si superpërbindësh vampir, të cilit sa më shumë pi gjak i shtohet etja për gjak. Edhe një Kadare me përmasat e tij e kish të pamundshme me dalë krejt hapur në kundërvënie me qëndrimin zyrtar, megjithëse në roman guxon shumë. Vetë shkrimtari ka pohuar se duhej paguar një taksë, për të pasur mundësinë me shkrue e me botue veprat. Me gjasë shija që ngelet pas një leximi të shpejtë bën pjesë në llogarinë e kësaj takse. Ani pse fatura që shkrimtari paguan për këtë taksë në roman mund të quhet e rreme, mashtruese. Kjo shije, atmosfera me pikla gjaku të freskët, është më shumë një lëpé a tymnajë, një lloj veli, nën të cilin fshihen të vërteta me peshë.
*Studiues

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.