OPINION

Jo më me këto 10 argumente

07:23 - 08.02.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Strategjia e re e Komisionit Evropian mbi perspektivën e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor me gjuhën e saj fare të qartë do t’i japë një dinamikë të re cilësore përshpejtimit të anëtarësimit dhe më konkretisht të çeljes së negociatave tona me BE.




Ndaj, të paktën deri në muajin prill kur do të publikohet Progres Raporti i Komisionit Evropian për secilin vend dhe në maj kur do të mblidhet samiti i posaçëm kushtuar Ballkanit në Sofje kërkohen hapa dhe rezultate të tjera të matshme, sidomos në fushën e reformës gjyqësore; nuk po zgjatemi në këtë pikë që është nënvizuar në shkrimin e datës 12 nëntor 2017 në këtë gazetë «Prapë hapa, pastaj data» dhe atë të datës 10 dhjetor 2017 «Negociatat, topi ende në fushën tonë».

Por këtu do të theksojmë se krahas të tjerash, Strategjia e re e zgjerimit i ka bërë jo vetëm të pakëshillueshme, por dhe të pavlefshme disa deklarime, pohime dhe pretendime ndaj BE-së dhe vendeve të caktuara anëtare.

Nisur dhe nga përvoja sidomos gjatë 20 viteve të kaluara si diplomat i përfshirë në këtë proces në Tiranë, Berlin dhe në Bruksel deri muajt e fundit, më poshtë, po i paraqes në mënyrë fare të përmbledhur këto 10 «don’ts» ose gjëra që nuk duhen bërë/përmendur më, sidomos në publik. Po i rendisim pa shumë teori, në formë të thjeshtë dhe nga pikëpamja e realpolitikës, d.m.th. si funksionojnë gjërat realisht dhe jo thjesht sipas vullnetit/dëshirës së mirë ose «wishful thinking» siç thuhet në anglisht.

« BE është fajtore për vonesat, mosarritjet dhe dështimet tona», madje duke e shoqëruar këtë pretendim dhe me terma të papërshtatshëm referues ndaj saj. Kjo sepse, pa përjashtuar gjynahet e saj në drejtime të tjera, por dhe krizat e shumta e serioze gjatë këtyre viteve, institucionet e BE-së dhe vendet e saj anëtare do të na tregojnë plot fakte lidhur me ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për çeljen e negociatave nga Samiti i Selanikut e deri më sot.

Do të na rikujtojnë, gjithashtu, me të drejtë se ka qenë politika jonë, sëmundjet tashmë të vjetra të korrupsionit, krimit të organizuar, dobësive në drejtim të shtetit të së drejtës, mungesat e dialogut me opozitën, bojkotet parlamentare, rebelimet e dhunshme të rrugës dhe krizat e vazhdueshme që 1996, 1997, 1998, 2003, 2010 dhe 2017 që kanë shkaktuar këto vonesa të pajustifikueshme.

« Ne i kemi kryer detyrat e shtëpisë dhe reformat e kërkuara, përfshirë dhe vetingun, kështu që negociatat duhet të çelen një orë e më parë»:

Ky pohim i palës sonë që qëndron në një masë të madhe gjithsesi nuk mjafton dhe nuk bind, sepse rëndësi vendimtare këtu ka mendimi dhe perceptimi i institucioneve evropiane dhe i të 27 vendeve anëtare, deri te Malta dhe Luksemburgu i vogël; veç kësaj, strategjia e re thekson qartazi mosarritjet, dështimet dhe nevojën e zbatimit praktik të reformave. Ndaj, sugjerohet që gjuha që do përdorur nga ana jonë të jetë pak a shumë : « ja ku jemi, kemi bërë këto dhe ato, tani na gjykoni ju!

 

 «Ja, të gjitha vendet janë dakord që të çelen negociatat, me përjashtim të ndonjë apo dy shteteve!

Më të tilla pohime jo vetëm nuk do të arrijmë dot të «përplasim» ndërmjet tyre vendet anëtare dhe institucionet e BE-së, por mund të bëhemi të pabesueshëm te partnerët tanë, si ata që na mbështesin dhe ata që ende jo. Tani, vërtet në turet e ministrit të Jashtëm, zotit Bushati tejet aktiv përmendet se homologët që ai apo dhe kryeministri takon na mbështesin; por kujdes se këtu fjala është në përgjithësi. Sa për çeljen e negociatave, pohimet e tyre mbështetëse nuk kanë ndonjë efekt konkret, sepse duhet që më parë të shprehet zyrtarisht Komisioni Evropian, gjë që ende nuk është bërë.

“Dakord, por korrupsion dhe krim të organizuar ka dhe në vendet anëtare të BE-së, përse atëherë penalizohemi vetëm ne?” 

Është pretendim pa dobi, sepse e para ne jemi vend kandidat dhe as nga ana etike nuk shkon që të ngremë pretendime dhe të qortojmë BE-në ku kërkojmë të hyjmë. Së dyti, po, fakti i mësipërm qëndron deri në një farë mase; mirëpo vendet anëtare kanë tradita, institucione të konsoliduara dhe strukturat e tyre të specializuara të kontrollit dhe vëzhgimit në këtë fushë që ne ende nuk i kemi. Së treti, duke na dhënë të drejtë për këto vërejtje, mund fare mirë të na thonë, siç ka ndodhur në disa raste «e po mirë atëherë, meqë qenka kështu puna, prisni sa ta luftojmë korrupsionin në vendet tona dhe pastaj t’ju pranojmë ju!

«Po Rumania dhe Bullgaria pse u pranuan atëherë me gjithë ato probleme të ngjashme?»

Në fakt, ky veprim i BE-së me këto dy vende i nxitur nga nevojat politike dhe gjendja ndërkombëtare e asaj periudhe është qortuar në disa vende anëtare të BE-së. Të njëjtin «gabim» bëri BE-ja dhe kur pranoi Kroacinë duke i besuar premtimit të saj, por që nuk e mbajti për zgjidhjen e një problemi territori me Slloveninë fqinjë fill pas anëtarësimit të saj më 2013. Ndaj, sërish, fare mirë do të na thonë «e po mirë, meqenëse gabuam me këto dy vende, nuk po ju pranojmë dhe ju pa plotësuar kushtet

« Po Serbia dhe Mali i Zi pse po ecin më përpara, aq më tepër kur ata anojnë dhe nga karrigia e Moskës? Pse standarde të dyfishta dhe jo si grup në rajonin tonë?»

Edhe ky argument është irelevant, sepse dhe Strategjia e re e zgjerimit e ka bërë fare të qartë se Serbia dhe Mali i Zi i kanë plotësuar disa vite më parë kushtet dhe kërkesat e caktuara; ndaj dhe i kanë çelur bisedimet me kohë. Natyrisht Serbia do ta ketë problem kur të vijë puna për anëtarësimin e plotë me kushtin e njohjes së Kosovës, por ajo është histori tjetër.

Ndaj, nuk ka standarde të dyfishta kurrsesi. BE dëshiron që Ballkani Perëndimor të hyjë pa vonesa të tjera dhe si rajon në BE, tashmë ka dhënë dhe një datë indikative, por jo detyruese, duke e shoqëruar këtë detyrimisht dhe me plotësimin e kritereve të meritës në secilin vend.

« Negociatat me Shqipërinë dhe rajonin duhet të çelen për shkak të aspektit gjeostrategjik në rajonin tonë. «Sërish, strategjia e re i ka dhënë përgjigje përfundimtare kësaj sfide; duke ofruar dhe data treguese për një të ardhme të afërt, BE e ka thënë me gojën plot se Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Ky mesazh është pikërisht për Rusinë, Turqinë dhe Kinën. Nga ana tjetër, BE nuk mund të tolerojë më që në emër të interesave gjeostrategjike, me gjithë rëndësinë e pamohueshme që ka gjeostrategjia të « importojë » dukuri dhe fenomene të tjera negative, se boll ka prej tyre dhe tani.

“Po nuk na pranuat tani në BE, kemi alternativa të tjera!” 

Përgjigja nga BE u dha po në këtë strategji, kur nënvizohet se anëtarësimi në BE është çështje zgjedhjeje. Pastaj, kurrkush nuk iu lut Shqipërisë që të aderojë në BE, ishim ne me ëndrrën e dhjetorit 1990 që kemi 27 vite që e bëjmë këtë lutje dhe BE na mirëpret, se dhe ajo ka interesat e veta të shoqëruara përherë me kërkesa të ligjshme. Por, në rast se kemi variante të tjera, atëherë ku shkuan përbetimet tona se alternativa e vetme është integrimi në BE? Sa të besueshëm do të bëhemi për elektoratin tonë dhe sidomos për BE-në dhe partnerët tanë ndërkombëtarë?

« Ne nuk po kërkojmë anëtarësim por thjesht çeljen e negociatave.» Po, por ka kritere dhe rregulla dhe për këtë etapë madhore politike, ekonomike dhe teknike, ndoshta dhe më të forta se anëtarësimi. Sepse vetëm me plotësimin e kushteve dhe kërkesave të njohura negociatat do të ecin rrjedhshëm, pa probleme dhe pengesa në të gjitha fushat dhe do të përfundojnë brenda afateve optimale pa u shtyrë në kalendrat greke.

Ndaj krerët e BE-së theksuan se nuk do të ketë anëtarësim automatik pa kaluar në «sitën» e kërkesave të saj deri në ratifikimin nga të 27 vendet anëtare, ndaj është shumë herët të flasim për të.

« Lodhja nga pritja dhe mosdurimi i njerëzve do të jetë me pasoja të rënda për BE dhe rajonin ». Po, BE është e ndërgjegjshme për këtë pretendim në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj dhe shpalli Strategjinë e re që do të pasohet nga Samiti i posaçëm në maj në Sofje; ndërkohë, BE është po aq ndërgjegjshme, siç duhet të jemi dhe ne për lodhjen, drojën dhe skepticizmin nga zgjerimi i mëtejshëm të paktën në shumicën e 27 vendeve të BE-së. Sidomos në këto vitet e fundit dhe pas krizës së azilit ku vendet e rajonit tonë, le ta themi, se po «kontribuojnë» jo pak. Kjo po vërehet dhe këto ditë, kur në median e disa vendeve, përfshirë dhe atë gjermane krahas komenteve pozitive, zgjerimi i mëtejshëm drejt Ballkanit Perëndimor konsiderohet si një « shaka e hidhur»

Veç kësaj, pretendimin e lartpërmendur e «tradhtojnë» sondazhet që tregojnë se me gjithë vonesat e mëdha, shumica dërmuese e popullit shqiptar mbetet sërish në favor të anëtarësimit në BE, më shumë se në çdo vend tjetër. Ndaj nuk mund të bindim e ca më pak të « kërcënojmë » kërkënd në Evropë me këtë argument bumerang.

 «Nuk do opozita, po pengon ajo» BE e ka dhënë me kohë përgjigjen duke theksuar se «kjo është puna juaj; ndaj zgjidhni problemet mes jush, sipas vlerave evropiane, me dialog të vazhdueshëm, konsensus, tolerancë dhe lëshime. Mbi të gjitha duke e shpallur dhe realizuar në praktikë anëtarësimin në BE si TOP temën strategjike. Do të na tregojnë dhe që megjithëse në Estoni dhe në Kroaci nga viti 1991 janë ndryshuar shumë qeveri, askush nuk ka devijuar nga anëtarësimi i shpejtë në BE. Për të mos shkuar te Belgjika që në vitet 2007-2011 pati disa kriza të rënda qeveritare dhe institucionale, por sërish kryesoi me shumë sukses dhe bindshëm BE, OSBE dhe Këshillin e Evropës. Jo për ndonjë çudi, por, sepse për politikën e saj të jashtme, dhe sidomos për çështjet evropiane pozita dhe opozita, shoqëria civile, të gjithë ishin në unison të plotë.

Kësisoj, duke i hequr këto 10 (jo) argumente nga fjalori ynë politik në komunikimet me partnerët evropianë, duke shtuar arritjet dhe rezultatet konkrete në zbatimin e reformave mbi bazën e përparimeve jo të pakta gjatë këtyre muajve të mbetur, janë mundësitë për çeljen e negociatave qysh këtë vit, si një domosdoshmëri strategjike.

Sa për diplomacinë, është fakt i vlerësuar dhe nga partnerët që drejtoritë përkatëse në MPJ dhe sidomos Misioni ynë pranë BE-së në Bruksel kanë bërë maksimumin me kapacitetet dhe përkushtimin e tij profesional dhe qytetar; tashmë i mbetet politikës që ta thotë më mirë fjalën e saj me rezultate të prekshme për të gjithë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.