Intervista

Hapet faza e parë për studime në Itali, ja si të aplikoni. Beskida Aliaj: Degët ku mund të kandidoni

14:30 - 23.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një nga programet e studimit në ciklin e parë apo të dytë në universitetet italiane, tashmë mund të informohen në lidhje me procedurën. Ditën e djeshme, Ambasada Italiane ka çelur zyrtarisht fazën e parë të studimeve, që konsiston në paraqitjen e kërkesës për para-regjistrim nga ana e aplikantëve para datës 24 korrik të këtij viti.




Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, drejtuesja e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj sqaron se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare e më tej prezanton të gjithë dokumentacionin që duhet dorëzuar pranë ambasadës italiane të Tiranës apo konsullatës italiane në Vlorë.

Aliaj shton se dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit e më pas të apostilohen pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve. Drejtuesja e INAS Albania bën me dije për të interesuarit se mbrojtja e certifikuar e gjuhës italiane është e domosdoshme, e më tej tregon se studentët kanë mundësi të aplikojnë për një shumëllojshëmri degësh në një nga universitetet italiane. Fazën e parë, studentët paraqesin dokumentacionin e kërkuar e më tej ky informacion merret në shqyrtim deri në kthimin e një përgjigjeje përfundimtare mbi aprovimin ose jo të kërkesës.

Cilat janë hapat që duhet të ndjekin shqiptarët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta për vitin akademik 2018-2019 në një prej universiteteve italiane? Çfarë përfshin faza e parë e aplikimit?
Faza e parë që do i nënshtrohen të interesuarit është paraqitja e kërkesës për para-regjistrimin. Brenda datës 24 korrik 2018 studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të shkarkojnë dhe të plotësojnë dokumentin Excel, pastaj ta ruajnë me emrin: Preiscrizione Cognome Nome (mbiemri, emri i studentit) dhe ta dërgojnë te bashkëlidhur në e-mailin: scuole. tirana @ esteri. it, me objekt: Preiscrizione 2018 Cognome Nome (mbiemri, emri i studentit). Më tej studentët duhet të caktojnë në kohë një takim pranë ambasadës italiane përmes faqes në internetit: https://prenotaonline. esteri.it.

Studentët mund ta bëjnë kërkesën për disa programe studimi apo vetëm për një të tillë?
Dua të bëj me dije për të gjithë studentët e interesuar mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare. Ndërkaq, studentët që nuk zotërojnë më dëftesën origjinale do të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore dhe fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para-mbrapa. Theksoj dhe faktin se të gjithë studentët e mitur duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit (ose nga njëri prej prindërve i pajisur me autorizimin e prindit tjetër) në momentin e paraqitjes së kërkesës së pararegjistrimit bashkë me një certifikatë familjare (modeli shumëgjuhësh) të apostiluar.

Cilat janë disa prej degëve ku mund të aplikojnë kandidatët?
Studentët e interesuar kanë mundësi të aplikojnë për një shumëllojshmëri degësh në një prej universiteteve italiane dhe mund t’i shohin këto programe te linku përkatës. Për mënyrat, skadencat e procedurës së pararegjistrimit dhe zgjedhjes së degës, duhet të konsultoni edhe faqen e internetit: www.studiare-in-italia.it/. Studentët që dëshirojnë të regjistrohen “NË DEGËT ME NUMËR TË MBYLLUR” (janë programet që duhet t’i nënshtrohen një provimi pranimi me detyrim) duhet të regjistrohen për të dhënë provimin e pranimit edhe në faqen www.univeritaly.it. Kjo vlen për degët Mjekësi e Kirurgji, Mjekësi dhe Kirurgji në anglisht për universitetet që e parashikojnë, Dentist dhe Proteza Dentare, Veterinari, Arkitekturë, Profesione Shëndetësore si dhe Shkencat e Edukimit Fillor.

Në cilat nivele studimi mund të bëhet kërkesa nga ana e studentëve?
Kurset e ciklit të parë apo ndryshe Bachelor zakonisht zgjasin tre vjet, ndërsa kurset e masterit kategorizohen në diplomë Master prej dy vjetësh pas Bachelorit; si dhe diplomë Masteri me një cikël të vetëm me kohëzgjatje pesëvjeçare ose gjashtëvjeçare si dega Mjekësi e kirurgji, stomatologji, mjekësi veterinare, arkitekturë me një cikël apo Juridik.

Çfarë përfshihet në dokumentacionin që duhet të dorëzojnë studentët?
Dokumentet duhet të paraqiten në zarf të tejdukshëm ku studentët duhet të kenë përshirë pasaportën dhe një fotokopje të saj me vlefshmëri të paktën 90 ditë nga vlefshmëria e vizës; certifikatën e lindjes (modeli shumëgjuhësh) e apostiluar; si dhe një formular regjistrimi (Mod.A), në tre kopje tërësisht i plotësuar por i pa firmosur. Gjithashtu studentët duhet të paraqesin edhe një formular të autentikimit të fotografisë, në tri kopje tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur; si dhe 4 fotografi me ngjyra për dokument. Të interesuarit normalisht që duhet të dorëzojnë edhe diplomën e Maturës Shtetërore dhe certifikatën e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose fotokopje e noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa.

Po maturantët që do të marrin dëftesën verën e 2018-ës, si duhet të veprojnë?
Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit ë shkollës së mesme, që do të marrin Dëftesën në verën e 2018-ës, do të paraqesin një fotokopje të thjeshtë të “Formularit A1” me të cilin janë regjistruar online për provimet e maturës 2018. Pas marrjes së provimeve këta studentë duhet të dorëzojnë në ambasadë Diplomën e Maturës dhe certifikatën e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose fotokopje të noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa. Ndërsa, studentët që janë regjistruar këtë vit për të dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore duhet të dorëzojnë fotokopje të thjeshtë të “Formularit A1Z”. Pas marrjes së provimeve, këta studentë duhet të dorëzojnë në ambasadë Diplomën e Maturës ose vërtetim dhe certifikatën e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose fotokopje të noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para-mbrapa.

Cila është procedura që duhet ndjekur për studentët që aplikojnë në master?
Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si specializim ose kurs të shkurtuar, përveç Diplomës së Maturës Shtetërore si më lart, duhet të dorëzojnë edhe Diplomën universitare me listën e notave të apostiluara dhe të përkthyera në italisht bashkë me fotokopje të thjeshta të të gjitha faqeve para mbrapa, si dhe programin e detajuar të studimeve, të apostiluar dhe të përthyer në italisht bashkë me fotokopje të faqes së parë dhe apostiles. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do të marrin Diplomën brenda verës së vitit 2018, duhet të dorëzojnë një vërtetim, që provon regjistrimin në vit të tretë dhe provimet e dhëna. Diploma përfundimtare (Vërtetimi), lista e notave dhe programi i detajuar i studimeve do të dorëzohet në Ambasadë sipas mënyrës së lartpërmendur.


Para se të dorëzohet dokumentacioni, a është e nevojshme të vuloset pranë MASR?
Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen e internetit të ambasadës. Dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen e internetit të ambasadës. Dokumentet e shkollës/universitetit duhet të shoqërohen nga fotokopjet e thjeshta të të gjitha faqeve para-mbrapa, me përjashtim të programit të detajuar të studimeve të cilit i fotokopjohet vetëm faqja e parë dhe vula apostile.

Në rastet kur të dhënat në dokumentacion nuk janë të plota, si duhet të procedohet nga ana e studentit?
Nëse Diplomat universitare apo lista e notave nuk kanë të dhënat personale të plota (emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje), dhe numër regjistri ose diplome, duhet të paraqitet edhe një vërtetim lëshuar nga Universiteti i cili i përmban ato, si dhe të dhënat e degës së studimit.

A është e domosdoshme certifikata e mbrojtjes së gjuhës italiane?
Sigurisht që po! Aplikantët duhet të paraqesin një certifikatë të gjuhës italiane: fotokopje e certifikatës së gjuhës italiane të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Siena-s (CILS), Universiteti Roma 3, ose Shoqata Dante Alighieri ose nga Instituti Italian i Kulturës. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim. Për studentët që kërkojnë të regjistrohen në degët me numër të mbyllur, njohja e gjuhës italiane quhet e mirëqenë nëse kalojnë me sukses provimin e pranimit në universitet. Ndërkohë, studentët që duan të regjistrohen në degët që zhvillohen në gjuhë huaj (anglisht), është e nevojshme të paraqesin një certifikatë njohjes së asaj gjuhe. Për informacione të mëtejshme mbi procedurën e pararegjistrimit ftojmë studentët të konsultojnë rregullisht faqen e internetit www.ambtirana.esteri.it, por dhe ti drejtoheni patronatatit INAS CLS Albania për sqarime të detajuara.

Ku mund të dorëzohet dokumentacioni nga ana e studentëve?
Të gjithë dokumentet e përgatitur nga studenti, mund të dorëzohen në ambasadën italiane të Tiranës, pra për ata me vendbanim në qytetet e mëposhtme: Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Tropojë, Pukë, Mirditë, Has, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë duhet t’i paraqesin dokumentet në institucionin e sipërpërmendur. Ndërsa të gjitha rrethet e Shqipërisë jugore duhet t’i drejtohen konsullatës italiane në Vlorë për dorëzimin e dokumentacionit.

Cilat janë rekomandimet tuaja për studentët e interesuar?
Fillimisht duhet të lexoni me kujdes rregulloren (Band) që afishohet në faqen zyrtare të çdo universiteti italian ku do të shënohen udhëzime të detajuara në lidhje me datat e provimeve, bursat ekonomike, si dhe afatet e skadencës së regjistrimit.

Cila është ndihma që i ofrohet aplikantëve nga Patronati INAS Albania?
Patronati INAS ALBANIA, jep të gjithë konsulencën e nevojshme, që nga fillimi i procedurave dhe deri në mbylljen e tyre për të gjithë studentët që paraqiten pranë zyrave tona. Të gjitha shërbimet tona janë FALAS, pa asnjë lloj pagese. Edhe mbas fitimit të së drejtës për studime në Itali, INAS CISL ALBANIA, ndihmon studentët shqiptarë, nëpërmjet strukturave që ka në të gjithë Italinë, deri në akomodimin e plotë të tyre si edhe në plotësimin e dokumenteve për leje qëndrimin italian nga zyrat e Patronato Inas Cisl që ndodhen të shpërndara në të gjithë Italinë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.